Botë

Greqia pritet t’i gjobisë qytetarët mbi 60 vjeç që refuzojnë të vaksinohen

Greqia do të bëjë vaksinimin kundër COVID-19 të obligueshëm për qytetarët mbi 60 vjeç, raporton BBC.

Gjoba prej 100 euro do të jepen çdo muaj duke filluar nga mesi i janarit për ata që refuzojnë, ka thënë kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Paratë do të shkojnë në drejtim të sistemit shëndetësor grek, që po përballet me rritje të hospitalizimeve.

Rreth 63 për qind e popullatës prej 11 milionë banorëve të Greqisë janë vaksinuar plotësisht, por të dhënat tregojnë se më tepër se 520 mijë persona të moshës mbi 60 vjet kanë refuzuar të vaksinohen.

“Grekët të moshës nga 60 vjet e më tepër, duhet të caktojnë termin për të marrë dozën e parë të vaksinës deri më 16 janar. Vaksinimi i tyre është i detyrueshëm”, tha kryeministri në mbledhjen e Qeverisë.

Kjo masë ende duhet të dërgohet në parlament për votim, ka thënë ai, por deputetët pritet ta aprovojnë këtë.

Derisa shtetet e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit shëndetësorë dhe punonjësit tjerë që punojnë në vende me rrezik të lartë nga infektimi, Greqia është bërë shteti i parë në BE që po shënjestron një grupmoshë specifike.

Austria ka njoftuar se do të fillojë ta bëjë vaksinimin e detyrueshëm nga shkurti.

Syriza, partia më e madhe opozitare e Greqisë, i ka quajtur masat e reja si ndëshkuese dhe financiarisht të tepërta.