Botë

A po pajiset me raketahedhëse kundërajrore Republika Srpska

Descriptive Text

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Mirko Okoliq, ka shfrytëzuar mungesën e ministrit Sifet Poxhiq dhe ka dhënë pëlqimin e tij për blerjen e sistemit të raketave kundërajrore.

Në kohën kur përfaqësuesi serb në Presidencën 3-anëtarëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, po punon e vepron për ndarjen e Republika Srpskas nga pjesa tjetër e Bosnjës, zv.ministri i Mbrojtjes, po ashtu serb, ka dhënë pëlqimin për blerjen e raketahedhëse kundërajrore.

Kërkesën e paraqiti kompania nga Banjalluka “Kosmos” dhe ajo u miratua, por shpejt edhe u revokua, ka bërë të ditur portali “istraga.ba”.

Sipas këtij portali, kompania “Kosmos” është e lidhur ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes të Serbisë, dhe prezantoi planin për importimin e tri raketahedhësve ruse NEVA-S125.

Në fillim të tetorit të këtij viti, kompania dorëzoi në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjës kërkesë për lëshimin e licencës së importit. Më pas, kjo ministri ia përcolli kërkesën e kompanisë Kosmos për vlerësim Ministrisë së Sigurisë të Bosnjës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë.

“Në fund të tetorit, zëvendësministri i Mbrojtjes i Bosnjës, Okoliq (SNSD), ka shfrytëzuar mungesën e ministrit Sifet Poxhiq dhe ka dhënë pëlqimin e tij për importin e kësaj pajisjeje ushtarake”, ka thënë burimi nga Ministria e Mbrojtjes e Bosnjës, përcjell “istraga.ba”.

Mirëpo, pas kthimit nga një udhëtim pune, ministri Poxhiq e revokoi pëlqimin e nënshkruar nga zëvendësi i tij Okoliq më 27 tetor.

Okoliq vjen nga partia e Dodikut SNSD. Nga iniciativat që ka marrë Dodiku dhe Kuvendi i Republika Srpskas është edhe themelimi i ushtrisë. Dodik ka thënë më herët se në rast se vjen te ndonjë konflikt “shpreson në ndihmën e Rusisë për furnizim me pajisje ushtarake”.

Perëndimi ka dënuar iniciativat e Dodikut dhe ka kërcënuar me sanksione në rast se vazhdon të minojë paqen dhe të mos respektojë Marrëveshjen e Daytonit, përmes të cilës iu dha fund luftës 4-vjeçare në Bosnjë.