Botë

Bideni i përgjigjet Shtetit Islamik: Do të paguani për sulmet në Kabul

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar përgjegjësit për sulmet në aeroportin e Kabulit të enjten, në të cilat mbetën të vrarë të paktën 60 persona, në mesin e të cilëve 12 ushtarë amerikanë.

“Për ata që kanë kryer këto sulme, dijeni këtë: Ne nuk harrojmë. Ne nuk do të harrojmë. Do të ju ndjekim e do të ju detyrojmë të paguani. Do të mbroj interesat tonë dhe të popullit tonë me çdo masë që mundem”, ka thënë ai në konferencën për media në Shtëpinë e Bardhë. “Do të përgjigjemi me forcë e saktësi, në një kohë e vend që ne e zgjedhim”.

Të paktën e 15 ushtarë tjerë amerikanë janë plagosur nga sulmet për të cilat përgjegjësinë e ka marrë Shteti Islamik.

Sulmet ndodhën në hyrjen e aeroportit afër së cilës ishin trupat amerikanë që koordinonin evakuimin e afganëve, që po ikin nga talebanët.

Në fund, Biden ka thënë se do të çojë forca shtesë në Afganistan nëse kjo i nevojitet ushtrisë amerikane.