Sulmuesi që vrau pesë persona me hark e shigjeta në Norvegji të mërkurën, ishte i njohur për Policinë, raporton BBC.
Siç ka njoftuar Policia e Norvegjisë ai kishte treguar shenja të radikalizimit.
Pesë persona kanë vdekur dhe dy janë lënduar, pasi një person duke përdorur harkun dhe shigjetat ka sulmuar ata.
Policia së pari ka marrë informata për sulmin në qytetin Kongsberg, në jug-perëndim të Oslos, rreth orës 18:13 të mërkurën me kohë lokale.
Burri 37-vjeçar, shtetas i Danimarkës me banim në Kogsberg, akuzohet për vrasjet.
Policia thotë se ai ishte konvertuar në islam. Ka pasur raportime në të kaluarën për shqetësime që lidhen me radikalizim, por jo në vitin 2021. Së fundi ishte raportuar për shqetësime në vitin 2020.
Katër viktima janë gra dhe një burrë. I dyshuari është marrë në pyetje për disa orë. Viktimat janë të moshës mes 50 dhe 70 vjet, ka thënë shefi i Policisë rajonale, Ole Bredrup Saeverud.
I pyetur nëse sulmi është motivuar mbi bazat fetare, ai ka thënë: “Nuk dimë asgjë për motivin, por është e natyrshme ta bëjmë këtë pyetje”.
Vitin e kaluar burrit i ishte ndaluar të vizitonte dy anëtarë të ngushtë të familjes, pasi kërcënoi se do të vriste njërin prej tyre. Po ashtu i akuzuari kishte qenë në kontakt me shërbimin shëndetësor norvegjez disa herë.
Mendohet se ai ka vepruar i vetëm.