Botë

Tensione të reja mes Britanisë së Madhe dhe Francës shkaku i anijeve të peshkimit

Britania e Madhe ka dënuar ashpër ndalimin e një anije të peshkimit në ujërat franceze, në atë që ka thelluar edhe më shumë mosmarrëveshjet mes dy shteteve lidhur me të drejtat e peshkimit në periudhën pas Brexitit.

Ministria franceze për dete ka bërë të ditur se anija britanike është ndaluar gjatë një kontrolli të zakonshëm dhe se nuk i është lejuar peshkimi në ujërat francezë. Ndërkaq, një anijeje tjetër i është tërhequr vërejtja.

Veprimi i palës franceze ka sinjalizuar vendosmërinë e shtetit që të mos tërhiqet nga qëndrimet e veta, duke i rritur gjasat për sanksione ndaj Britanisë së Madhe në rast se nuk arrihet përparim në bisedimet ndërshtetërore.

Franca ka ashpërsuar kontrollet doganore për mallrat britanike dhe ka kërcënuar edhe me shtrenjtim të eksportit të energjisë elektrike, në rast se dështojnë bisedimet mes Londrës dhe Parisit.

Qeveria britanike ka bërë të ditur se masat janë zhgënjyese, jo të duhura dhe veprim që nuk është pritur nga një aleat i afërm. Parisi zyrtar është kundërpërgjigjur, duke pretenduar se Britania ka refuzuar që t’i licencojë krejt anijet për peshkim në ujërat britanike.