Botë

Në mesin e afganëve të strehuar në Shqipëri, edhe një gazetare e njohur

Prej më shumë se një jave kanë mbërritur në Shqipëri 644 shtetas afganë. Ata janë akomoduar në Qytetin Studenti, për t’u transferuar në ditët në vijim në struktura hoteliere në bregdet. Në mesin e 37 afganëve të ardhur mëngjesin e së enjtes në Tiranë ka qenë edhe gazetarja e njohur afgane Behishta Arghand.

Një fondacion i fuqishëm me shumë reputacion në SHBA i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama strehimin e saj në Shqipëri. Ardhja e gazetares afgane është koordinuar nën kujdesin personal të kryeministrit Edi Rama, ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, dhe bashkëpunëtorëve në Shqipëri të fondacionit amerikan. Deri në momentin e procesimit të vizës amerikane gazetarja Arghard do të qëndrojë në Tiranë.

Ditën kur ra Kabuli, Arghand u bë e para gazetare femër të intervistonte në studio njërin prej përfaqësuesve të talebanëve. Kjo intervistë e prezantueses së Tolo TV u kthye në lajm në të gjithë mediat botërore pasi asnjëherë talebanët nuk pranonin të intervistoheshin nga një femër.

Në një intervistë për mediat gjermane nga Katari ajo tha që u largua për motive sigurie.

“Më pak se 100 gra e vajza nga 700 gazetare femra në Afganistan vijojnë të punojnë në media, por dalëngadalë çdo ditë po zhduken nga ekranet e televizioneve”, deklaroi Arghard.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të enjten në mbrëmje se qytetarët afganë të strehuar në Shqipëri mund të qëndrojnë gjatë. Sipas tij, evakuimi i tyre dhe strehimi në Shqipëri e më pas nisja e tyre drejt SHBA-së është një proces që nuk mund të përfundojë brenda 2-3 muajve. Kreu i Qeverisë shqiptare u shpreh se qëndrimi i tyre në Shqipëri ka shpenzime të mëdha, por këto shpenzime nuk i mbulon Qeveria shqiptare. Rama tha se të gjitha shpenzimet e qëndrimit në Shqipëri do t’i mbulojnë SHBA-ja dhe entitetet amerikane që kanë ofruar ndihmën e tyre për evakuimin e afganëve.