Botë

Afganët ikin të panikuar, pasi talebanët kurthojnë Kabulin

Talebanët të shtunën kanë marrë nën kontroll Mazar-e-Sharifin, qytetin e katërt më të madh të vendit dhe fare afër Kabulit, duke e lënë kryeqytetin afgan tërësisht të rrethuar nga ofensiva masive e ditëve të fundit. Zaptimi i Mazar-e-Sharif ka ndodhur derisa presidenti afgan, Ashraf Ghani, iu adresua kombit lidhur me kërcënimin për vënien e gjithë vendit në duart e talebanëve

Të mbërthyer nga frika dhe paniku, me mijëra banorë të Kabulit janë vënë në kërkim të shtigjeve të ikjes të shtunën, teksa talebanët kanë marrë nën kontroll Mazar-e-Sharifin, qytetin e katërt më të madh të vendit, duke e lënë kryeqytetin afgan tërësisht të rrethuar nga ofensiva masive e ditëve të fundit.

Zaptimin e Mazar-e-Sharif militantët e arritën teksa presidenti afgan, Ashraf Ghani, iu adresua kombit lidhur me kërcënimin për vënien e gjithë vendit në duart e talebanëve.

Kabuli është mbërthyer nga thashethemet se Ghani do të japë dorëheqje, si pjesë e marrëveshjes paqësore për ta shpëtuar kryeqytetin dhe popullatën e saj prej mbi 4 milionë banorësh. Por, në vend të kësaj, ai ka thënë se do ta riorganizojë ushtrinë dhe ka njoftuar se ka nisur negociatat intensive me liderët lokalë dhe me aleatët ndërkombëtarë. Ndërkaq, është zotuar se nuk do ta lejojë zhbërjen e të arriturave gjatë 20 vjetëve të fundit, qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i rrëzuan talebanët pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

“I kemi filluar konsultimet, përbrenda qeverisë me liderët politikë dhe lokalë, përfaqësuesit e niveleve të ndryshme të komunitetit si dhe me aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Ghani në adresimin e parë para kombit që nga nisja e tensioneve në Afganistan. “Si president juaji, përqendrimi im kryesor është që të shmangen jostabiliteti dhe dhuna e mëtutjeshme, si dhe largimi i vazhdueshëm i qytetarëve të mi nga vendi”, ka shtuar ai.

Por vetëm pak orë më vonë, forcat e tij pësuan disfatë të rëndë në Mazar-e-Sharifin strategjik për sigurinë e Kabulit. Si rrjedhojë e rrezikut, deri më tani me dhjetëra mijëra afganë kanë braktisur shtëpitë e tyre, shumica nga frika e rikthimit të sundimit shtypës të talebanëve. Grupi kishte qeverisur më herët Afganistanin me zbatimin e versionit strikt të ligjit islamik, nën të cilin grave u lejohet që të punojnë dhe të vijojnë shkollimin, ndërsa u ndalohet dalja nga shtëpitë pa shoqërinë e një të afërmi.

Gjatë së shtunës, talebanët kanë marrë në duart e tyre edhe qytetin Paktika në kufi me Pakistanin si dhe krahinën Faryab në veri dhe kryeqytetin krahinor Daykundi.

Avancimi i tyre shumë pranë kryeqytetit ka shtrënguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore që të nisin evakuimin e ambasadave, shtetasve të tyre dhe të qytetarëve të tjerë.

Përshkallëzimi i shpejtë i situatës javën e fundit ka nxitur reagime nga qarqe të gjera ndërkombëtare.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje talebanëve që ta ndalin menjëherë ofensivën në Afganistan, duke paralajmëruar se gjendja në këtë vend po del jashtë kontrolli.

“Porosia e bashkësisë ndërkombëtare për ata që janë në shtegun e luftës duhet të jetë e qartë, marrja e pushtetit me anë të dhunës është humbje. Mund të shpjerë vetëm në zgjatjen e luftës qytetare apo edhe në izolimin e tërësishëm të Afganistanit”, ka thënë Guterres.

Talebanët kanë nisur ofensivën që nga maji, kur presidenti Joe Biden e konfirmoi tërheqjen e forcave të fundit amerikane nga vendi, 20 vjet pas intervenimit për rrëzimin e militantëve të fajësuar për strehimin e liderit të “Al-Qaedas”, Osama bin Laden.

Organizata terroriste ishte përgjegjëse për sulmet më të rënda terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 11 shtator të vitit 2001.

Tërheqja e trupave të huaja nga vendi duhet të kompletohet deri më 31 gusht, pak ditë para 20-vjetorit të këtyre sulmeve.