Rrjeti televiziv CNN, shkarkoi të shtunën gazetarin Chris Cuomo, pasi dolën në dritë hollësi të reja se ai ndihmoi të vëllain, ish-guvernatorin e New Yorkut, Andrew Cuomo, teksa politikani u përball me akuza për ngacmim seksual.
Rrjeti pezulloi Cuomon në fillim të javës për të hetuar sjelljen e tij, pasi prokurorja e përgjithshme e New Yorkut, publikoi dokumente që tregonin se ai ishte më i përfshirë sesa dihej më parë në ndihmën për të hartuar strategji dhe për të kontaktuar gazetarët e tjerë, ndërsa i vëllai luftonte për të mbajtur punën e tij.
Rrjeti CNN angazhoi një kompani ligjore për shqyrtimin e situatës, e cila rekomandoi shkarkimin e Cuomos dhe shefi i CNN-it, Jeff Zucker, informoi gazetarin të shtunën për këtë vendim. CNN-i ka njoftuar se nuk do të diskutojë informacionin apo të përcaktojë nëse kishte ndonjë lidhje me vëllain e moderatorit që dha dorëheqje pas ngritjes së akuzave për ngacmime seksuale. Cuomo ka reaguar duke thënë se vendimi ishte zhgënjyes.