Botë

Puigdemont lirohet nga burgu Italian, më 4 tetor vendimi për ekstradim

Gjykatësja Plinia Clara Azzena, e cila ka autorizuar lirimin e tij, ka thënë se lideri katalonjas është i lirë që të udhëtojë pa kufizime. Ajo dhe dy gjykatës të tjerë do të mbajnë më 4 tetor një seancë të re gjyqësore, në të cilën do të marrin vendim rreth ekstradimit të tij apo jo në Spanjë

Ish-lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont, është larguar të premten nga burgu në qytetin italian të Sardinias, pasi gjykata e këtij qyteti italian vendosi që ta linte atë të lirë deri në seancën e gjyqësore të 4 tetorit për ekstradimin e tij në Spanjë, ku po kërkohet për t’u përgjigjur rreth akuzave për kryengritje.

Puigdemont, ish-president i rajonit katalonjas të Spanjës dhe anëtar i Parlamentit Evropian, ka lëshuar burgun në Sassari, një ditë pasi të jetë arrestuar nga policia. Ai ishte ftuar në këtë qytet për të marrë pjesë në një organizim të kulturës katalonjase dhe në një takim me mbështetësit sardinianë të pavarësisë në qytetin mesdhetar.

“Spanja kurrë nuk do ta lëshojë rastin që të shfaqet qesharake. #NukkaDorëzim”, ka shkruar Puigdemont në Twitter, menjëherë pas daljes nga burgu. I rrethuar nga gazetarët para portave të burgut, ai lidhur me 24 orët e tij prapa grilave ka thënë: “Shumë mirë, pa problem. Policia dhe rojat e burgut ishin shumë profesionalë, njerëz shumë seriozë”.

Gjykatësja, e cila ka autorizuar lirimin e tij, ka thënë se Puigdemonti është i lirë që të udhëtojë pa kufizime.

Duke folur për agjencinë “Associated Press” nëpërmjet telefonit, gjykatësja Plinia Clara Azzena ka thënë se derisa e konsideron arrestimin e tij si valid, bazuar në dokumentacionet e ekzaminuara “gjykata nuk mund ta kufizojë atë në asnjë mënyrë”.

“Ai mund të udhëtojë po qe se dëshiron”, ka thënë ajo.

Azzena dhe dy gjykatës të tjerë do të mbajnë më 4 tetor një seancë të re gjyqësore për të vendosur rreth ekstradimit të tij në Spanjë.

Qeveria spanjolle ka kërkuar ekstradimin e Puigdemontit vetëm pak orë pas arrestimit të tij në Sardinia. Arrestimi është shoqëruar me emocione të përziera nga përkrahësit e tij, për shkak se mund të bllokojë tentimet e qeverisë spanjolle për bisedime me qeverinë e Katalonjës, lidhur me të ardhmen e rajonit.

Në Barcelonë, policia ka bllokuar rrugët kryesore, pasi që me qindra protestues u mblodhën para Konsullatës italiane, duke valëvitur flamujt e Katalonjës dhe duke bërtitur: “Puigdemonti është presidenti ynë”.

Ish-lideri katalonjas ka jetuar në Belgjikë që prej vitit 2017, kur Spanja e akuzoi për organizimin e referendumit të pavarësisë së rajonit, të cilin gjykatat shtetërore e kishin cilësuar si të jashtëligjshëm. Ai është zgjedhur për anëtar të Parlamentit Evropian që prej vitit 2019 dhe gëzonte imunitet nga përndjekja ligjore, porse ky imunitet i ishte revokuar disa muaj më vonë.

Puigdemont është arrestuar nga policia kufitare e Italisë, menjëherë me të mbërritur në Sardenjë nga Brukseli për të marrë pjesë në një ngjarje kulturore.

“Puigdemont duhet ta respektojë kërkesën e gjykatës, saktësisht si gjithë shtetasit tjerë”, ka thënë kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, duke folur në Madrid lidhur me kapjen.

Po qe se gjykata italiane vendos për ekstradimin e tij në Spanjë, Puidgemont mund të përballet me të njëjtën Gjykatë Supreme që më 2019 i kishte dënuar nëntë liderët e Katalonjës me burgime të gjata lidhur me rolin e tyre në tentimin për shkëputje nga Spanja.

Qeveria spanjolle në muajin qershor të vitit 2021 i fali liderët katalonas, por ka deklaruar se Puigdemont duhet të përballet me drejtësinë në Spanjë.

Puigdemont ishte arrestuar gjatë vitit 2018 edhe nga policia në Gjermani, porse asokohe e kishte shmangur ekstradimin. Belgjika ka refuzuar të gjitha kërkesat e Spanjës për ekstradim dhe gjatë javës së kaluar ai kishte udhëtuar drejt Parisit pa ndonjë vështirësi.

Paul Bekaert, avokat i Puigdemonit në Belgjikë, ka thënë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, se ai nuk është dashur të arrestohet në Itali. Sipas Gjykatës Evropiane për Drejtësi (ECJ), ai është dashur të jetë i lirë derisa gjykata ta shqyrtonte apelin kundër vendimit të Parlamentit Evropian për t’ia hequr imunitetin.

Arrestimi i tij ka ndodhur vetëm një javë pasi kryeministri spanjoll i rinisi bisedimet me qeverinë katalonjase, në të cilën partia e Puigdemonit, Junts, është pjesë e koalicionit qeverisës.