Botë

Besimi në Qeveri e vaksina: Si i eliminuan masat anti-COVID tri vende të BE-së

Danimarka, Suedia dhe Holanda janë duke i shfuqizuar praktikisht të gjitha masat për luftimin e pandemisë. Në të tri këto shtete, shkalla e vaksinimit është relativisht e lartë, njëjtë siç është edhe besimi në Qeveri. Ato tani shpresojnë që liria më e madhe do të gjenerojë shkallë edhe më të lartë të vaksinimit kundër COVID-19

Në disa prej shteteve të Evropës, kthimi në të moçmen apo në jetën para shpërthimit të pandemisë së COVID-19 tanimë nuk është vetëm një ëndërr.

Qytetarët e vaksinuar në Holandë, duke nisur nga e shtuna do të mund të vallëzojnë në klubet e stërmbushura të natës, pa pasur nevojë që të mbajnë distancën prej njëri-tjetrit. Në vend të kësaj, shkruan agjencia gjermane e lajmeve Deutsche Welle, ata do të duhet vetëm që të tregojnë si dëshmi dokumentacionet e vaksinimit kundër koronavirusit.

Në anën tjetër, DW-ja kujton se Danimarka qysh nga java e shkuar i ka shfuqizuar të gjitha ndalesat anti-COVID dhe kësisoj është bërë vendi i parë i Bashkimit Evropian që i është rikthyer “normalitetit.

“Për vajtje në koncerte apo në palestra sportive aty nuk janë të domosdoshme as maskat dhe as dëshmitë për vaksinim. Kah fundi i gushtit, ministri danez i Shëndetësisë ka thënë se COVID-19 më nuk konsiderohet ‘sëmundje kritike për shoqërinë’”, ka shkruar Deutsche Welle.

Agjencia ka raportuar se këtyre dy vendeve u bashkohet edhe Suedia, e cila edhe gjatë gjithë pandemisë ka pasur masat më të buta për kontrollimin e sëmundjes. Në fund të shtatorit vendi pritet që t’i shfuqizojë edhe kufizimet për tubime publike dhe private, sikurse edhe udhëzimin për punë nga shtëpia.

Megjithëkëtë, kujton DW, personat që udhëtojnë në këto tri shtete edhe më tutje do të duhet që të ofrojnë dëshmi të testeve negative për koronavirus ashtu që të shmangin karantinimin, po qe se nuk janë të vaksinuar.

Shkallë solide vaksinimi

Sipas bazës së të dhënave të “Our World in Data” të Universitetit të Oxfordit, Danimarka ka imunizuar me të dyja dozat e nevojshme të vaksinave tri të katërtat e gjithë popullatës së saj. Nga mesi i vendeve më të mëdha të BE-së, para saj në përqindjen e vaksinimit qëndrojnë vetëm Portugalia dhe Spanja. Në Holandë dhe Suedi të vaksinuar janë rreth 63 për qind e të gjithë qytetarëve.

“Nga mesi i qytetarëve dhe pacientëve më të cenuar, tanimë janë vaksinuar më shumë se nëntë nga çdo dhjetë syresh”, ka thënë Alan Randrup Tomsen, virolog nga Universiteti në Kopenhagë, i cili ka folur për Deutsche Wellen.

Në Holandë, ministri i Shëndetësisë Hugo de Jong është shprehur i bindur se kthimi i lirive të mëhershme – nën kushtin e vaksinimit – do t’i motivojë përherë e më shumë qytetarë që të vaksinohen.

DW-ja kujton se veprim të ngjashëm në Gjermani ka kërkuar edhe kryetari i Shoqatës së Mjekëve të praktikës së përgjithshme, Andreas Gasen.

Ai u ka bërë thirrje autoriteteve që ta shpallin 30 tetorin “Ditën e Lirisë”, kur do të shfuqizohen të gjitha masat.

“Vë bast se pas kësaj, në fund të tetorit do ta kalojmë shkallën e vaksinimit prej 70 për qind, ngase shumë njerëz do të nxitojnë për ta pranuar këtë ofertë (heqjen e masave), ka theksuar Gasen për Deutsche Welle. Mirëpo agjencia spikat se fjalët e tij nuk kanë nxitur entuziazëm të madh.

Të dhënat e Qendrës Evropiane për Kontrollimin e Sëmundjeve Ngjitëse kanë treguar se varianti Delta i koronavirusit po qarkullon hovshëm, sidomos në vendet ku shkalla e vaksinimit është e ulët, por rikujton se jo vetëm në ato. Në Austri dhe Norvegji numri i të infektuarve po rritet, me gjithë përqindjet e ngjashme të vaksinimit sikurse në vende që tanimë po i shfuqizojnë masat, shkruan DW-ja.

Besimi është çelësi

Danimarka qysh kah fundi i majit ka prezantuar pasaportat e saja të COVID-19 në formë aplikacionesh apo të QR kodeve të printuara. Në vende të tjera, planet e tilla të autoriteteve kanë nxitur protesta masive, si në Francë, Itali dhe Greqi.

Ekspertët kanë konstatuar se në Suedi, Danimarkë dhe Holandë ekziston shkallë e lartë e besimit në Qeveri dhe se pikërisht kjo gjë po e bën dallimin.

“Kemi pasur një program të gjerë testimi, i cili na ka mundësuar që ta përcjellim gjendjen në nivel lokal, andaj kemi zbatuar izolime lokale që kanë qenë tejet efikase”, ka thënë Kamila Holter Moler, epidemiologe e Institutit shtetëror për Serume në Kopenhagë, duke folur për Deutsche Wellen. “Këtë gjë kemi mundur ta arrijmë thjesht, ngase danezët historikisht kanë besim të madh në autoritetet shëndetësore dhe në programet e vaksinimit”.

Ky vend tani është duke e vëzhguar numrin e të spitalizuarve, e jo numrin e të infektuarve të rinj. Kjo ngase të vaksinuarit, kur të infektohen me koronavirus, rëndom shfaqin simptoma të buta të sëmundjes apo janë asimptomatikë.

Megjithëkëtë, DW-ja shkruan se shfuqizimi i të gjitha masave është një hap që shumica e vendeve të Evropës ende nuk e kanë guximin që ta hedhin.

I pyetur nga agjencia nëse me heqjen e masave imponohet sërish rrezik dhe mundësi për izolime të reja, Holten Moler ka thënë: “Nuk besoj se Danimarka do të zbatojë përsëri masa kombëtare të izolimit”.