Botë

Rëndësia botërore e zgjedhjeve të Irakut

Votimet në Irak po bëhen në një kohë me aktivitet të ashpër diplomatik, sidomos pas vendimit të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për tërheqjen graduale nga Lindja e Mesme dhe marrëdhëniet e ftohta me aleatin tradicional, Arabinë Saudite. Kryeministri i tanishëm i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, ka dashur ta portretizojë Irakun si ndërmjetësues neutral në krizat e rajonit. Në muajt e fundit, Bagdadi ka qenë nikoqir i disa bisedimeve mes sauditëve dhe iranianëve me qëllim që të ulen tensionet

Zgjedhjet e së dielës në Irak janë organizuar me një mori sfidash: ekonomia e shtetit është shembur nga vitet e konfliktit, korrupsionit të madh dhe së fundmi edhe nga pandemia e koronavirusit. Institucionet shtetërore janë në gjendje të rëndë, ashtu si infrastruktura e krejt vendit. Grupet e fuqishme paramilitare vazhdimisht kanë shërbyer si kërcënim për autoritetin e shtetit dhe qindra e mijëra njerëz janë ende të zhvendosur shkaku i luftës kundër Shtetit Islamik.

Teksa pak irakianë presin ndryshime në jetën e tyre të përditshme, zgjedhjet parlamentare do t’i japin drejtim politikës së jashtme të Irakut në periudhën vendimtare në Lindjen e Mesme, përfshirë Irakun si ndërmjetësues mes rivalëve rajonalë, Iranit dhe Arabisë Saudite.

“Zgjedhjet e Irakut do të kenë vëmendjen e tërë rajonit për të parë se si do të veprojë në rajon lidershipi i ri për të kthyer balancën e pushtetit”, thotë Marsin Alshamary në një hulumtim të përbashkët me Belfor Center të Harvard Kennedy School. Mirëpo, për cilat çështje kanë marrë vëmendjen e botës zgjedhjet irakiane?

Për shumë zgjedhje

Zgjedhjet janë duke u mbajtur më herët si kundërpërgjigje ndaj protestave masive që shpërthyen në vitin 2019. Kjo është hera e parë që votimet mbahen me kërkesë të protestuesve irakianë që për disa muaj dolën nëpër rrugë. Votimet janë mbajtur nën ligjin e ri zgjedhor që ndan Irakun në zona të vogla elektorale – që ishte kërkesë e protestuesve të rinj – ky ligj mundëson garën e më shumë kandidatëve të pavarur.

Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka autorizuar zgjerimin e ekipit për monitorimin e zgjedhjeve në Irak. Të dielën do të jenë më shumë se 600 mbikëqyrës ndërkombëtarë, përshirë 150 nga Kombet e Bashkuara.

Iraku për herë të parë prezanton letërnjoftimet biometrike për votuesit. Për të pamundësuar keqpërdorimin e votës elektronike, Komisioni i Zgjedhjeve do të bllokojë për 72 orë pas secilës votë, me qëllim që të shmanget votimi i dyfishtë. Por përkundër të gjitha këtyre masave, ka pasur akuza për blerje votash.

Ndasitë mes shiitëve

Grupimet e dala nga shiitët dominojnë peizazhin zgjedhor, ashtu siç ishte në rastin pas rrëzimit të Saddait kur baza e pushtetit kaloi nga minoriteti Sunnit te shumica shiite.

Mirëpo, grupet shiite janë të ndara, sidomos në lidhje me ndikimin e Iranit fqinj, një bazën e shiitëve. Garë e ngushtë pritet të jetë mes bllokut politik me ndikim të Moqta al-Sadr, fituesit më të madh të zgjedhjeve të vitit 2018 dhe Aleancës Fatah që prihet nga lideri paramilitar, Hadi al-Ameri, që në zgjedhjet e mëparshme doli i dyti.

Aleanca Fatah përbëhet nga partitë e lidhura me Forcat Mobilizuese të Popullit, një grup me milici shiite pro-Iranit që u ngrit gjatë luftës kundër ekstremistëve sunni të grupit të Shtetit Islamik. Ka në përbërje disa prej grupimeve më të ashpra pro-Iranit, siç është milicia Asaib Ahl al-Haq. Al-Sadr, lider nacionalist dhe populist, është i afërt me Iranin, por publikisht ka mohuar të jetë i ndikuar politikisht nga shteti fqinj. Kataib Hezbollah, një tjetër shiit me ndikim dhe lidhje me Iranin, po garon për herë të parë në zgjedhje.

Thirrje për bojkot

Irakianët e rinj që morën pjesë në protesta kanë bërë thirrje për ndryshime, por kanë qenë të ndarë se kënd duhet votuar. Në protestat e vitit 2019, më shumë se 600 protestues u vranë për pak muaj. Ani pse autoritetet u dorëzuan dhe bënë thirrje për zgjedhje të hershme, numri i të vdekurve në protesta ka shtyrë të rinjtë që të marrin pjesë në thirrje për bojkotin e zgjedhjeve. Një seri e kidnapimeve dhe vrasjeve me pagesë ka dekurajuar njerëzit që të marrin pjesë në zgjedhje.

Kryekleriku shiit dhe autoritet i respektuar në Irak, Ajetollahu i Madh Ali al-Sistani, ka bërë thirrje për dalje në zgjedhje, duke thënë se vota mbetet mënyra më e mirë për irakianët që t’i japin formë të ardhmes së tyre.

Në zgjedhjet e vitit 2018 doli një numër rekord prej 44 për qind të njerëzve me të drejtë vote. Mirëpo, rezultatet u vunë në dyshim. Shqetësime të njëjta janë edhe për të dielën.

Mustafa al-Jabouri, 27-vjeçar, ka thënë se nuk do të votojë pasi të gjithë shokët e tij iu vranë në protesta para syve të tij.

“Kam marrë pjesë në çdo zgjedhje qëkur mbusha 18 vjet. Gjithmonë themi se ndryshimi do të vijë dhe se gjërat do të përmirësohen. Mirëpo, e kam parë që gjërat janë përkeqësuar”, ka thënë ai në një kafene të Bagdadit. “Edhe tani janë të njëjtat fytyra nga të njëjtat parti”, ka shtuar ai.

Komplikimet rajonale

Votimet në Irak po bëhen në një kohë me aktivitet të ashpër diplomatik, sidomos pas vendimit të administratës së presidentit amerikan Joe Biden për tërheqjen graduale nga Lindja e Mesme dhe marrëdhëniet e ftohta me aleatin tradicional, Arabinë Saudite. Kryeministri i tanishëm i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, ka dashur ta portretizojë Irakun si ndërmjetësues neutral në krizat e rajonit. Në muajt e fundit, Bagdadi ka qenë nikoqir i disa bisedimeve mes sauditëve dhe iranianëve me qëllim që të ulen tensionet.

Alshamary, hulumtuese, ka thënë se shtetet arabe do të shohin se çfarë do të përfitojnë nga grupimet pro-iraniane në zgjedhjet irakiane, ndërkaq edhe Irani do të analizojë se çfarë rezultati do të marrin grupimet pro-perëndimore. “Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë ndikim në politikën e jashtme të rajonit për vitet që do të vijnë”, ka thënë ajo.

Nën ligjet e Irakut, fituesi i zgjedhjeve të së dielës do të vendosë për kryeministrin, por asnjëri grup nuk do të fitojë shumicën. Irakun e pretë një proces i gjatë bisedimesh për të gjetur një kryeministër me konsensus dhe të pajtohet me koalicionin e ri qeverisës.

Randa Slim, nga Instituti për Lindjen e Mesme me bazë në Washington, thotë se roli i Irakut si ndërmjetësues është arritje e Al-Kadhimit dhe rezultat i suksesit të tij për t’i balancuar interesat e SHBA-së dhe Iranit në Irak.

“Nëse ai nuk do të jetë kryeministër i ardhshëm, të gjitha këto iniciativa do të jenë jetëshkurtra”, ka thënë Slim.