Botë

FDA-ja ia refuzon Pfizerit kërkesën për dozë shtesë të vaksinës

Descriptive Text

Këshilltarët për vaksina në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) kanë refuzuar kërkesën e Pfizerit që të shtojë dozën e tretë të vaksinës së saj kundër COVID-19, tek ata që kanë marë dy dozat.

Anëtarët e FDA-së dhe Komitetit Këshillues të Produkteve Biologjike kanë refuzuar aplikimin e Pfizerit me 16 vota kundër dhe 2 për.

“Nuk mendoj se doza e tretë do të kishte kontribuar në masë të konsiderueshme në kontrollimin e pandemisë”, ka deklaruar doktori Cody Meissner, profesor i Pediatrisë.

“Është shumë e rëndësishme që mesazhi kryesor që do të përçojmë është se secili duhet të marrë dy doza. Doza shtesë nuk mendohet se mund të bëjë diferencën në aspektin e pandemisë”, ka vazhduar Meissner.

Që nga pranvera, Pfizeri ka trumbetuar vlerën e një doze shtesë pas një kursi me dy doza të vaksinës së saj COVID-19.

Sipas studimit ku ishin përfshirë 306 të rritur të cilët kishin marrë dozën e tretë, 5-8 muaj pasi kishin marrë dozën e dytë, nivelet e antitrupave të tyre ishin rritur më shumë se trefish, krahasuar me periudhën e pas dy dozave, kishte pretenduar Pfizeri nga fundi i muajit gusht.