Botë

Fushatë me gënjeshtrat e Trumpit

Gënjeshtrat dhe dezinformatat rreth rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në SHBA janë të besueshme aq shumë nga votuesit republikanë sa që kundërshtimi i gënjeshtrës politikisht mund të jetë goxha e rrezikshme. Për muaj të tërë, teksa ka garuar për nominimin partiak në Virginia, kandidati Glenn Yongkini refuzoi që të tregonte nëse presidenti Joe Bideni është zgjedhur në proces të ligjshëm

Republikani Glenn Yongkin nuk ka folur shpesh për gënjeshtrat e Donald Trumpit rreth vjedhjes së votave, kaosit të 6 janarit apo lidhur me atë nëse partia ka besim në zgjedhjet amerikane.

Ama kur ka folur gjërat nuk i kanë shkuar fort për shtati.

I nominuari i partisë për guvernator të Virginias ka argumentuar gjatë kësaj jave se pajisjet e votimit në këtë shtet duhet të kontrollohen vazhdimisht për t’i siguruar njerëzit se procesi është i besueshëm. Mirëpo, gjë e pathënë nga ai është se pajisjet çdo vit kontrollohen.

Komenti i fundit vjen pas një interviste në të cilën Youngkini nuk ka thënë drejtpërsëdrejti nëse do ta kishte votuar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden po qe se do të kishte qenë në Kongres. Më vonë ka specifikuar se do të kishte votuar.

Përgjigjet e turbullta dhe qartësimet e mëvonshme kanë shpalosur dilemën e Youngkinit, kur bëhet fjalë për zgjedhjet e vitit të kaluar.

Gënjeshtrat dhe dezinformatat rreth rezultateve janë të besueshme aq shumë nga votuesit republikanë sa që kundërshtimi i gënjeshtrës politikisht mund të jetë goxha e rrezikshme. Për muaj të tërë, teksa ka garuar për nominimin partiak, Yongkini refuzoi që të tregonte nëse Bideni është zgjedhur në proces të ligjshëm.

Tani, në zgjedhjet e përgjithshme, kur është ngushtë me vota kundruall të majtëve në Virginia, Youngkini ka tentuar që t’u rezistojë cilësimeve si mohues i zgjedhjeve ose nuk i ka lejuar demokratët që t’ia përmendin emrin me gënjeshtrat e Trumpit.

Qëndrimet e Trumpit

Punën nuk ia ka bërë të lehtë as ish-presidenti. Komiteti i qëndrimeve të tij politike ka dërguar një email duke përmendur raportimin në lidhje me komentet e Youngkinit.

“ICYMI: Youngkini bën thirrje për auditimin e pajisjeve të votimit në Virginia”, thuhej në këtë email.

Trumpi u ka bërë presion republikanëve në shtetet vendimtare që ta përmendin fjalën “auditim” të rezultateve. Ai nuk ka ndërruar qëndrim edhe kur faktet e një ekzaminimi të profilit të lartë në qendrat e votimit në Arizona dolën me konstatimin se në fakt nuk ka prova se votat ishin vjedhur.

Demokratët të pakënaqur, komunikimin e shohin si shenjë të rreshtimit të dy burrave.

“Përkrahja e mbrëmshme është hera e pestë që Donald Trumpi publikisht përkrah Glenn Youngkinin”, ka thënë demokratja Susan Swecker nga Virginia. “Glennit nuk i mjafton dhe vazhdon të mbështetet në teoritë konspirative të Trumpit në lidhje me zgjedhjet që kanë vënë në dyshim procesin demokratik dhe siç e kemi parë mund të nxisin edhe dhunë”, ka shtuar ajo.

Beteja e rivalit

Kundërshtari i Youngkint, ish-guvernatori Terry McAuliffe, me shpejtësi ka publikuar një video me qëndrimet e Youngkinit. Në këtë video dëgjohen qëndrimet e republikanit, ndërsa rrok pamjet e kaosit të 6 janarit në Capitol.

“Prioritetet e Glenn Youngkinit janë të qarta: po garon për guvernator për t’i sjellë teoritë e rrezikshme konspirative të Trumpit në Virginia”, ka thënë McAuliffe në një deklaratë për media.

Komentet e Youngkinit, biznesmen dhe për herë të parë kandidat politik, erdhën teksa po fliste në mesin e një grupi votuesish afro-amerikanë.

I pyetur nëse do të nënshkruante një ligj që shtrëngon të drejtat e votimit, Youngkin është përgjigjur duke thënë se dëshiron ta rikthejë besimin në procesin e zgjedhjeve. Ai ka propozuar heqjen e Departamentit të Zgjedhjeve nga zyra e guvernatorit dhe ta bëjë institucion të pavarur me qëllim që të kthejë kërkesën e votimit me letërnjoftim dhe të sigurohet se pajisjet janë të përditësuara.

“Mendoj se duhet të sigurohemi që njerëzit t’u besojnë makinave të votimit. Jam rritur në një botë ku auditimi është bërë çdo vit, edhe në bizneset që kemi pasur. Prandaj, le të auditojmë makinat e votimit, të publikojmë rezultatet dhe t’i shohin të gjithë. Nëse vazhdojmë me këtë plan të gjithë do të jenë të kënaqur me faktin se kemi një sistem të zgjedhjeve në të cilin kanë besim të gjithë”, ka thënë Youngkin.

Virginia tashmë kryen auditime vjetore të skanimit të fletëvotimeve dhe një auditim i kryer pas zgjedhjeve ka konfirmuar saktësinë e rezultateve.

McAuliffe miratoi një ligj në vitin 2017 me të cilin përmendeshin procedurat për auditimet ekzistuese, ndërkaq në fushatën e së enjtes ka thënë se ende e përkrah ligjin.

I pyetur për komentet shtesë në lidhje me qëndrimet e tij, zëdhënësi i Youngkinit, Matt Wolking, ka thënë se shefi i tij ka nisur të bëjë thirrje për auditim të makinave që prej muajit shkurt. Ka shtuar se nëse zgjidhet do të sigurohet që Virginia do të bëjë auditime të vazhdueshme dhe të sakta.

Youngkin “integritetin e zgjedhjeve” e ka bërë pikë kyç të fushatës që në ditët e para. Në muajin shkurt, kur është pyetur nga “Washington Posti” nëse Bideni ishte zgjedhur ligjshëm, ai refuzoi të përgjigjej.

Deklaratat e paqëndrueshme

Mirëpo, qëkur u nominua në muajin maj, Youngkin ka pranuar fitoren e Bidenit dhe është përqendruar në çështje të tjera.

“E kam thënë shpeshherë se Joe Bideni është presidenti ynë. Por uroj që të mos ishte”, kishte thënë në debatin e parë kundër McAuliffes.

Në debatin e dytë, republikani kishe thënë se “nuk kishte material për mashtrim” dhe se “zgjedhjet ishin fer”.

Mirëpo, nuk e ka harruar këtë temë. Ka folur për “integritetin e zgjedhjeve” në tubimin në Universitetin “Liberty”, kampus i krishterë që njihet për fushatat e mëdha të kandidatëve republikanë. Në fillim të verës, ai dështoi të përgënjeshtronte një teori konspirative, sipas një raporti të publikuar nga “Huffington Post”.

Kur një pjesëmarrës i tubimit i tha se Trumpi mund të kthehet në rolin e presidentit, Youngkin u përgjigj: “nuk e di me saktësi se si und të ndodhë, sepse sistemi i gjykatave po lëviz ngadalë dhe ka paqartësi. Të gjithë e dimë se gjykatat janë të ngadalta”.

Bideni u certifikua si fitues dhe u betua si president në muajin janar. Nuk ka asnjë rast gjyqësor që mund ta kthejë këtë vendim.

Youngkin, gjithashtu, ka ngjallur kritika kur ka përkrahur senatoren e shtetit, Amanda Chase, e cila miratoi teoritë konspirative në fushatën e tij. Ndërkaq, dy javë më parë, ai nuk është përgjigjur direkt kur është pyetur nëse do të votonte për certifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020. Një ditë më vonë, ai ishte i qartë kur tha se “padyshim” se do të votonte”.

Tucker Martin, këshilltar republikan në Virginia, ka thënë se gara është e ngushtë dhe se ekipi i fushatës së McAuliffe ka të drejtë që lidhë Youngkinin me Trumpin. Sipas tij, kjo do të nxisë votuesit demokratë që të dalin në zgjedhje ashtu siç dolën për Bidenin.

“Kjo është ajo që po bëjnë demokratët me Glenn Youngkinin. Ata duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për t’ua përkujtuar votuesve se Glenn Youngkin është pjesë e partisë së Donald Trumpit”.

Përktheu: Gent Mehmeti