Botë

Këta janë ministrat më të rëndësishëm gjermanë

Descriptive Text

MINISTRE E JASHTME: Annalena Baerbock

Për herë të parë të Gjelbrit morën ministrinë e Jashtme gjermane në vitin 1998. Atëherë në Kosovë mbretëronte luftë dhe ministri i ri Joschka Fischer, ndonëse vinte nga një parti pacifiste, ndoqi një politikë të qartë transatlantike dhe proamerikane, duke përkrahur ndërhyrjen e NATO-se për çlirimin e Kosovës nga sundimi kriminal serb. Me Annalena Baerbock të Gjelbrit “pushtojnë” ministrinë prestigjioze për herë të dytë – dhe për herë të parë në historinë e Gjermanisë një grua do të jetë ministre e jashtme. Baerbock ishte kandidate e të Gjelbërve për kancelare, por partia e saj doli e treta në zgjedhje – edhe për shkak se para fushatës elektorale u zbulua se Baerbock e kishte stolisur një libër të sajin me disa paragrafë pagjiaturë. Baerbock (bashkë me Robert Habeck) është shefe e partisë që nga viti 2018. Baerbock u lind më 1980 në Hannover, është politologe, me një master nga London School of Economics (LSE). I përket krahut realist të të Gjelbërve dhe është kritike ndaj shteteve autokratike si Rusia dhe Kina.

MINISTRE E MBROJTJES – Christine Lambrecht

Lambrecht është socialdemokrate, në zgjedhjet e kaluara nuk kandidoi për deputete, tha se dëshiron t’i kthehet profesionit të avokates. Por me fitoren e socialdemokratëve ambiciet e saj u rritën. Ajo do të jetë pasardhëse e Annegret Kram-Karrenbauer nga partia konservatore CDU dhe kësisoj gruaja e dytë që drejton resorin e mbrojtjes.

MINISTËR I FINANCAVE: Christian Lindner

Ruajtës i arkës gjermane do të jetë Christian Lindner. Ai është shef i partisë liberale FDP. Para 4 viteve ai kishte zgjedhur opozitën për shkak se mendonte se partia e tij nuk do të ketë rol të rëndësishëm në qeveri.

MINSITËR I BUJQËSISË DHE USHQIMIT: Cem Özdemir

Cem Özdemir është ministri i parë me origjinë turke në qeverinë gjermane. Në fakt Özdemir rrjedh nga një familje çerkeze e Turqisë që emigroi në Gjermani. Në moshën 16-vjeçare u angazhua në partinë e Gjelbër. I përket krahut realist të partisë dhe është kritik i ashpër i presidentit turk Rexhep Taip Erdoan. Özdemir, vegjetarian, me dëshirë do të kishte marrë ndonjë post tjetër ministror, për shembull ministër i Jashtëm.

MINSITRE E BRENDSHME: Nancy Faeser

Faeser është socialdemokrate nga landi i Hessenit. Ajo do të drejtojë disa resore të rëndësishme si policinë federale, enti federal të kriminalistikës dhe shërbimin e brendshëm sekret si dhe entin federal për migracion dhe refugjatë.