Botë

SHBA-ja fillon nga 20 shtatori administrimin e dozës së tretë

Foto: AP
 

Zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë shpalosur planet për administrimin e dozës përforcuese të vaksinës te të gjithë amerikanët, në kohën e ngritjes së numrit të rasteve të infektimit me variantin Delta të koronavirusit.

Plani i përpiluar nga drejtori i Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve parasheh që doza e tretë të jepet tetë muaj pas imunizimit me dozë të dytë të vaksinave “Pfizer” dhe “Moderna”. Procesi do të fillojë së zbatuari nga 20 shtatori. Zyrtarët kanë bërë të ditur se edhe personat e imunizuar me vaksinën njëdozëshe “Johnson & Johnson”, sipas të gjitha gjasave do të kenë nevojë për një dozë shtesë, porse për këtë ende priten rezultatet përfundimtare të studimeve. Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se të dhënat aktuale nuk sugjerojnë se vaksinat shtesë janë të nevojshme. OBSH-ja ka bërë të ditur se qytetarët më të cenuar të vendeve më të varfra të botës duhet që të imunizohen plotësisht, para se të nisë vaksinimi përforcues.