Botë

Disa të vdekur e të lënduar nga sulmi me shigjeta në Norvegji

Policia ka njoftuar se sulmet kanë ndodhur përgjatë “një rajoni të gjerë” në Kongsberg, qytet ky me rreth 28,000 banorë në juglindje të Norvegjisë. Sipas policisë, sulmuesi ka ecur përreth qytetit duke shtënë në drejtim të njerëzve me hark e shigjeta

Disa persona kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë të lënduar nga sulmi i një burri të pajisur me hark e shigjeta në afërsi të kryeqytetit norvegjez, Oslo.

Policia lokale ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar menjëherë pas sulmit të së mërkurës vonë në Kongsberg, qytet rreth 80 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit.

“Sulmuesi është arrestuar... nisur nga informatat që i posedojmë deri më tani, ky person e ka kryer sulmin i vetëm”, ka thënë shefi i policisë, Øyvind Aas, duke folur për gazetarët. “Disa persona janë lënduar dhe disa janë të vdekur”, ka shtuar ai, porse nuk e ka specifikuar bilancin e saktë. Ai ka theksuar se bëhet fjalë për “disa skena të krimit”, ndërkaq ka shtuar se motivet e sulmuesit ende nuk dihen.

I dyshuari është dërguar në stacionin policor të qytetit të afërt Drammen, ndërsa bëhet e ditur se askush tjetër nuk është në kërkim lidhur me rastin.

Policia ka njoftuar se sulmet kanë ndodhur përgjatë “një rajoni të gjerë” në Kongsberg, qytet ky me rreth 28,000 banorë në juglindje të Norvegjisë. Sipas policisë, sulmuesi ka ecur përreth qytetit duke shtënë në drejtim të njerëzve me hark e shigjeta. Mediat lokale kanë raportuar se sulmi besohet të ketë nisur në apo afër një dyqani të “Coop” në qendër të qytetit, porse kanë shtuar se hollësitë rreth rastit “janë ende të pasqaruara”.

Një operacion masiv i përgjigjes është ndërmarrë përreth qytetit, në të cilin janë përfshirë forcat e armatosura policore, dy helikopterë dhe më shumë se 100 autoambulanca.

“Burime të shumta janë dërguar në disa vende, përfshirë ekipet policore nga Osloja, skuadrat antibombë, policinë kombëtare dhe ekipet e përgjigjes emergjente”, ka thënë shefi i policisë Aas. “Ata janë duke u kujdesur për sigurinë në skena të ndryshme të krimit. Kemi shumë dëshmitarë okularë për t’i intervistuar”.

Pas sulmeve, drejtoria policore ka njoftuar se ka urdhëruar menjëherë zyrtarët policorë në mbarë vendin që të pajisen me armë zjarri. Policia norvegjeze rëndom është e paarmatosur, porse ka qasje në pistoleta dhe pushkë kurdo që një gjë të tillë e ka të nevojshme.

“Kjo është një masë paraprake e jashtëzakonshme. Policia nuk ka indikacione gjer më tani lidhur me një ndryshim në shkallën kombëtare të kërcënimit”, ka njoftuar drejtoria nëpërmjet një njoftimi.

Ministrja norvegjeze e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike, Monica Maeland, është informuar lidhur me sulmet dhe është duke e monitoruar nga afër situatën, ka njoftuar ministria.

Norvegjia ka qenë tradicionalisht një vend i qetë, porse ka pësuar sulme të së djathtës ekstreme në të kaluarën.

Anders Behring Breivik kishte ndërmarrë sulme të dyfishta, duke lënë të vdekur 77 persona më 22 korrik 2011. Ai fillimisht kishte vendosur bombë në afërsi të zyrës së kryeministrit norvegjez në Oslo e më pas kishte ndërmarrë sulm me armë në një kamp veror të të rinjve në ishullin Utoya.