Kina ka paralajmëruar SHBA-në për "provokime" pasi një avion ushtarak amerikan me kongresmenët amerikanë ateroi në Tajvan, raporton AA-ja.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës, reagimi erdhi pasi dje anëtarët e Kongresit fluturuan për në Tajvan me një avion ushtarak.
"Kina e kundërshton me vendosmëri dhe e dënon me fuqishëm këtë akt", tha zëdhënësi i ministrisë, kolonel Tan Kefei, në një deklaratë të martën mbrëma.
“Tajvani është pjesë e shenjtë dhe e pandashme e territorit kinez, ky veprim i palës amerikane ndërhynë rëndë në punët e brendshme të Kinës dhe rrezikon seriozisht sovranitetin territorial të Kinës, si dhe kërcënon rëndë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”, deklaroi Tan.
Avioni ushtarak Boeing C-40A, pjesë e Marinës së SHBA-së, fluturoi nga baza ajrore Clark në Filipine dhe ateroi në Taipei me një grup kongresmenësh amerikanë në bord.
Autoritetet në ishullin e vetëqeverisur ndanë pak detaje mbi ngjarjen, duke thënë se është duke "i ofruar asistencë administrative delegacionit" dhe "itinerari përkatës është koordinuar me Institutin Amerikan në Tajvan (AIT)".
AIT përfaqëson Washington-in në Taipei dhe koordinon të gjitha komunikimet midis dy palëve.
“Ne paralajmërojmë palën amerikane që të ndalojë menjëherë veprimet e saj provokuese, të ndërpresë menjëherë të gjitha veprimet destruktive që çojnë në përshkallëzimin e tensioneve në ngushticën e Tajvanit dhe të ndalojë dërgimin e sinjaleve të gabuara për forcat separatiste të 'pavarësisë së Tajvanit'”, theksoi Tan.
Megjithatë, në Washington, sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby, tha se vizita e kongresmenëve amerikanë në Tajvan "është tejet rutine" dhe "nuk është diçka e pazakontë që ata të transportohen me avionët ushtarakë të SHBA-së".
Zëdhënësi kinez paralajmëroi Partinë Demokratike Progresive në pushtet në Tajvan "të mos e vlerësojë gabimisht situatën dhe të marrë rreziqe, përndryshe, kjo do të sjellë vetëm fatkeqësi serioze në ishull".
Ndërveprimet midis Taipeit dhe Washington-it dhe aleatëve të tij kanë qenë në rritje kohët e fundit, duke shkaktuar rritjen e aktiviteteve ajrore të avionëve kinezë mbi ngushticën e Tajvanit.
"Kina duhet dhe do të ribashkohet. Askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e fuqishme, vullnetin e pathyeshëm dhe aftësinë e fuqishme të popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial", theksoi Tan.
Pekini pretendon Tajvanin, ishullin me rreth 24 milionë banorë, si provincën e saj të shkëputur, ndërsa Taipei këmbëngul për pavarësinë e saj që nga viti 1949 dhe ka marrëdhënie diplomatike me të paktën 15 vende. /AA