Michael Freedy, baba i pesë fëmijëve nga Las Vegasi, mund të ishte ende feneri i jetëve të fëmijëve të tij. Porse, në vend të kësaj, ata do ta kujtojnë përherë mesazhin e fundit goditës të shkruar pak para se të vdiste të enjten e shkuar: “Duhej ta kisha marrë atë dreq vaksine”
Ata nuk duhej të vdisnin.
Është kjo e vërteta e tmerrshme e fushëbetejës së re pandemike të Amerikës, teksa varianti jashtëzakonisht i përhapshëm i koronavirusit, Delta, po shpërndahet duke i vënë në shënjestër me miliona njerëz që mjerisht u vonuan të mbroheshin me vaksinat e qasshme dhe efikase, ka shkruar rrjeti televiziv CNN në një rrëfim për tragjeditë dhe pendimet rreth refuzimit të kurave kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Michael Freedy, baba i pesë fëmijëve nga Las Vegasi, mund të ishte ende feneri i jetëve të fëmijëve të tij. Porse, në vend të kësaj, ata tani do ta kujtojnë përherë mesazhin e tij të fundit goditës, shkruar vetëm pak kohë para vdekjes të enjten e shkuar: “Duhej ta kisha marrë atë dreq vaksine”.
Kim Maginn, gjyshe 63-vjeçare nga Arkansasi dhe entuziaste e ushtrimeve trupore, do t’i kishte ende edhe shumë vjet jetë për t’i parë nipërit e saj tek rriten. Në vend të kësaj, e bija e saj, Rachel Rosser, një infermiere, pyetet pse nuk arriti që ta bindte nënën e saj të ndjerë t’i merrte vaksinat.
“Jam e zemëruar pse nuk u vaksinua. Dhe ndihem fajtore pse nuk insistova më fort”, thotë Rosseri për CNN-in.
Pendimi i makthshëm
Familjarët e të vdekurve nuk janë të vetëm në keqardhjet e tyre tronditëse. Disa prej atyre që i mbijetuan COVID-it – pas ditësh të gjata beteje për një frymë apo ballafaqimi me efektet e rënda anësore – pyeten pse nuk e ndërmorën një hap të thjeshtë për të kursyer veten dhe më të dashurit e tyre nga makthi.
Ganeene Starlingun, një floridase me tetë fëmijë, e mbërthejnë të dridhurat tek mendon çfarë do të ndodhte me fëmijën e saj më të vogël gjashtë vjeç sikur të mos ia dilte në krye me atë që e përshkruan si përjetim “tmerrues” në njësinë e përkujdesjes intensive. Ajo pranon për CNN-in të ketë dëgjuar njerëz që thonë se Qeveria po i detyron qytetarët t’i mbushin trupat me substanca të patestuara.
“Isha njëra prej atyre që thoshin: ‘Nuk mund të besoj se njerëzit thjesht do t’i injektojnë trupat me këtë bar, për të cilin nuk dimë sa duhet’”, rrëfen 43-vjeçarja për rrjetin amerikan. “Tani them: ‘Është thjesht vaksinë. Thjesht merreni vaksinën e dreqit. Kjo vaksinë do të mund ta ndalte krejt këtë. Vetëm një injektim i vogël. Ndihem budallaqe pse nuk e mora”.
E Alicia Ball, e ulur pranë bashkëshortit të saj William në shtratin e tij të spitalit, ku kishte hyrë në një gjumë të thellë nën maskën e oksigjenit javën e shkuar, thotë se atij ia kishin vonuar vaksinimin. Por, për CNN-in, nga Mississippi ajo shton vendosmërisht: “Nuk do t’ia dëshiroja këto përjetime as armikut më të madh”.
Tragjedi e madhe
Teksa bilanci i infeksioneve po rritet, i fuqizuar nga varianti Delta, rrëfimet e tilla tragjike për humbjet e panevojshme të jetëve dhe dhembjet – të shpalosura për gazetarët e CNN-it John Berman, Martin Savidge, Randi Kaye, Miguel Marquez, Chris Cuomo dhe të tjerë – do të përsëriten me mijëra herë. Disa prej atyre që u deklaruan pranuan t’i tregojnë tmerret me gjithë zinë dhe agoninë, krejt në mënyrë që t’i ndihmojnë të tjerët ta shmangin këtë fat të zi.
“Tragjedia e madhe njerëzore e pandemisë – me më shumë se 600 mijë vdekje vetëm në Amerikë – veçse ishte e padurueshme. Por shumë prej atyre që vdiqën në valët e hershme të sëmundjes nuk e patën një mundësi. Ama ideja se kaq shumë tragjedi tani mund të shmangen – por nuk do të shmangen ngase, për çfarëdo arsye, me miliona të rritur amerikanë nuk duan që të vaksinohen – mund të jetë paralajmërues i fazës më të dhembshme të kësaj emergjence të mallkuar globale”, ka shkruar CNN-i.
Mirëpo, CNN-i ka raportuar se të dhënat më të fundit të Qendrave amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), bashkë me marshimin e pandalshëm të variantit Delta, peshojnë mbi këto kalkulime dhe e fuqizojnë teorinë e vaksinimit para se të bëhet tepër vonë.
Megjithëse nuk ofrojnë garanci të 100-përqindtë ndaj infeksionit, CDC-ja ka njoftuar se më pak se 0.004 për qind e atyre që janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 kanë përfunduar në spitale. Më pak se 0.001 për qind e tyre kanë vdekur nga sëmundja.
Arsyet e hezitimit

Duke e pasur parasysh suksesin e pashembullt të vaksinave, edhe në kohën e goditjes nga Delta, vendimi i shumë amerikanëve për ta shmangur mbrojtjen që mund të shpëtojë jetë përbën mister për ata që i kanë marrë dozat e tyre.
Sipas CNN-it, janë të shumta arsyet për hezitimin e njerëzve. Disa duan të presin dhe të shohin nëse ka efekte anësore me kalimin e kohës. Dyshimet ndaj Qeverisë figurojnë lart në listën e arsyeve për hezitimit.
Fakti se ish-presidenti Donald Trump e politizoi COVID-in dhe u tall me masat, ndonëse e udhëhoqi administratën që ndihmoi në financimin e zhvillimit të vaksinave, nuk përbën rastësi pse ai u votua më së shumti gjatë nëntorit të shkuar në shtetet me përqindjen më të ulët të vaksinimeve. Porse krejt këto shtete, bazuar në kalkulimet e CNN-it, janë të goditura rëndë nga Delta. Muajt e tërë të propagandës antivaksinim në rrjetet konservatore të lajmeve e stigmatizuan vaksinën për shumëkënd. Në Missourin e plandosur nga Delta, CNN-i ka raportuar se disa po vaksinohen tinëz për të shmangur presionin shoqëror dhe atë politik.
“Nuk deshën të përballeshin me presion dhe me kritikat e njerëzve...”, i ka thënë Anderson Cooperit të CNN-it mjekia Priscilla Frase, interniste dhe zyrtare kryesore për informim në spitalin “Ozarks Healthcare” në West Plains.
Mirëpo, pa marrë parasysh arsyen, është përherë e më e qartë se ata që e refuzojnë vaksinimin tani po e marrin përsipër një rrezik të jashtëzakonshëm për jetën dhe shëndetin e tyre, por edhe mirëqenien e atyre që do të linin prapa po qe se vdesin. Meqë fëmijët nën 12 vjeç nuk mund të vaksinohen në SHBA, skeptikët njashtu rrezikojnë që t’i vënë më të rinjtë dhe më të cenueshmit e shoqërisë përballë një sëmundjeje të rrezikshme. Në fund të fundit, ata po e krijojnë me këtë atë që përfaqësuesi republikan i Virxhinias Perëndimore, Jim Justin, e quajti “lotari e vdekjes”.
“Nuk ia vlen”
Kundërthëniet rreth vaksinave e kanë shpërfaqur edhe njëherë hendekun e thellë politik dhe shoqëror që e ndan SHBA-në. Dhe e ngrenë pyetjen nëse vaksinimi nuk është thjesht një zgjedhje personale por një hap që duhet parë si borxh individual ndaj shoqërisë, ka shkruar CNN-i.
Kjo pyetje përbën hall veçanërisht të madh për mjekët dhe infermierët që kanë kaluar më se një vit të rrethuar nga vdekjet në spitale. Shumë prej tyre ndajnë rrëfimet e njerëzve që refuzojnë të besojnë se e kanë COVID-in krejt deri në intubim. Të tjerët luten për vaksina – edhe pse kur sëmureni është vonë për to.
“Disa insistojnë se i gënjejmë rreth diagnozës së tyre pozitive për COVID, madje edhe të sëmurët rëndë”, thotë për CNN-in infermieri Morgan Babin nga Louisiana.
Realiteti i vdekjeve të panevojshme po e rrit shkallën e stresit dhe po e rrënon moralin mes profesionistëve mjekësorë.
“Është shumë zemëruese. Edhe ne jemi njerëz. Si mjekë, infermierë, terapistë e të tjerë, ne faktikisht e kemi ilaçin mrekullibërës”, thotë Murtaza Akhter, mjek i shërbimit të emergjencës në spitalin e Universitetit Ndërkombëtar të Floridas. “Kemi diçka që mund të shmangë infeksionin dhe të parandalojë tërësisht sëmundjen rëndë, porse njerëzit prapëseprapë refuzojnë ta marrin. Dhe ata vijnë e luten për ndihmë, ama refuzojnë të vaksinohen”. “Është aq thellësisht ironike. Nxit përnjëmend, thënë sinqerisht, zemërim të madh”, thotë ai për CNN.
Një prej pacientëve që nxori mësim është Aimee Matzen (44), e cila për televizionin amerikan tha se ndihej “e zemëruar” me veten pse nuk ishte vaksinuar.
“Thjesht nuk dua që dikush tjetër ta pësojë sikurse unë, veçmas kur vaksinat janë kaq të qasshme”, thotë ajo nga spitali.
E fejuara e Michael Freedyt, Jessica DuPreez – e cila u vaksinua menjëherë pasi rezultoi pozitive në test – ka thënë se beson që ai ende do të ishte bashkë me të sikur të vaksinohej.
“Mendoj se vaksina të paktën do t’ia zbuste simptomat dhe do të luftonte më gjatë dhe të kishte shanse më të mira”, ka thënë ajo. DuPreez thotë se humbjen e Freedyt 39-vjeçar ende e koncepton si surreale. I biri i tij 7 vjeç ende i dërgon mesazhe në telefon.
“E para që e dërgoi ishte: Baba, a je ende gjallë?”, ka treguar ajo. “Të gjithë ju që hezitoni dhe mendoni se nuk ju ndodh ngase jeni të rinj – mund t’ju ndodhë dhe mandej do të uleni aty dhe të pyeteni pse nuk e bëtë dhe nuk ishit në gjendje që t’i përqafoni edhe njëherë më të dashurit tuaj”, ka sugjeruar ajo, teksa fliste për CNN-in.
“Nuk ia vlen”. \ CNN
Përgatiti: Nita Lleshi