“Do të ndodhë, porse ne nuk jemi të shqetësuar për këtë, jemi të gatshëm”, ka thënë Orban të premten, gjatë intervistës për një televizion amerikan, kur është pyetur nga moderatori i “Fox News”, Tucker Carlson, nëse është “i brengosur se do të ketë ndërhyrje të huaj në zgjedhje”
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se është “i gatshëm” që ta zmbrapsë “ndërhyrjen”, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, të cilat mund ta hapin rrugën për largimin e këtij lideri nacionalist nga detyra.
“Do të ndodhë, porse ne nuk jemi të shqetësuar për këtë, jemi të gatshëm”, ka thënë Orban të premten, gjatë intervistës për një televizion amerikan, kur është pyetur nga moderatori i “Fox News”, Tucker Carlson, nëse është “i brengosur se do të ketë ndërhyrje të huaj në zgjedhje”. “S’ka dyshim se e majta ndërkombëtare do të bëjë krejt çfarë mundet, mbase edhe më shumë për ta ndryshuar Qeverinë në Hungari”, ka cituar deklarimin e tij në televizion agjencia e lajmeve “Al-Jazeera”.
Zgjedhjet që pritet të mbahen në prillin e 2022-s parashihet që të përshkohen me një garë të ngushtë. Sondazhet kanë treguar se partia në pushtet e Orbanit, Fidesz, garon kokë më kokë me koalicionin e partive opozitare të së majtës dhe të djathtës.
Duke qenë në pushtet që nga viti 2010, Orbani ka shndërruar Hungarinë në atë që e quan vatër “e joliberalizmit”, porse është përballur me akuza të vazhdueshme të Brukselit dhe Washingtonit rreth rrëshqitjes nga shtegu i demokracisë.
Gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e shkuar, presidenti amerikan, Joe Biden, ka përmendur Hungarinë në kritikën e tij ndaj politikave të jashtme të pararendësit, Donald Trump.
“E shihni se çfarë po ndodh ngado, nga Bjellorusia në Poloni e në Hungari, dhe ngritjen e regjimeve totalitare në botë... ky president (Trumpi) i përqafon të gjithë banditët në këtë botë”, kishte thënë Bideni për “Fox News”, raporton “Al-Jazeera”.
I pyetur nëse pret që administrata Biden të bëjë përpjekje për “ta parandaluar” rizgjedhjen e tij, Orbani ka thënë: “Herët apo vonë amerikanët do të kuptojnë se punët në Hungari duhet të vendosen nga hungarezët”. “Është akoma më mirë për qeverinë liberale majtiste në SHBA që ta ketë një partner që është demokraci konservatore e krishterë dhe është mbështetur për kohë të gjatë nga populli hungarez”, ka thënë Orban, duke shtuar se “një partner pa dashuri, por stabil është më mirë sesa një i ri i pasigurt”.
“Shpresoj se amerikanët do ta kuptojnë këtë”, ka theksuar ai.
Politikat antiimigracion të liderit 58-vjeçar hungarez kanë gjeneruar lëvdata nga Trumpi, të cilin Orbani e kishte quajtur “mik të madh të Hungarisë”.
Politika “Amerika në rend të parë” e Trumpit ishte “mesazh shumë pozitiv këtu në Evropën Qendrore... do të thotë se edhe Hungaria mund ta vërë gjithashtu veten në rend të parë”, ka thënë Orbani për Carlsonin.
Moderatori i “Fox Newsit”, Clarson ka adresuar lavde për Orbanin gjatë paraqitjeve të tija nga Budapesti.