Botë

Alarm i Pentagonit: ISIS-i mund ta sulmojë SHBA-në vitin e ardhshëm

Descriptive Text

“Komuniteti i Inteligjencës aktualisht vlerëson se si ISIS-K, dega e grupit me seli në krahinën afgane Khorasan, ashtu edhe Al-Qaeda kanë synime që të kryejnë operacione të jashtme, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara, porse asnjëra aktualisht nuk ka kapacitete për ta bërë këtë. Mund ta shohim ISIS-K tek e gjeneron këtë kapacitet brenda një periudhe kohore prej gjashtë deri në 12 muaj”, ka theksuar Colin Kahl, nënsekretar i politikës për mbrojtje, duke shtuar se për këtë gjë Al-Qaedas mund t’i nevojiten “një vit apo dy”

Komuniteti amerikan i Inteligjencës ka vlerësuar se Shteti Islamik në Afganistan mund të ketë kapacitete për t’i sulmuar Shtetet e Bashkuara në më pak se gjashtë muaj dhe se ka synime për ta bërë një gjë të tillë, ka thënë të martën një zyrtar i lartë i Pentagonit, gjatë adresimit në Kongres.

Colin Kahl, nënsekretar i politikës për mbrojtje, ka thënë se “ende duhet të përcaktohet” nëse talebanët, të cilët janë armik i Shtetit Islamik, e kanë aftësinë që ta luftojnë në mënyrë efektive ISIS-in pas tërheqjes së SHBA-së në gusht.

“Komuniteti i Inteligjencës aktualisht vlerëson se si ISIS-K, dega e grupit me seli në krahinën afgane Khorasan, ashtu edhe Al-Qaeda kanë synime që të kryejnë operacione të jashtme, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara, porse asnjëra aktualisht nuk ka kapacitete për ta bërë këtë. Mund ta shohim ISIS-K tek e gjeneron këtë kapacitet brenda një periudhe kohore prej gjashtë deri në 12 muaj”, ka shtuar ai, duke thënë se për këtë gjë Al-Qaedas mund t’i nevojiten “një vit apo dy”, raporton e përditshmja britanike “Guardian”.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë civilë në Pentagon e shpalosi këtë vlerësim gjatë një adresimi në Senat të martën, duke i befasuar qartësisht disa pjesëtarë në tribunë pikërisht në kohën e diskutimeve të thella rreth asaj nëse administrata e presidentit, Joe Biden, ka marrë vendimin e duhur me tërheqjen e plotë nga lufta më e gjatë e SHBA-së.

“Është pikërisht ky kërcënim arsyeja përse duhet të jemi vigjilentë dhe syhapur”, ka thënë Kahl të martën.

Analistët besojnë se prania e grupit afgan të ISIS-it paraqet mbase kërcënimin më të madh të huaj për Amerikën.

“Aktualisht, ISIS-K është mbase më i afti në aspektin e orkestrimit të ndonjë komploti që mund të përbëjë kërcënim të qartë për sigurinë amerikane”, ka thënë Colin Clarke, studiues i lartë në kompaninë private të Inteligjencës “The Soufan Group”, duke folur për agjencinë amerikane “USNews”.

Degë të tjera të grupit të Shtetit Islamik, përfshirë ato në Afrikën Perëndimore dhe atë Qendrore, e kanë vrullin, porse janë më të përqendruara në çështjet lokale, ka thënë studiuesi. Disa të tjerë besojnë se përcaktimi kohor i kërcënimit nga ISIS-K nuk është unik.

“Al-Qaeda është larg më mirë e pozicionuar në zonën e saj të sigurisë në Afganistan”, thotë Bill Roggio, anëtar i lartë i Fondacionit për Mbrojtje të Demokracive, i cili ka hartuar në mënyrë të hollësishme kërcënimet terroriste në dhe përreth Afganistanit. “ISIS-K po lufton për mbijetesë kundruall talebanëve dhe Al-Qaedas”, ka shtuar ai për “USNews”.

Presidenti Biden e ka bazuar vendimin e tij për t’i dhënë fund pranisë ushtarake amerikane në Afganistan, pas 20 vjetësh, pjesërisht mbi suksesin e qartë në shpërbërjen e Al-Qaedas, pasi që grupi i ndërmori sulmet më të rënda terroriste në SHBA më 11 shtator 2001.

Pas tërheqjes në gusht, Pentagoni vazhdimisht ka përsëritur se SHBA-ja ka kapacitete për të ndërmarrë operacione të kundërterrorizmit në Afganistan kundër armiqve të vendit, porse ka refuzuar që t’i zbardhë specifikat e tjera.

Në raportimin e së martës, Kahl ka konfirmuar se SHBA-ja është aktualisht e angazhuar në bisedime me Pakistanin për t’i vazhduar marrëveshjet aktuale rreth përdorimit të hapësirës ajrore pakistaneze për lansimin e sulmeve të mundshme në rast të kërcënimeve terroriste në Afganistan.