Botë

Maqedoni e Veriut, fillon viti i ri shkollor me prezencë fizike

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar viti i ri shkollor 2021/22 me prezencë fizike dhe me masa për mbrojtje kundër pandemisë së koronavirusit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar protokolle për mbrojtje ndërsa ministrja Milla Carovska vizitoi Shkollën së Mesme “Nikolla Karev” në Shkup, ku nxënësve u uroi mbarëvajtje të vitit shkollor.

“Vlerësoj se të gatshëm e presim fillimin e vitit shkollor me prezencë fizike. Por, në fund do të doja të theksoj se është shumë e rëndësishme që çdo individ që në momentin është në ndonjë lidhje me sistemin arsimor, të jetë i përgjegjshëm. Një papërgjegjësi e vogël mund të çojë deri në atë që shkolla të caktuara të ndryshojnë modelin e funksionimit”, tha Carovksa.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e respektimit të protokolleve në mënyrë që procesi i mësimdhënies të vazhdojë të zhvillohet me prezencë fizike.

“Në interesin më të lartë të të gjithë nxënësve, dhe me këtë, në interes më të lartë të ardhmërisë së vendit, është që nxënësit të jenë fizikisht prezent dhe t’i respektojnë protokollet. Nëse të gjithë i respektojmë protokollet, kujdesemi për shëndetin tonë dhe shëndetin e më të afërmve tanë, atëherë me të vërtetë kemi mundësi mësimdhënien ta zhvillojmë me prezencë fizike dhe gjatë kësaj, të mbrojmë edhe shëndetin publik”, shtoi ajo. /Atsh