Botë

Mes skenave kaotike, SHBA-ja në telashe me evakuimet nga Afganistani

Luftëtarët talebanë dhe pikëkontrollet e tyre kanë rrethuar aeroportin, duke u përbërë pengesa afganëve që synojnë ikjen nga frika se bashkëpunimi i tyre i mëparshëm me perëndimorët mund t’i shndërrojë në caqe të hakmarrjes. Me qindra afganë të papajisur me dokumente dhe pa premtime për largim gjithashtu kanë vërshuar aeroportin në Kabul. Derisa prindër të tmerruar afganë janë xhiruar tek i bartnin foshnjat dhe fëmijët e tyre sipër telave me gjemba vendosur përreth aeroportit, teksa i lusnin ushtarët britanikë që t’i shpinin në vende të sigurta

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përballur të enjten me vështirësi në mbajtjen e ritmit për evakuimin e amerikanëve dhe afganëve nga aeroporti i Kabulit, pas pengesave të shkaktuara nga pikëkontrollet e talebanëve të armatosur dhe lumit të qytetarëve të dëshpëruar për ikje.

Teksa afati përfundimtar i tërheqjes më 31 gusht po afron, me dhjetëra e mijëra qytetarë janë në pritje të largimit me anë të aeroplanëve nga vendi i mbërthyer në kaos.

Luftëtarët talebanë dhe pikëkontrollet e tyre kanë rrethuar aeroportin, duke u përbërë pengesa afganëve që druajnë se bashkëpunimi i tyre i mëparshëm me perëndimorët mund t’i shndërrojë në caqe të hakmarrjes. Me qindra afganë të papajisur me dokumente dhe pa premtime për largim gjithashtu kanë vërshuar aeroportin. Prindër të tmerruar afganë janë xhiruar të enjten tek i bartnin foshnjat dhe fëmijët e tyre sipër telave me gjemba vendosur përreth aeroportit, teksa i lusnin ushtarët britanikë që t’i shpinin në vende të sigurta.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë se ushtria ka në dispozicion aeroplanë për evakuimin e 5.000 deri 9.000 njerëzve në ditë. Gjatë secilës prej ditëve të kaluara, rreth 2.000 pasagjerë janë evakuuar, ka njoftuar Pentagoni.

Sipas ritmit aktual, SHBA-ja nuk pritet se do të mund t’i evakuojë të gjithë amerikanët dhe afganët e kualifikuar për largim deri më 31 gusht. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të enjten se do të sigurojë që asnjë amerikan të mos mbetet në Afganistan, edhe nëse kjo do të nënkuptojë që tërheqja e trupave të shtyhet përtej afatit të paraparë.

Tensionet në vend janë rritur gjatë së enjtes, pasi një numër i paspecifikuar i njerëzve janë vrarë kur militantët talebanë hapën zjarr ndaj një turme në qytetin lindor Asadabad dhe një tjetre në Kabul, gjatë protestës me flamuj kombëtarë të afganëve që e sfidojnë regjimin e tyre.

“Flamuri ynë, identiteti ynë”, kanë bërtitur protestuesit në ditën kur Afganistani ka shënuar pavarësimin nga kontrolli britanik më 1991.

Talebanët u kanë adresuar të enjten thirrje imamëve të vendit për unitet në prag të lutjeve të së premtes, duke i nxitur ata që t’u kërkojnë njerëzve që të mos largohen nga vendi. Menjëherë pas marrjes së vendit nën kontroll, militantët janë zotuar për qeverisje më të moderuar sesa gjatë viteve 1996-2001.

Por një raport i grupit norvegjez të Inteligjencës, përpiluar për Kombet e Bashkuara, ka bërë të ditur se talebanët veçse kanë nisur kërkimet intensive për afganët e përfshirë në listë të zezë, si persona të afërt me qeverinë e mëparshme apo me forcat amerikane dhe të NATO-s.

Si rrjedhojë e gjendjes, ministrat e Jashtëm të G7-s kanë bërë thirrje për një përgjigje unike ndërkombëtare me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtutjeshëm të gjendjes. Kësaj thirrjeje i është bashkuar edhe Rusia, përderisa Kina ka bërë të ditur se bota do të duhej ta mbështeste e jo t’i ushtronte presion Afganistanit.

Presidenti Biden ka thënë se talebanët duhet të vendosin nëse e duan njohjen ndërkombëtare.

“A duan që të njihen nga komuniteti ndërkombëtar si një qeveri legjitime? Nuk jam i sigurt se duan”, ka theksuar ai në një intervistë për “ABC News”.

Situatën e fundit në Afganistan, shefi për Politika të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka cilësuar të enjten si “katastrofë” dhe si dështim të inteligjencës.

“Që nga e diela jemi përballur me një realitet të ri dhe të dhembshëm në Afganistan. Më lejoni të flas hapur dhe qartë. Kjo është katastrofë. Është katastrofë për popullin afgan dhe për vlerat dhe kredibilitetin perëndimor”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, një numër vendesh anëtare të bllokut evropian janë shfaqur hezituese për sa i përket pranimit të afganëve.