Botë

11 burra në Maroko dënohen me 20 vjet burgim për kidnapim e përdhunim të një 17-vjeçareje

Një gjykatë në Maroko ka dënuar me 20 vjet burgim 11 burra, që janë shpallur fajtorë për kidnapim dhe përdhunim brutal të një vajze 17-vjeçare në vitin 2018, ka njoftuar prokurori, raporton BBC.

Vajza – e njohur si Khadija – ka treguar publikisht për sulmin, duke shfaqur plagët, djegiet dhe tatuazhet që thotë se ia kanë bërë sulmuesit e saj.

Në një intervistë në vitin 2018, ajo ka thënë se nuk do t’i falë kurrë sulmuesit.

Rasti ka shkaktuar zemërim në Maroko dhe nisi kampanja #DrejtësiPërKhadijan.

Avokati i Khadijas i ka thënë agjencisë AFP se do të apelojnë vendimin.

Ibrahim Hachane ka thënë se vendimet që janë dhënë nuk janë të rënda, pasi dënimi për trafikim është deri në 30 vjet burgim.

Hachane i ka thënë AFP-së se sulmuesit janë obliguar të paguajnë 16 mijë dollarë.