Botë

Evropa në ankth pas tërheqjes së madhe të SHBA-së

“Ky zhgënjim nuk përbënte thelbin e adresimit të Bidenit”, shkruan televizioni amerikan CNN në një analizë ndikimit të zhvillimeve të fundit në Afganistan në raportet ndërmjet shteteve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që në fakt përbënin boshtin e koalicionin ndërkombëtar ushtarak në Afganistan. Dhe CNN-ja më tej vlerëson se tërheqja e përnjëhershme e SHBA-së me Bidenin në krye tregoi se presidenti “po i lante duart prej një problemi botëror”, sikurse tashmë është kthyer Afganistani në duar të militantëve islamikë talebanë

Kur presidenti amerikan, Joe Biden, theu heshtjen e tij derisa Afganistani po zhytej në kaos të madh, u llahtarisën aleatët evropianë, të cilët prisnin një fazë të re të marrëdhënieve transatlantike me ardhjen e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Ky zhgënjim nuk përbënte thelbin e adresimit të Bidenit”, shkruan televizioni amerikan, CNN në një analizë rreth ndikimit të zhvillimeve të fundit në Afganistan në raportet ndërmjet shteteve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që në fakt përbënin boshtin e koalicionin ndërkombëtar ushtarak në Afganistan. Dhe CNN-ja më tej vlerëson se tërheqja e përnjëhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Bidenin në krye tregoi se presidenti “po i lante duart prej një problemi botëror”, sikurse tashmë është kthyer Afganistani në duar të militantëve islamikë talebanë.

Tërheqja e “Kthimit të Amerikës”

“Vendimi i njëanshëm për tërheqje dukej disi kundërthënës, duke pasur parasysh sloganin e fitores së Bidenit drejt Shtëpisë së Bardhë, ‘Kthimi i Amerikës’”, shkruhet në analizën e televizionit amerikan.

Një krizë si kjo që po zhvillohet në Afganistan, për shumëkënd e ka davaritur realitetin se pa Amerikën, aftësia e menjëhershme e Evropës për të kontrolluar fatin e saj është e kufizuar.

“Nga Londra në Paris, Brukseli në Berlin, rënia e papritur e Kabulit hodhi dritë mbi fuqinë e kufizuar diplomatike, kapacitetin ushtarak dhe stabilitetin politik të Evropës. Diplomatët dhe zyrtarët në të gjithë kontinentin kanë shprehur privatisht pikëllimin e tyre pse gjendja erdhi deri në këtë pikë: Nëse SHBA-ja thotë se ka marrë fund, përnjëmend ka marrë fund”, shkruan autori Luke McGee. “Ne e dimë nga komentet e bëra nga sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, se mendoi se tërheqja ishte një gabim dhe sinjalizoi fitoren për talebanët”.

Zyrtarët e qeverisë britanike i thanë CNN-së se ata ishin përpjekur të inkurajonin administratën Trump dhe Biden të ngadalësonin, por nuk arritën t'i bindnin ata.

Qartazi, Wallace tha në një intervistë të fundit për “Sky News” se kur SHBA-ja “e mori vendimin, mënyra se si ne të gjithë ishim të konfiguruar, do të thoshte se duhej të largoheshim”.

Aleatët evropianë, të tronditur

Zyrtarë të shumtë evropianë dhe diplomatë i shprehën CNN-it tronditjen e tyre me pretendimin e Bidenit se i vetmi interes i SHBA-së në Afganistan ishte neutralizimi i terroristëve që sulmuan SHBA-në më 2001 dhe të parandaloheshin sulme të mëtejshme në tokën amerikane.

Ata tani kanë frikë nga pasojat humanitare dhe politike të migrimit masiv nga një vend i drejtuar nga militantët që kanë strehuar historikisht terroristët dhe që është i lidhur me tokën evropiane.

“Pa fuqinë e Amerikës për të mbajtur një kapak mbi situatën, Evropa është pa dyshim më e ekspozuar”, shkruan McGee, duke spikatur se një zyrtar i BE-së i tha: “Kur Amerika ndryshoi kursin për Sirinë, ajo ndezi një krizë në Evropë, jo në SHBA”.

Kur ish-presidenti Barack Obama, u spraps nga vendimi për të sulmuar regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, pas raporteve se po sulmonte me gaz qytetarët e tij, pati një efekt goditës që ndihet sot e kësaj dite.

“Jo vetëm që miliona sirianë u dyndën në Evropë për të kërkuar strehim, por vakumi i lënë nga Amerika krijoi hapësirë ​​për grupet terroriste për të ndërtuar baza nga ku mund të nisnin dhe frymëzonin sulme në të gjithë botën”, vlerësohet në analizë.

Frika e valës së re të refugjatëve drejt Evropës

McGee shkruan më tej se gjeografia dhe historia kanë demonstruar edhe një herë se Amerikën e ka marrë pusi dhe se talebanët po kompletojnë kontrollin e Afganistanit, derisa qytetarëve u është kthyer shpina në kohën kur po përballen me frikën e persekutimit. Ata do të bëjnë çmos që të largohen nga vendi për të gjetur një strehë më të sigurt.

“Kjo do të thotë që Evropa së shpejti do të ketë valë të larta të migrimit nga njerëz që kërkojnë strehim, gjë që, nga ana tjetër, i paraqet Evropës - veçanërisht BE-së - një sërë problemesh e që mund të ketë vështirësi për t'i trajtuar”, paralajmëron McGee.

Nëse shifrat e atyre që ikin nga Afganistani do të jenë të ngjashëm me numrin e refugjatëve nga Siria e shkatërruar nga lufta më 2015, BE-ja në thelb ka dy mundësi: T’i paguajë fqinjët rajonalë për të mbajtur refugjatët ose të arrihet marrëveshje për kuotat në bllokun e 27 vendeve.

Televizioni CNN vlerëson se në aspektin politik, Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të shkëlqyeshme për të arritur ndonjë marrëveshje të tillë, kështu që më shumë do të prihet për opsionin e parë. Sidoqoftë, Brukseli e provoi këtë në vitin 2015 kur i dha para qeverisë së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për të frenuar fluksin e emigrantëve në bllok.

Kur refugjatët përdoren si “armë”

"Ata i kanë mësuar të gjitha leksionet e gabuara nga viti 2015, ku arritja e marrëveshjes me Turqinë dështoi në mënyrë dramatike kur presidenti Erdogan ndau mendjen se politikisht ishte e përshtatshme për t'i përdorur këta njerëz si armë, duke i lënë ata të shkonin drejt Greqisë", thotë Zoe Gardner, këshilltare për politikën në Këshillin e Përbashkët për Mirëqenien e Emigrantëve.

Fakti që Erdogani ishte në gjendje t’i kthente emigrantët në armë është simptomë e politikanëve populistë, të cilët trajtojnë njerëzit që largohen nga zonat e luftës si të rrezikshëm, dhe kjo është e frikshme, paralajmëron Gardner.

"Kjo do të thotë se ata i shohin me dyshim njerëzit, kështu që shihen me sy të keq. Kjo shpesh do të thotë se ata trajtohen keq dhe i bën qeveritë të marrin masa më të vështira për t'i mbajtur ata jashtë vendit. Kjo, për fat të keq, do të thotë se ata që janë të vendosur për të ardhur janë të pambrojtur nga kontrabandistët dhe trafikantët e njerëzve”, i ka thënë ajo gazetarit të televizionit CNN.

Tineke Strik, anëtare e Komitetit të Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme, është pesimiste lidhur me vullnetin politik të bllokut për të arritur marrëveshje. Nga ana tjetër, kjo ka të ngjarë të nënkuptojë kushte edhe më të këqija për këta njerëz tashmë me një mijë halle.

"Në shumë shtete anëtare ka një ndjenjë kundër refugjatëve, qoftë në qeveri apo në opozitë. Kjo i kthen jo vetëm kundërshtarët politikë kundër njëri-tjetrit, por edhe shtetet që te vendimet e ashpra shohin edhe kapitalin e tyre politik. Në vendet kufitare, kjo mund të nënkuptojë tela gjemborë dhe gaz lotsjellës ndaj njerëzve që ikin nga kushtet më të tmerrshme të mundshme”, thotë ajo.

Sprovë e re për Bashkimin Evropian

Image

Zyrtarët e BE-së janë shumë të vetëdijshëm për rreziqet e panumërta që paraqet kjo ndjenjë kundër emigrantëve.

Pas krizës migratore të vitit 2015, grupet e ekstremit të djathtë, euroskeptik, arritën përfitime të konsiderueshme politike përmes retorikës anti-emigrante dhe anti-BE. Aq të suksesshëm ishin disa nga këta politikanë, saqë ndryshuan terrenin e spektrit të përgjithshëm. Në Francë, Gjermani, Holandë dhe Danimarkë partitë kryesore politike tani përdorin gjuhën e së djathtës ekstreme për të mbrojtur bazën e tyre.

Kjo qasje ndihmon kauzën populiste që historikisht rrugët e ligjshme dhe të paligjshme për në Evropë janë shfrytëzuar nga njerëz që kërkojnë të kryejnë sulme në Evropën kontinentale, megjithëse padyshim që këta njerëz përfaqësojnë një pakicë shumë të vogël.

Kombinimi i shqetësimeve të sigurisë, ndjenjës antiemigrante, retorikës kundër BE-së dhe shteteve anëtare që duan të duken kritike e bën jashtëzakonisht të vështirë vendimmarrjen në Bruksel, i cili e imagjinon veten si promovuesi kryesor global i të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë.

Një zyrtar i Komisionit Evropian shpjegoi për CNN-në se krahu ekzekutiv evropian donte të vazhdonte financimin e projekteve humanitare në Afganistan që mbështesnin të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe mbështetjen e demokracisë, porse zor se do të bënte punë tani që Amerika është tërhequr dhe talebanët janë në krye të vendit.

Varësia nga ombrella amerikane e sigurisë

“Përtej BE-së, kriza ka ekspozuar se sa shumë evropianët u mbështetën në fuqinë e sigurisë amerikane përmes NATO-së”, kujton McGee.

"Frika ime është që nëse bota mendon se nuk mund të shikojë më me të njëjtin nivel sigurie SHBA-në apo NATO -n... ne do të shohim lëvizje të guximshme nga aktorët armiqësorë ose jomiqësorë drejt një Evrope më të bashkuar”, thekson Roberta Metsola, anëtare Komitetit të Parlamentit Evropian për Migracionin dhe Sigurinë Kufitare.

“BE-ja ka folur prej kohësh për konsolidimin e shpenzimeve të saj ushtarake, por është çështje për të cilën shtetet anëtare janë aq të ndara, saqë do të duheshin dekada që Brukseli të ketë fuqinë për të mbushur boshllëkun e krijuar nga SHBA-ja në Afganistan”, shkruan McGee.

Ai spikat se vendimi i Bidenit dhe mungesa e keqardhjes është kritikuar për shumë arsye. Por ndoshta aspekti më pak i pëlqyeshëm i tij është se Amerika, thënë troç, ka luksin të jetë në gjendje të largohet në një mënyrë që Evropa - dhe fqinjët e tjerë rajonalë - nuk mund ta bëjnë, shton ai.

Tom Tugendhat, deputet britanik që kishte shërbyer në Afganistan, e mbylli fjalimin emocionues të së mërkurës me fjalët: "Kështu duket disfata: Kur nuk ke më një zgjedhje se si të ndihmosh”.

“Bota e lirë, pa udhëheqësin e saj, nuk është në gjendje ta rregullojë këtë rrëmujë dhe të mbrojë vlerat që ajo mban aq të dashura”, e mbyll analizën televizioni amerikan. “Dhe sigurisht që nuk ka zgjidhje se si të ndihmohet”.

Përgatiti: Rexhep Maloku