Ish-kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, i cili ka udhëhequr Partinë qendrës së djathtë Popullore (ÖVP) dhe jetën politike të vendit të tij për pesë vitet e fundit, ka njoftuar papritur se po largohet nga politika.
I shkathët, i guximshëm dhe që shihej si person me sukses të madh në një moshë të re, Kurz u bë një nga krerët më të rinj të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike në botë në moshën 31 vjeç më 2017, por dha dorëheqjen si kancelar në tetor, pasi u vu nën hetim me dyshimin për korrupsion.
Të enjten, ai dha dorëheqjen nga postet e tij të mbetura si kreu i ÖVP-së dhe kreu i grupit parlamentar, duke thënë se kishte vendosur të largohej nga politika në mënyrë që të fokusohej në jetën e tij familjare. Së fundmi është bërë baba, shkruan The Guardian.
Ai u step fuqishëm ndaj kritikave publike e të mediave dhe akuzave për korrupsion. “Si kancelar ju keni kaq shumë vendime që duhet të merrni çdo ditë, saqë e dini që nga fillimi se do të merrni edhe vendime të gabuara”, ka thënë ai.
Duke e përshkruar veten si "as një shenjtor, as kriminel", ai shtoi në një deklaratë jashtëzakonisht të gjatë: "Ju jeni gjithmonë nën vëzhgim. Ju gjithashtu keni vazhdimisht ndjenjën se jeni duke u ndjekur”.
Kurz u largua nga posti i kancelarit nën presionin e fortë të partnerit të tij të koalicionit, të Gjelbërve, pasi hetuesit anti-korrupsion kontrolluan zyrat në kancelari, ministrinë e Financave, selinë e partisë së tij dhe një shtëpi botuese të fuqishme.
Prokurorët dyshojnë se një rrjet politikanësh konservatorë rreth Kurzit përdori fondet nga kuleta publike e ministrisë së Financave për të blerë një hapësirë të favorshme në gazeta dhe për të "financuar anketat e manipuluara pjesërisht të opinionit" për të rritur imazhin e tij dhe të ÖVP-së.
Media Österreich e ka mohuar se ka garantuar mbulim të favorshëm të Kurzit dhe partisë së tij në këmbim të parave të taksapaguesve, por thuhet se është paguar 1.33 milionë euro për reklamat e vendosura nga ministria e Financave vetëm gjatë dy viteve të fundit.
Prokurorët thonë se Kurz, i cili është nën hetim me dyshimin për dhënie deklaratash të rreme dhe shkelje të besimit publik, ka mohuar çdo akuzë. Nëntë persona të tjerë të afërt me ish-kancelarin, si dhe tre organizata, janë gjithashtu nën hetim, të dyshuar për shkallë të ndryshme korrupsioni dhe ryshfeti.
Rënia e Kurzit nga hiri ka qenë po aq e shpejtë sa ishte ngritja e tij. Sekretar i Shtetit për Integrim në moshën 24-vjeçare dhe ministër i Jashtëm në moshën 27 vjeç, ai u bë udhëheqës i ÖVP-së në maj 2017 dhe kancelar gjashtë muaj më vonë, dhe rindërtoi partinë rreth tij.
Ai hyri në një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me partinë e së djathtës ekstreme Liria në mandatin e tij të parë, një koalicion që u shemb në vitin 2019 kur partia populiste u përfshi në një skandal tjetër korrupsioni.
Kurz tha në deklaratën e tij të dorëheqjes se akuzat e kishin penguar aftësinë e tij për të punuar, duke kërkuar që ai të kalonte muajt e tij të fundit në detyrë "duke u mbrojtur veten kundër akuzave dhe procedurave, dhe duke mos konkurruar më për idetë më të mira".