Botë

Republika Serbe miraton ligje për bllokimin e ndalesës rreth mohimit të gjenocidit

Gjithsej 70 nga 73 deputetët e Asamblesë Kombëtare në Republikën Serbe kanë dhënë miratimin për ligjet, vetëm një javë pasi përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Bosnjën, Valentin Inzko, ka amendamentuar Kushtetutën e vendit për ta ndaluar mohimin e gjenocidit, të krimeve kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, si dhe ka zbatuar dënime deri në pesë vjet burgim për të gjithë ata që e mohojnë gjenocidin apo i glorifikojnë kryerësit e krimeve të luftës

Ligjvënësit në Republikën Serbe, rajonin e kontrolluar nga serbët në Bosnjë-Hercegovinë, kanë miratuar të premten dy ligje të reja për bllokimin e vendimit të përfaqësuesit të lartë të OKB-së javën e shkuar, që e ndalon mohimin e gjenocidit.

Gjithsej 70 nga 73 deputetët e Asamblesë Kombëtare në Republikën Serbe kanë dhënë miratimin për ligjet, vetëm një javë pasi përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Bosnjën, Valentin Inzko, ka amendamentuar Kushtetutën e vendit për ta ndaluar mohimin e gjenocidit, të krimeve kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, si dhe ka zbatuar dënime deri në pesë vjet burgim për të gjithë ata që e mohojnë gjenocidin apo i glorifikojnë kryerësit e krimeve të luftës.

Inzko, i cili ka autoritetet për të zbatuar vendime apo shkarkuar zyrtarë, i ka shpjeguar masat duke thënë se “nuk ekziston pajtim pa njohjen e krimeve dhe pa mbajtjen e përgjegjësisë”.

“Që të dyja ligjet janë miratuar me votat e të gjitha partive që veprojnë në Republikën Serbe. Me këto vendime, zbatimi i vendimit të Inzkos nuk do të jetë i mundur”, ka thënë Nedeljko Çubrilloviq, kryetar i Parlamentit.

Ai e quajti vendimin e Inzkos “të gabuar” dhe ka thënë se ai e ndërlikon situatën në vend.

“Me këtë vendim, ai e ka shpjerë Bosnjë-Hercegovinën në krizën më të madhe që prej luftës”, ka theksuar Çubrilloviq në një konferencë për media, pas seancës parlamentare.

Nën Marrëveshjen e 1995-tës të Daytonit, me të cilën iu dha fund luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë, dy entitetet – federata myslimane-kroate dhe Republika Serbe e dominuar nga serbët – mbahen të bashkuara nëpërmjet institucioneve të brishta qendrore.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, ka pretenduar se gjenocidi i 1995-tës në Srebrenicë, gjatë së cilës më se 8 mijë burra dhe djem myslimanë janë ekzekutuar nga forcat serbe të Bosnjës, “nuk ka ndodhur fare”.

Kjo masakër është kategorizuar si gjenocid me verdiktet e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Vendimi i Inzkos për mohimin e gjenocidit është marrë vetëm një javë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnjë. Pas 12 vjetësh në detyrë, Inzko do t’ia dorëzojë postin gjermanit Christian Schmidt, më 1 gusht.