Botë

Grushti i fundit për të marrë kontrollin e qyteteve afgane

Banorët e Heratit kanë thënë se pak zona të qytetit janë të sigurta, ndërkaq kanë rrokur armët për ta mbrojtur veten. Ismal Khan, ish-komandant që luftoi kundër sovjetikëve në vitet ’80, ka nisur lëvizjen e armatosur për ta mbrojtur qytetin

Militantët talebanë kanë nisur ofensivën e re të shtunën për të marrë kontrollin e tri qyteteve kryesore në jug dhe perëndim të Afganistanit, të cilat kontrollohen nga forcat e Qeverisë afgane. Talebanët kanë hyrë në pjesë të qyteteve Herat, Lashkar Gah dhe Kandahar.

Qëkur forcat perëndimore njoftuan tërheqjen e trupave ushtarake deri në muajin shtator, talebanët me shpejtësi kanë marrë kontrollin e zonave rurale të Afganistanit.

Mirëpo, fati i qyteteve kyç pritet të jetë vendimtar në kohën e shqetësimeve për krizë humanitare dhe sa gjatë forcat qeveritare mund t’u rezistojnë sulmeve të talebanëve. Militantët fundamentalistë tashmë kanë marrë kontrollin e gjysmës së territorit të Afganistanit, përfshirë pikëkalimet kufitare me Iranin dhe Pakistanin.

Një deputet nga Kandahari ka thënë se qyteti është në rrezik të madh me mijëra afganë që tashmë janë zhvendosur si pasojë e katastrofës humanitare. Deputeti Gul Ahmad Kamin ka thënë për BBC-në se situata është përkeqësuar në ditët e fundit, ndërkaq luftimet brenda qytetit nuk ishin zhvilluar tash e 20 vjet. Ai ka thënë se talebanët tani e cilësojnë Kandaharin si pikë kyç pasi dëshirojnë ta bëjnë kryeqytet të përkohshëm. Në rast se Kandahari merret në kontroll të talebanëve, atëherë, sipas deputetit, do të humben edhe gjashtë provinca të tjera.

Ai ka thënë se militantët talebanë janë në disa anë të qytetit për shkak se forcat qeveritare nuk kanë mundur ta përdorin armatimin e rëndë shkaku i civilëve. Në Herat, luftimet janë ashpërsuar. Talebanët kanë hyrë në pjesën jugore të qytetit me rëndësi të madhe ekonomike për Afganistanin. BBC-ja ka raportuar për pesë zona të luftimeve në këtë qytet. Ushtria amerikane ka realizuar disa sulme ajrore në përkrahje të forcave qeveritare, që kanë marrë kontrollin përreth aeroportit të Heratit.

Banorët e Heratit kanë thënë se pak zona të qytetit janë të sigurta, ndërkaq kanë rrokur armët për ta mbrojtur veten. Ismal Khan, ish-komandant që luftoi kundër sovjetikëve në vitet ’80, ka nisur lëvizjen e armatosur për të mbrojtur qytetin.

Ndërkaq në Lashkar Gah, kryeqytet i provincës jugore të Helmandit, talebanët ndodhen dy kilometra larg qendrës së qytetit, ani pse forcat qeveritare kanë pasur sukses në kundërsulmet ndaj talebanëve. Një komandant i forcave afgane ka bërë të ditur se talebanët kanë pësuar dëme të konsiderueshme gjatë së shtunës.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Afganistanin, Tomas Niklasson, ka thënë se lufta do të përkeqësohet në javët e ardhshme. Ai frikësohet se mënyra e të menduarit nga talebanët është ajo e së kaluarës – rithemelimin e emiratit të tyre islamik.

Ish-gjenerali i Forcave Britanike, David Richards, ka tërhequr vërejtjen se tërheqja ndërkombëtare mund të rezultojë në rënien e moralit tek ushtria afgane. Sipas tij, kjo do t’ua mundësojë talebanëve që ta marrin kontrollin dhe të kërcënojnë me terrorizmin ndërkombëtar.