Botë

Afganistani i talebanëve: Sa të thella janë ndasitë brenda lëvizjes?

Një shkrimtar dhe gazetar, i cili ka kaluar vite të tëra duke i mbuluar zhvillimet rreth talebanëve, ka thënë se ndasitë janë rezultat i ndasive politiko-ushtarake. Ndjekësit e vijës ekstreme, sipas tij, “mendojnë se u kanë borxh gjëra për 20 vjetët me luftime”. Kjo, sipas një burimi politik të “Al-Jazeeras”, mund të nxisë shtrirjen e përplasjeve përtej korridoreve të pushtetit dhe të derdhen nëpër rrugë, ku luftëtarët talebanë kanë ndërmarrë bastisje dhe kanë rrëmbyer dhunshëm gjësendet e ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre

Kanë bërë jehonë raportet mbi ndasitë e thella midis udhëheqësve talebanë të Afganistanit, duke ngritur dyshime serioze për unitetin përbrenda lëvizjes që vetëm një muaj më herët ka marrë nën kontroll vendin.

Dyshimet publike rreth unitetit të grupit vetëm sa janë thelluar në fillim të muajit, kur mullahu Abdul Ghani Baradar, ushtruesi i detyrës i kryeministrit, dukej të ishte zhdukur nga sytë e publikut.

Pas kësaj, sipas një analize të agjencisë “Al-Jazeera”, kanë shpërthyer raportet për vrasjen e mundshme të tij. Porse kur ai u shfaq sërish në publik, paraqitja ka ndodhur me anë të një xhirimi të përgatitur më herët.

“Bardari, i cili shihej qartë se po lexonte nga njëfarë deklarate e përgatitur, tha se largimi i tij nga sytë e publikut ka ndodhur shkaku i një udhëtimi dhe se talebanët kanë dhembshuri midis vetes, pak a shumë sikurse një familje”, ka shkruar “Al-Jazeera” në analizën e saj.

Në përpjekjen e fundit për t’i zbutur dyshimet rreth vdekjes apo lëndimit të tij, Bardardi ishte fotografuar tek merr pjesë në një takim në zyrat e Kombeve të Bashkuara. Megjithëkëtë, burimet diplomatike dhe politike që kanë folur për “Al-Jazeeran” kanë thënë se mospajtimet përbrenda udhëheqjes talebane janë më se reale dhe se mosmarrëveshjet vetëm sa po rriten, duke i shkaktuar telashe edhe më të mëdha popullit afgan.

Një shkrimtar dhe gazetar, i cili ka kaluar vite të tëra duke i mbuluar zhvillimet rreth talebanëve, ka thënë se ndasitë janë rezultat i ndasive politiko-ushtarake. Ndjekësit e vijës ekstreme, sipas tij, “mendojnë se u kanë borxh gjëra për 20 vjetët me luftime”.

“Plaçkat e luftës”

Një burim politik i “Al-Jazeeras”, i cili ka pasur lidhje disadekadëshe me krerët e talebanëve, pajtohet me këtë qëndrim. Ai ka thënë për agjencinë se efektet e kësaj përplasjeje shtrihen përtej korridoreve të pushtetit dhe derdhen nëpër rrugë, ku luftëtarët talebanë kanë ndërmarrë bastisje dhe kanë rrëmbyer dhunshëm gjësendet e ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre.

“Hë për hë, krejt për çfarë ata brengosen është se si t’ua marrin njerëzve veturat dhe shtëpitë”, ka thënë burimi i “AJ”-së.

Familjarët e ish-zyrtarëve afganë kanë thënë për agjencinë se luftëtarët talebanë janë përpjekur që t’ua marrin gjërat, përfshirë shtëpitë që i kishin marrë me qira dhe veturat e tyre private.

Kjo, sipas tyre, ka ndodhur megjithëse zëvendësministri për Informim dhe Kulturë, Zabihullah Mujahid, është zotuar për të kundërtën, vetëm dy ditë pasi që talebanët e morën kontrollin mbi vendin.

“U kemi dhënë udhëzime të gjithëve që të mos hyjnë nëpër shtëpitë e njerëzve, pa marrë parasysh nëse ata janë civilë apo zyrtarë ushtarakë”, kishte thënë ai.

Në po të njëjtën paraqitje publike të 17 gushtit, Mujahidi vazhdoi tutje: “Ekzistojnë dallime të mëdha midis nesh dhe Qeverisë së mëhershme”.

Pavarësisht kësaj, për ata që janë të familjarizuar me situatën, udhëheqja aktuale talebane ballafaqohet me pak a shumë të njëjtat ndasi sikurse qeveria e ish-presidentit Ashraf Ghani, i cili ka ikur nga vendi një ditë para se talebanët ta merrnin Kabulin.

Burime të “Al-Jazeeras” kanë bërë të ditur se ngjashëm sikurse me qeveritë e mëparshme afgane, ndasitë mes talebanëve shtrihen në vijat e personales. Por, për dallim nga administratat e mëhershme, talebanët “nuk vuajnë vetëm nga pjesëtarët tejet ambiciozë apo qëndrimet përplasëse politike, porse ndasia është shumë më fondamentale”.

Burimet kanë specifikuar se talebanët aktualisht përbëhen prej luftëtarëve që ende janë në pritje të plaçkave të luftës, të cilët vihen kundruall politikanëve që duan të zbusin frikën mes popullit afgan dhe komunitetit ndërkombëtar.

Njohja diplomatike

Disa shtete veçse e kanë shprehur publikisht vullnetin për ta pranuar qeverinë e udhëhequr nga talebanët në Afganistan, teksa pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurisë të OKB-së të mërkurën u kërkuan talebanëve që të jenë më gjithëpërfshirës.

Afganistani është duke u ballafaquar me krizë teksa vendi është shkëputur nga organizatat ndërkombëtare financiare, përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë ngrirë më shumë se 9 miliardë dollarë fonde pas rënies së vendit në duart e talebanëve.

Gazetari i intervistuar nga “Al-Jazeera”, i cili ka kërkuar që të mos identifikohet shkaku i shqetësimeve për sigurinë, ka thënë se liderët si Muhammad Yaqoob, ministri aktual i Mbrojtjes dhe i biri i themeluesit të grupit Muhammad Omar, është njëri prej figurave që e përfaqësojnë linjën ekstreme dhe fraksionin taleban të përqendruar në ushtri.

Të tjetër, si Baradari dhe sheh Muhammad Abbas Stanikzai, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, paraqesin krahun e mendësisë më politike që synon të krijojë një shtet më gjithëpërfshirës.

“Al-Jazeera” analizon se një tjetër spektër i përplasjes së dy fraksioneve është roli i fqinjëve rajonalë – Pakistani dhe Irani – të cilët prej kohësh janë akuzuar për mbështetjen e talebanëve gjatë rebelimit të tyre të armatosur 20-vjeçar.

Fraksioni ekstrem

Shumë liderë të fraksionit më ekstrem, të cilët ishin arrestuar nga Pakistani, janë dyshues kundruall Islamabadit. Disa prej tyre kanë anuar kësisoj drejt përkrahjes për Iranin.

“Dyshimet e Pakistanit janë ngritur kur shefi i agjencisë pakistaneze të spiunazhit (ISI) e vizitoi Kabulin pak para shpalljes së kabinetit”, ka shkruar “Al-Jazeera”.

Gazetari ka thënë për agjencinë se gjenerali Faiz Hameed ka bërë thirrje për qeveri më gjithëpërfshirëse, e cila do t’u bënte vend myslimanëve shiitë dhe grave, por këtë gjë përkrahësit e ekstreme, veçse dyshues karshi Islamabadit, e kanë hedhur poshtë.

Kur kryeministri pakistanez, Imran Khan, bëri gjithashtu thirrje për qeveri gjithëpërfshirës, njëri prej liderëve talebanë, Mohammad Mobeen, doli para televizionit kombëtar për ta kritikuar Khanin, duke thënë se grupi “nuk ia jep askujt” të drejtën për të bërë thirrje për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe se Afganistani i rezervon “të drejtat për ta pasur një sistem të vetin”.

Për javë të tëra, talebanët kanë mbajtur takime me zyrtarët e mëhershëm, si ish-presidenti Hamid Karzai, ish-shefi ekzekutiv Abdullah Abdullah dhe Gul Agha Sherzai, i cili kishte shërbyer si kryebashkiak në krahinat Nangarhar dhe Kandahar.

Asokohe, shumë afganë supozonin se këto figura do të përfshiheshin në qeverinë e premtuar gjithëpërfshirëse. Megjithëkëtë, një ish-diplomat ka thënë për agjencinë se ndjekësit e linjës së sertë përbrenda grupit qysh nga fillimi kanë thënë se çdokush që e ka kaluar “qoftë edhe një ditë të vetme” në administratat e mëhershme nuk do të zërë vend në qeverinë e re talebane.

Pushteti i përnjëmendtë

Të martën, grupi ka shpalosur pjesëtarët shtesë të Kabinetit, kryesisht zëvendësministrat, por u sigurua që të specifikojë se emërimet e reja synonin adresimin e çështjeve të diversitetit dhe kualifikimeve brenda administratës.

Mes të përzgjedhurve “Al-Jazeera” numëron figurat nga Panjshiri dhe Baghlani. Panjshir është vatër e Frontit Kombëtar të Rezistencës, e cila ka lansuar një iniciativë të vetën në përpjekjen për ta shmangur marrjen e të gjithë vendit nga talebanët. Baghlani shihet njashtu si një bazë e rezistencës në disa distrikte.

Talebanët ishin të kujdesshëm që të theksonin se tri postet e reja do t’u jepeshin banorëve të Panjshirit, Banghlanit dhe Sar-e Polit, krahina këto me popullata kryesisht taxhike dhe uzbeke.

“Ndonëse grupi u ka bërë vend taxhikëve, uzbekëve dhe tyrkmenëve, përbrenda qeverisë nuk ka ende shiitë, hazara apo përfaqësues të ndonjë grupi tjetër pakicë”, ka shkruar “Al-Jazeera”.

Pushteti i përnjëmendtë, kanë thënë burimet e agjencisë, është përqendruar te një “shura” (trup këshillues) sekrete në Kandahar, ku grupi pretendon se është i vendosur shefi i tyre aktual, Hibutallah Akhunzada. Ky qark konsiderohet si ai që përnjëmend i merr vendimet në Afganistan.

“Qeveria nuk e ka pushtetin”, ka thënë gazetari që foli për “Al-Jazeeran”.

Burimet diplomatike dhe politike të agjencisë kanë thënë ekziston një drojë se përplasjet rajonale dhe personale mes radhëve të talebanëve do të shpijnë drejt luftimeve apo përleshjeve në kryeqytet e krahina të tjera.

“Betejat për ulëse politike janë një gjë, por kur ushtarët e tyre t’i nisin luftimet bazuar në mospajtimet e tyre të kahershme, askund më nuk do të jetë e sigurt”, ka thënë gazetari.