Botë

Liderët evropianë kërkojnë kompromis rreth emigracionit

Me gjithë përafrimin e qëndrimeve rreth çështjes, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përjashtuar mundësinë e ndarjes së fondeve nga BE-ja për “telat me gjemba dhe muret” përreth kufijve të bllokut

Liderët e Bashkimit Evropianë kanë bërë të premten përpjekje të re për t’i kapërcyer dallimet rreth menaxhimit të çështjes së emigrantëve, por kanë pasur përplasje rreth mënyrës më të mirë të ecjes përpara, teksa shefat ekzekutivë të bllokut kanë insistuar se nuk do të ketë fonde të BE-së për “telat me gjemba dhe muret” nëpër kufij.

Përderisa shifra e përgjithshme e emigrantëve është më e ulët krahasuar me popullatën prej rreth 450 milionë banorësh të bllokut, çështja po vazhdon që ta ushqejë mbështetjen për grupet nacionaliste dhe populiste përreth BE-së, duke e vështirësuar procesin e arritjes së një kompromisi mes 27 vendeve anëtare, ka raportuar të premten agjencia Reuters.

“Muajt e fundit kanë treguar se presioni i emigracionit nuk po bie. Në fakt po rritet përsëri”, ka thënë kancelari i ri i Austrisë, Alexander Schallenberg, gjatë takimit të BE-së.

Ai ka shtuar se forcimi i kufijve të jashtëm të bllokut është vendimtar, duke e fuqizuar thirrjen e Lituanisë për financim nga BE-ja për një infrastrukture më të fortë kufitare, përfshirë dronët apo mburojat.

Porse shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shprehur kundër kësaj kërkese.

“Isha mjaftueshëm e qartë se ekziston një qëndrim i kahershëm në Komisionin Evropian dhe në Parlamentin Evropian se nuk do të ketë fonde për telat me gjemba dhe muret”, ka theksuar ajo, raporton Reuters.

Liderët e BE-së e angazhuan ekzekutivin e bllokut me paraqitjen e propozimeve, pa e ofruar ndonjë shifër apo pa specifikuar se sa para do të duhej të ndaheshin.

Vetëm rreth 5,100 emigrantë kanë mbërritur në vendet e BE-së përgjatë Mesdheut gjatë këtij viti, kanë treguar të dhënat më të fundit të Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, edhe disa mijëra të tjerë kanë kaluar gjithashtu kufirin e Bjellorusisë me tri vendet anëtare të BE-së – Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. Por agjencia evropiane për kufij, Frontex, ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji pothuajse 134,000 emigrantë janë munduar që të depërtojnë drejt vendeve të bllokut nga të gjitha drejtimet e mundshme. Kjo shifër përbën pothuajse 50 përqindëshin e numrit të raportuar gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2019, para shpërthimit të pandemisë, ka raportuar agjencia e lajmeve.

Luksemburgu, Gjermania, Franca, Holanda dhe Belgjika kanë pranuar shumicën e refugjatëve dhe emigrantëve, të cilët kanë hyrë në bllok që nga kulmi i fluksit të hyrjeve të parregullta përgjatë Mesdheut në vitet 2015-2016.

Kohëve të fundit BE-ja ka bërë të ditur se Bjellorusia po e trimëron emigracionin, si një formë e luftës hibride që për synim ka ushtrimin e presionit mbi BE-në, shkaku i sanksioneve të vendosura ndaj Minskut. Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, ka mohuar akuzat dhe ka fajësuar BE-në për krizë humanitare përreth kufijve të saj.

BE-ja është duke i ashpërsuar rregullat e azilit dhe kontrollet në kufijtë e jashtëm qëkur më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë depërtuan në Evropë gjashtë vjet më parë.