Botë

Cila është e ardhmja e Merkelit?

Pas 16 vjetësh me samite rraskapitëse evropiane, negociatash për koalicione e videokonferencave të njëpasnjëshme me krerë shtetesh, Angela Merkel është zotuar për të kaluar të ardhmen duke ecur e lexuar libra. Por detajet e fundit të një zyre në qendër të Berlinit dhe intervistat me paralajmërime të fshehta sugjerojnë se bota ende s’e ka parë fundin e karrierës së ish-kancelares gjermane.

Kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, do të betohet para presidentit të mërkurën pasdite. Ndërsa Merkeli “do të tërhiqet nga jeta politike” dhe “s’do të marrë pjesë në asnjë takim për një periudhë disamuajshe”, ka thënë zëdhënësi i saj, Steffen Seibert.

Në një videokonferencë me deputetët e partisë së saj Unioni Kristiandemokrat (CDU), kancelarja raportohet se ka thënë se do të jetë në dispozicion për pyetje, por jo për këshilla në publik.

Merkeli ka refuzuar sugjerimet se ajo do t’u kthehet hulumtimeve shkencore bashkë me bashkëshortin.

“E shoh veten duke folur për lidhjen mes prosperitetit, hulumtimit e inovacionit – por s’jam e sigurt se mund të bëj punë shkencore”, qe shprehur ajo muajin e shkuar.

Që kur hyri në politikë më 1990, Merkeli mezi kishte gjetur një minutë për të menduar se çfarë do t’i interesojë më pas, ka thënë kancelarja në shtator në një konferencë me autoren nigeriane Chimamanda Ngozi Adichie.

“Dua të mendoj shumë me kujdes për fazën që po më afrohet”, ka thënë Merkeli. “A dua të shkruaj, flas, ec, a dua të jem në shtëpi, të udhëtoj në botë?”

Një lëvizje drejt vendlindjes, Hamburg, ku kancelarja u raportua se ka blerë një pronë në një zonë të pasur, u anulua gjatë fushatës në shtator, kur i siguroi qytetarët e verilindjes se Berlini dhe Brandenburgu do të mbeten qendrat e jetës së saj.

Teksa mori një dekoratë në Universitetin Johns Hopkins në Baltimore në korrik, Merkeli u shpreh se sigurisht që s’do ta pranojë asnjë ofertë të parë vetëm sepse frikësohet.

Qëndrimi pa bërë asgjë s’duket një e ardhme reale për Merkelin. Kështu të paktën ka sugjeruar një dokument nga zyra e saj drejtuar Bundestagut muajin e shkuar. Sipas letrës zyrtare, që më pas u publikua në mediat gjermane, Merkeli kërkoi që të ketë zyrë në Berlin me nëntë punëtorë, dy menaxherë zyrash, dy asistencë specialistë, tre nëpunës e dy shoferë.

Për krahasim, pararendësi i saj, Gerhard Schroder, punoi nga një zyrë me shtatë të punësuar pasi humbi detyrën nga Merkeli më 2005. Ndërsa paraardhësi Helmut Kohl doli në pension për të nisur një kompani me shërbime këshilluese e lobuese.

Kancelarja e parë gjermane e gjen të mbyllur derën që të kalojë në biznes pasi një ligj i kaluar më 2015 ua ndalon politikanëve të lartë të kalojnë direkt në këtë sektor për të paktën një vit.