Botë

Talebanët marrin gjysmën e Afganistanit

Në një hulumtim të shërbimit afgan të BBC-së mësohet se militantët tani kanë prani të fuqishme në mbarë vendin, përfshirë edhe krahinat veriore dhe ato juglindore. “Me kontroll, mendojmë krahinat ku qendra administrative, stacionet policore dhe të gjitha institucionet e tjera qeveritare janë nën kontroll të talebanëve”, vlerësohet në hulumtimin e televizionit britanik, BBC

Kryengritësit talebanë ia kanë dalë që të marrin më shumë kontroll gjatë dy muajve të fundit sesa gjatë njëzetë vjetëve të kaluar prej se Shtetet e Bashkuara i rrëzuan nga pushteti me ndërhyrjen e vitit 2001 në Afganistan.

Gjatë dy dekadave të kaluara, vazhdimisht ka ndryshuar pamja e hartës së kontrollit të vendit, ka shkruar të martën televizioni britanik, BBC, në një analizë që i ka bërë fuqizimit të kryengritësve islamikë në dy muajt e fundit, me përshpejtimin e tërheqjes së trupave amerikane dhe të aleatëve të tyre. Dhe në mungesë të vënies së kontrollit nga forcat shtetërore të sigurisë, talebanët kanë shfrytëzuar boshllëkun, duke marrë kontrollin e disa krahinave të rëndësishme që ishin në duar të Qeverisë.

Ndërkohë, agjencia amerikane e lajmeve, AP, ka siguruar po të martën pamje të disa ushtarëve kufitarë afganë që dezertojnë dhe kalojnë në Pakistanin fqinj. Ata janë pritur nga forcat pakistaneze të sigurisë që u kanë dhënë edhe ushqim e ujë. Talebanët tashmë kanë vendosur flamurin e tyre në njërën prej pikave kufitare me Pakistanin.

Në hulumtimin e shërbimit afgan të BBC-së mësohet se militantët tani kanë prani të fuqishme në mbarë vendin, përfshirë edhe krahinat veriore dhe ato juglindore, si Ghazni dhe Maidan Vardak. Ata po afrohen edhe kah qytetet e mëdha, si Kunduzi, Herati, Kandahari dhe Lashkar Gahu.

“Me kontroll, mendojmë krahinat ku qendra administrative, stacionet policore dhe të gjitha institucionet e tjera qeveritare janë nën kontroll të talebanëve”, vlerësohet në hulumtimin e televizionit britanik. Trupat amerikane dhe aleatët e NATO-s e të rajonit i rrëzuan talebanët nga pushteti në nëntorin e vitit 2001. Grupi kishte strehuar Osama bin Ladenin dhe figurat e tjera të “Al-Qaedas”, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por pavarësisht pranisë së vazhdueshme ndërkombëtare në rajon, miliarda dollarëve amerikanë në përkrahje dhe trajnime të forcave qeveritare afgane, talebanët janë rimbledhur dhe gradualisht janë fuqizuar në zona të thella të vendit.

Zonat e tyre kryesore të ndikimit lidheshin me territorin jugor dhe juglindor të vendit, por edhe në këmbët e maleve Farjab në veriperëndim dhe maleve Badakshan në verilindje.

Në një studim të vitit 2017 mësohej se talebanët kishin kontrollin e plotë të një numri krahinash. Më shumë se pesëmbëdhjetë milionë afganë – ose gjysma e popullsisë – raportohet se jeton në rajone që janë nën kontroll të afganëve. Kjo tregon se prania e talebanëve është larg më e fuqishme sesa që ishte menduar më parë.