Botë

“Ma vranë shokun, ishim gazetarë që po arratiseshim nga Kabuli”

Zakarya Hassani ia doli të largohej nga Kabuli drejt Parisit pas marrjes së kontrollit të Afganistanit nga talebanët. Disa javë më vonë, ai pa në ankth se si miku i tij më i ngushtë, Alireza Ahmadi, vdiq derisa po mundohej ta bënte të njëjtën gjë. Rrëfimin e tyre e sjell televizioni “Al-Jazeera”

Të enjten, më 26 gusht - më pak se dy javë pasi talebanët rimorën kontrollin e Afganistanit – bombat shpërthyen pranë aeroportit, ku mijëra afganë ishin grumbulluar, duke u përpjekur të largoheshin nga vendi nga frika e një rikthimi në sundimin brutal të grupit të viteve 1990. Më shumë se 170 njerëz u vranë dhe të paktën 200 u plagosën. Gazetari Alireza Ahmadi, 35 vjeç, ishte në mesin e tyre. Kjo është historia e tij rrëfyer për Al-Jazeeran nga miku i tij i ngushtë, gazetari Zakarya Hassani.

Hera e fundit që fola me Alirezan ishte nata e 25 gushtit - një natë para shpërthimeve vdekjeprurëse para Aeroportit Ndërkombëtar, “Hamid Karzai”, ku shoku im më i mirë do të përjetonte momentet e tij të fundit në këtë botë.

Unë u ula në dhomën time të hotelit në Paris - ku ndodhem qëkur kam ikur nga Afganistani pas marrjes së kontrollit nga talebanët - ndërsa Alireza ishte në një dhomë të vogël me qira në një konvikt privat meshkujsh në Kabulin Perëndimor, rrëfen Hassani për Al-Jazeeran.

Shumica e familjes së tij ishte në Herat, kështu që ai jetonte i vetëm. Ai sapo ishte fejuar tre muaj më parë dhe ishte gati të fillonte një kapitull të ri të jetës së tij.

Sa larg, aq afër

Edhe pse ishim botëra larg, përsëri ndiheshim sikur të ishim bashkë, duke biseduar personalisht.

Bisedat tona nuk kishin qenë kurrë të lehta, edhe kur isha në Kabul. Të qenët gazetar afgan ka sfidat e veta, por ne patëm luftën e shtuar për të qenë nga komuniteti i persekutuar hazara. Jeta jonë si individë të hapur ishte vazhdimisht nën kërcënim, por miqësia dhe mbështetja jonë e ndërsjellë na ndihmoi në disa periudha të vështira.

Ne u përpoqëm më së miri për ta mbajtur njëri-tjetrin optimist mes kërcënimeve terroriste, rreziqeve të përditshme, me të cilat përballeshim duke bërë punët tona, pasi mbulonim shpërthimet e bombave dhe ekspozonim zyrtarë të korruptuar. Ne ndamë shqetësimet tona mbi atë që e ardhmja mund të na sjellë. Gjithmonë dukej sikur po jetonim sot për nesër, duke vrapuar kundër kohës, pa ndonjë siguri për atë që do të ndodhte më pas, kujton Hassani për Al-Jazeeran.

Alireza ishte një gazetar afgan i përkushtuar - vetëmohues, punëtor, i talentuar dhe i motivuar për t’i fuqizuar zërat afganë, veçanërisht ata të komunitetit hazara.

I rritur si refugjat në Iran, ai pati vështirësi dhe u përball me një jetë duke u diskriminuar vazhdueshëm si pakicë. Ai e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë në Teheran, ku mbaroi shkollën.

Kthimi në vendlindje

Pasi regjimi taleban u rrëzua në muajt pas pushtimit amerikan më 2001, Alireza dhe familja e tij u zhvendosën në Afganistan për të filluar një jetë të re. Ata u vendosën në qytetin e Heratit.

Alireza u transferua në kryeqytet disa vjet më vonë për të studiuar gazetarinë në Universitetin e Kabulit dhe diplomoi më 2010.

Ai i kaloi dhjetë vjetët e fundit duke mbuluar lajme në të gjithë Afganistanin për shumë media lokale, përfshirë Rahapress, agjencinë e lajmeve Sadaye Afgane, dhe gazetën e përditshme Rahe Madanyat. Kohët e fundit ishte reporter hulumtues i gazetës së mbështetur nga qeveria, Afghanistan Ma. Ai mbuloi lajmet e fundit dhe bëri raportime të thella mbi tema që shkonin nga politika deri në ekonomi, shkruan Hassani në Al-Jazeera.

Ne u takuam në Kabul kur të dy po raportonim për fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Afganistan më 2014, unë atëherë isha gazetar i ri 23-vjeçar.

“Ai nuk donte të heshtte”

Alireza ishte një reporter, shkrimtar dhe fotograf brilant. Por, si shumë gazetarë afganë, u përball me rrezikun për shkak të raportimit të tij, sepse iu referua talebanëve si "terroristë" në raportet e tij. Ne shpesh ndanim histori për kërcënimet që morëm dhe këshillonim njëri-tjetrin për sigurinë.

Alireza gjithmonë më frymëzonte me idetë e tij dhe mënyrën se si shprehte pikëpamjet e tij. Ai ishte një person që përpiqej vazhdimisht për liri, demokraci dhe barazi. Ai donte të shihej dhe të mos heshtte. Ai ishte një nga individët më sypatrembur që kam njohur ndonjëherë, e përshkruan Hassani mikun e ndjerë, Alireza.

Biseda jonë e fundit nuk ishte asgjë e zakonshme. Ai shprehu shqetësimin për nivelet e tij të larta të stresit dhe ndjenjat e depresionit; ai më tha se nuk mund të flinte. E këto halle i kisha ndier në lëkurën time edhe unë.

Për muaj dhe vite që çuan deri në kontrollin e talebanëve dhe arratisjen time përfundimtare nga Afganistani, edhe unë përjetova stres, trishtim dobësues dhe pagjumësi.

Gjatë bisedave tona telefonike, ne u përpoqëm shumë për të kuptuar se si ta nxirrnim atë nga Afganistani sa më shpejt të ishte e mundur.

I vetëm

Image

Alireza nuk kishte punuar për asnjë media të huaj, prandaj ai nuk mund të merrte asnjë mbështetje për të marrë një vizë dhe as nuk ishte përfshirë në ndonjë listë evakuimi.

Ai e dinte që ishte vetëm.

Kështu, vendosi të shkonte në aeroport për të provuar fatin. Ai dhe vëllai i tij më i vogël, Mojtaba, kishin dëgjuar se njerëzit pa dokumentacion kishin arritur. Mojtaba, 30 vjeç, kishte provuar tashmë një herë, por pa sukses.

Më 25 gusht, ne biseduam deri në orët e para të mëngjesit, duke menduar se do të vazhdonim diskutimin tonë të nesërmen, shkruan Hassani në Al-Jazeera.

Ishte biseda jonë e fundit. Uroj që ta kthej orën mbrapa dhe të dëgjoj zërin e tij edhe një herë!

Me përfundimin e telefonatës, do të doja të isha ende me të.

Por, që kur talebanët filluan të fitojnë përparime ushtarake katër muaj më parë, e dija se duhej të largohesha nga Afganistani. Si baba i ri i një fëmije një vjeç, nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të gjeja një mënyrë për ta çuar familjen në një vend të sigurt.

Kur SHBA-ja dhe aleatët e saj filluan të largoheshin, të gjithë u çuditën paksa se sa shpejt talebanët filluan të përparojnë. Dhe kur Ashraf Ghani iku nga Kabuli dhe ua dorëzoi pushtetin talebanëve, unë u hutova përnjëmend!

Fati im i bardhë

Unë e kisha ditur gjithmonë se do të kishte një kërcënim të afërt për jetën time nëse talebanët do ta merrnin kontrollin.

Në vitin 2015, unë isha pjesë e ekipi 1TV që mbuloi ekskluzivisht betejën e qytetit Kunduz në veri. Talebanët lëshuan zyrtarisht një deklaratë duke deklaruar ekipin tonë të raportimit ‘objektiv ushtarak’. Por unë kurrë nuk pushova së raportuari për mizoritë e tyre. Si gazetarë, është rrënjosur thellë në ne që të vazhdojmë të raportojmë të vërtetën me gjithë rrezikun.

Për fatin tim të mirë, unë kam qenë korrespondent persian për organizatën mediatike franceze, Radio France Internationale, gjatë tre vjetëve të fundit. Ditën kur talebanët morën Kabulin, ata na i siguruan vizat në Francë. Unë u largova nga Kabuli me gruan dhe vajzën time në një aeroplan ushtarak francez për në Paris, duke mbërritur më 19 gusht.

Fillova të marr mesazhe nga gazetarët e tjerë që kërkonin ndihmë për të shpëtuar. Ndërsa, disa prej nesh filluan të largoheshin, shumë të tjerë filluan të paketojnë disa sende, të dëshpëruar për të gjetur një rrugëdalje, duke mos ditur se cila duhet të jetë lëvizja e tyre e ardhshme.

Ndihej si një reaksion zinxhir.

Një gjë që të gjithë e dinim ishte se Afganistani nuk do të ishte i njëjtë nën këtë qeveri të re.

“Nuk mund të merrja frymë”

Kur dëgjova për herë të parë lajmin për shpërthimet, desh luajta mendsh dhe më kapi paniku.

Para sulmit, kisha dëgjuar se kishte pasur shumë kaos me mijëra njerëz - me dhe pa dokumente - që rrinin në radhë përgjatë perimetrit të aeroportit në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar.

Ndihem i shqetësuar duke menduar se si gjithçka u shemb brenda pak sekondash.

Unë kam shumë anëtarë të familjes dhe miq që janë ende në Kabul, dhe ishte sfiduese ta merrja vesh se ku ishin të gjithë dhe nëse të gjithë ishin të sigurt.

Rreth mesditës së 27 gushtit, mora telefonatën që do të doja të mos e kisha marrë kurrë.

Një nga miqtë tanë të përbashkët na telefonoi për të thënë se Alireza dhe Mojtaba ishin nisur për në aeroport një ditë më parë dhe askush nuk kishte informacion prej tyre që nga shpërthimet.

Kam frikë se asnjë lajm mund të mos jetë lajm i mirë, kujton për Al-Jazeeran Hassani.

U ndjeva i mpirë nga tronditja. Unë nuk mund të merrja frymë.

Menjëherë pas telefonatës, u kërkova disa prej miqve tanë gazetarë të përbashkët në një grup në Facebook që të kërkonin Alirezën në spitalet aty pranë ku ishin dërguar të plagosurit.

Dhe fillova të lutem, nga dëshpërimi... Unë u luta me zemër që disi dikush të telefononte dhe të thoshte se ai kurrë nuk kishte shkuar atje dhe se është gjallë.

Më duhej të shpërqendrohesha, kështu që kalova një kohë duke u marrë me temat tona të fundit të bisedës dhe postimet e tij të fundit në mediat sociale.

Lajmi i zi

Një ditë para se të kalonte (25 gusht, 5:48 e mëngjesit), ai shkroi se kishte shitur 60 nga librat e tij për 50 afganë (më pak se 1 dollarë). Kur një mik e pyeti pse e bëri këtë, ai u përgjigj: "Sepse më duhet të emigroj".

Pas katër orësh kërkimi intensiv me kushëririn e tij, miqtë tanë e gjetën trupin e tij në spitalin Jamhuriat. Ai mezi njihej, por kushëriri i tij identifikoi fytyrën e tij.

Ata, gjithashtu, gjetën tazkira (kartë identiteti afgane) në xhepin e tij.

Mojtaba ende konsiderohet i zhdukur.

Kur dëgjova lajmin e vdekjes së Alirezës, u trondita dhe nuk mund ta ndaloja veten dhe nisa të qaja në mënyrë të pakontrolluar.

Një milion mendime më përshkuan në kokë, duke pyetur se si duhet të kenë qenë momentet e tij të fundit, sa dhimbje duhej të duronte.

Disa çaste nga shtatë vjetët e miqësisë sonë të thellë dhe të sinqertë më dolën para syve.

Alireza shpesh shqetësohej për sulmet terroriste dhe se mund të bëhej viktimë e njërit prej tyre. Ai kishte thënë troç në të kaluarën se më parë do të preferonte të vdiste shpejt në një shpërthim sesa të torturohej, por unë kisha shpresuar se ai nuk do të vritej fare.

Ai ishte një nga më shumë se 170 njerëz të vrarë. Shumë të tjerë u plagosën dhe disa janë ende të zhdukur që nga sulmi vdekjeprurës për të cilin ISKP-ja ka marrë përgjegjësinë.

Tronditet komuniteti i gazetarëve

Vdekja e tij tragjike dhe e parakohshme ka qenë veçanërisht tronditëse për komunitetin e gazetarëve afganë.

Si gazetarë, është detyra jonë të zbulojmë të vërtetën - dhe si gazetarë afganë, ne kemi ekspozuar korrupsionin, terrorizmin dhe të gjitha gabimet që kanë kontribuar në gjendjen, në të cilën ndodhet vendi sot. Dhe për këtë, na është dashur të paguajmë, ndonjëherë me gjakun tonë.

Disa nga kolegët tanë gazetarë ishin vrarë tashmë në vitet e mëhershme. Në pesë vjetët e fundit, 27 gazetarë afganë lokalë janë vrarë në Afganistan, në vrasje të shënjestruara ose në luftime.

Gazetarët në të gjithë vendin po shënjestrohen, rrihen, vriten dhe anëtarët e familjeve të tyre persekutohen. Ata që mbeten në vend i pret një e ardhme e errët. Nuk do të ketë më fjalë të lirë për gazetarët afganë.

Por njerëzit tanë mbështesin punën që bëjmë.

Ka pasur postime të panumërta në Twitter dhe Facebook ditët e fundit, duke pranuar kontributin e Alirezës në gazetarinë në Afganistan.

Ai ishte i njohur për përulësinë, ndershmërinë dhe përkushtimin e tij. Ai ishte shumë i dashur nga familja, miqtë dhe kolegët e tij.

Dhe kështu, ndërsa ndiej dhimbje të jashtëzakonshme për humbjen e miqësisë sonë, e di që ka boshllëqe të shumta në jetën e shumëkujt tani, teksa të gjithë përballemi me humbjen e Alirezës sonë të dashur.

Ai ishte dhe do të jetë gjithmonë një nga miqtë e mi më të mirë dhe më shumë se kaq, vëllai im. Unë do ta mbaj kujtimin e tij në zemrën time, përgjithmonë, kujton Hassani mikun e ndjerë në rrëfimin e gjatë për Al-Jazeeran.

Ndërsa e shkruaj këtë, nuk mund t'i ndal lotët që më rrjedhin në fytyrë. Çdo pëllëmbë e trupit tim ndien dhimbjen e humbjes së tij, por unë do të përpiqem të gjej ngushëllim duke ditur se kam krijuar një miqësi të veçantë me një individ të veçantë.

Unë do të kujtoj ndërveprimet tona, kujtimet tona. Dhe, mbi të gjitha, do të kujtoj fytyrën e tij të gëzuar dhe buzëqeshjen e tij të ndritshme. Me gjithë vuajtjet e tij, ai gjithmonë ishte pozitiv. Vdekja e tij është një humbje jo vetëm për ata që e njihnin, por edhe për ata që do të mësojnë për të tani që ai nuk është më.

Rrëfim në vetën e parë i gazetarit afgan, Zakarya Hassani