Botë

30 mijë njerëz pa energji në Mbretërinë e Bashkuar prej stuhisë Arwen

Rreth 30 mijë njerëz në veri të Anglisë dhe Skocisë janë ende pa energji elektrike pas stuhisë Arwen.

Erërat e forta kanë sjellë borë, akull dhe probleme në infrastrukturën e Mbretërisë së Bashkuar këtë javë, ndërsa tre persona kanë humbur jetën.

Arwen, një nga stuhitë më të fuqishme në dekada, fillimisht ndërpreu energjinë për qindra mijëra njerëz me erëra që shkonin deri në 160 km/h.

Sekretari i Biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, Kwasi Kwarteng i tha Parlamentit se pothuajse 1 milion njerëzve, ose rreth 95% e të prekurve, u është rikthyer energjia.

Por rreth 30 mijë persona ishin ende pa energji të mërkurën, pesë ditë pas goditjes së parë të stuhisë.

Kwarteng tha se vendi duhej të përgatitej për mot më ekstrem për shkak të ndryshimeve klimatike.

Chris Burchell, drejtor menaxhues i Rrjeteve Elektrike Skoceze dhe Jugore, u kërkoi falje klientëve dhe tha se dëmi i shkaktuar nga Arwen ishte “ngjarja më e rëndë me të cilën jemi dashur të përballemi ndonjëherë”.

Shoqata e Rrjeteve të Energjisë tha se disa familje nuk do ta marrin energjinë elektrike para fundjavës.

Janë ngritur streha dhe ka ushqime për banorët e prekur, nga kompanitë e energjisë që punojnë në partneritet me shërbimet e urgjencës, autoritetet lokale dhe Kryqin e Kuq Britanik. /euronews