Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se shërbimet e inteligjencës kanë zbuluar planet për një grusht shtet ndaj tij të përkrahur nga Rusia. Në një konferencë për media, Zelensky ka thënë se grusht shteti po planifikohej për të mërkurën e javës së ardhshme.
Ai nuk ka dhënë shumë detaje, por ka thënë se rol në organizimin e grusht shtetit kishte edhe oligarku më i pasur i Ukrainës, Rinat Akhmetov.
Presidenti ka thënë se inteligjenca posedon audioincizime të një takimi mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas, në të cilin diskutonin planet për grusht shtetin e financuar nga oligarku që vlerësohet se ka pasuri prej 7.5 miliardë dollarësh.
Zelensky ka refuzuar të tregojë krejt detajet e grusht shtetit, por ka thënë se nuk e ka ndërmend të largohet nga Ukraina.
Për grusht shtet, sipas presidentit ukrainas, do të përdoreshin 1 miliard dollar. Kremlini ka mohuar akuzat e Ukrainës, duke thënë se Rusia nuk ka plane të përfshihet në grusht shtet dhe se shteti rus asnjëherë nuk organizon grusht shtete. Në javët e fundit, zyrtarët e Ukrainës dhe Perëndimit, kanë shprehur shqetësimet për angazhimin e mijëra ushtarëve rusë në kufi me Ukrainën. Sipas tyre, këto janë plane të Moskës për pushtimin e saj.