Dita e madhe e Johnsonit është prishur nga “kaosi i mesazheve”, pasi aplikacioni i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor kishte urdhëruar që qindra e mijëra njerëz të vetizoloheshin – duke paralajmëruar se raftet e dyqaneve mund të zbrazen shpejt
“Dita e lirisë” e kryeministrit Boris Johnson për t’u dhënë fund masave të izolimit kundër COVID-19 në Angli, që kishin zgjatur më shumë se një vit, është prishur të hënën nga rritja e rasteve të infektimeve, paralajmërimeve për mungesa në supermarket dhe vetizolimit të detyruar nga ai.
Premtimi i Johnsonit se mund ta gjallërojë një ndër ekonomitë më të mëdha në Evropë, sepse tashmë janë vaksinuar shumë njerëz, ka shënuar një kapitull të ri të reagimit global ndaj koronavirusit.
Nëse vaksinat dalin të jenë efektive për reduktimin e sëmundjes së rëndë dhe vdekjeve, dhe përderisa infeksionet prekin nivelet rekorde, vendimi i Johnosnit mund të ofrojë rrugëdalje nga kriza më e keqe e shëndetit publik në dekada. Nëse jo, do të duhet të rikthehen izolimet.
Por dita e madhe e Johnsonit është prishur nga “kaosi i mesazheve”, pasi aplikacioni i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor kishte urdhëruar që qindra e mijëra njerëz të vetizoloheshin – duke paralajmëruar se raftet e dyqaneve mund të zbrazen shpejt.
“Nëse nuk e bëjmë tani, do të duhet ta pyesim veten se kur do ta bëjmë?” - ka thënë Johnson, pasi ishte detyruar ta braktiste një plan për t’i bërë dredhi kërkesës për karantinë 10-ditore për veten dhe ministrin e Financave Rishi Sunak.
“Ky është çasti i duhur, por duhet të veprojmë me kujdes. Duhet ta mbajmë në mend që fatkeqësisht virusi ende ndodhet këtu pari”.
Britania është e shtata në botë me numrin më të lartë të vdekjeve, 128,708 gjithsej, dhe pritet që së shpejti të ketë edhe më shumë infektime të reja sesa që ka pasur në pikun e valës së dytë të virusit, në fillim të këtij viti. Të dielën ishin 48,161 raste të reja.
Por 87 për qind e të rriturve në Britani e kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe më shumë se 68 për qind i kanë marrë të dyja dozat, që ofrojnë mbrojtje të plotë. Rastet me vdekje, që tani janë 40 në ditë, janë vetëm fraksion i pikut prej mbi 1,800 që ishte në janar.
Nga mesnata, ligjet në Angli që kërkonin bartjen e maskave në dyqane dhe në ambiente të mbyllura ranë, së bashku me numrin e kufizuar të njerëzve në bare dhe restorante dhe në tubime.
Johnson vendos masat kundër COVID-19 për Anglinë, kurse qeveritë në Skoci, Uells dhe Irlandën Veriore i bëjnë ligjet e veta.
Përderisa bizneset në Angli u ballafaquan me mungesë të punëtorëve pasi aplikacioni i NHS-së u ka dërguar mesazhe njerëzve dhe u ka thënë që të izolohen, supermarketet paralajmëruan se përballen me presion.
Shoqëria britanike është e përçarë sa u përket masave: disa duan që masat e ashpra të vazhdojnë nga frika se virusi po shkakton vdekje njerëzish, por të tjerët duan që t’i kthehen normalitetit.
Johnson është përballur me kritika të ashpra të dielën, pasi ai dhe ministri i Financave u munduan që t’i shmangen karantinës me një skemë speciale për ministra dhe shërbyesit civilë. Ai tani do të izolohet në rezidencën e tij në Chequers, pasi ministri i Shëndetësisë Sajid Javid ka rezultuar pozitiv me COVID-19.