Botë

Belgjika zbut edhe më tej masat anti-COVID

Në Belgjikë, ku shkalla e personave të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit tejkalon 70 për qind, qeveria ka lehtësuar më tej masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Ndalesa në praninë e numrit maksimal të klientëve nëpër dyqane dhe qendra tregtare është hequr plotësisht.

Gjithashtu janë zbutur masat për ngjarje të tilla si ngjarjet kulturore, shfaqje ose ngjarjet sportive, si dhe është vendosur që hapësirat e mbyllura me kapacitet deri në 3.000 persona të funksionojnë me kapacitet të plotë, por theksohet se kjo duhet të realizohet duke ndjekur rregullat e mbajtjes së maskës dhe distancës.

Nga ana tjetër u liruan masat edhe në ngjarjet që do të mbahen në hapësira të hapura për pjesëmarrje deri në 5.000 persona.

Që nga 13 gushti, vizitorët që posedojnë një etiketën "Covid Safe Ticket", që vërteton se janë plotësisht të vaksinuar, kanë rezultuar negativ në testin PCR brenda 48 orëve apo janë shëruar së fundmi nga sëmundja, do të mund të marrin pjesë në ngjarjet në hapësira të hapura.

Panairet tregtare, dasmat, ahengjet dhe pritjet gjithashtu mund të mbahen me një kapacitet deri në 250 persona.

Gjithashtu u vendos që aktivitetet rinore, të tilla si kampinget, mund të zhvillohet me një kapacitet prej 200 personash.

Pas fushatës së vaksinimit në Belgjikë, ku më shumë se 70 për qind e të rriturve u vaksinuan, numri i viktimave nga COVID-19 ka rënë në mënyrë drastike.

Në ditët e para të shkurtit kur sapo filloi fushata, numri i rasteve u rrit në 2.000 raste ditore dhe në muajin mars në 5.000 raste ditore. Në mes të shkurtit vendi regjistroi rreth 30 të vdekur për çdo ditë, ndërsa në muajin mars rreth 25.

Edhe pse rastet ditore aktualisht afrohen në rreth 1.500, numri i personave që humbin jetën nga pandemia ka rënë në dy persona në ditë.

Qeveria belge filloi me lehtësimin e kufizimeve në fillim të qershorit dhe shumica e ambienteve të brendshme u rihapën.