Pjesa më e madhe e trupave evropiane janë tërhequr nga Afganistani, pak muaj para se misioni amerikan të përmbyllet zyrtarisht, në atë që rrezikon ta zhys vendin në luftë civile.
Gjermania dhe Itali të mërkurën kanë shpallur të përfunduara misionet e tyre në Afganistan ndërsa edhe trupat e fundit polake janë kthyer në atdhe, pas një angazhimi më se 20 vjeçar.
Ndërkaq zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë bërë të ditur se angazhimi i Shteteve të Bashkuara mund të përmbyllet brenda ditësh, midis tensionimeve të shtuara rreth avancimeve talebane.
Një njoftim i tillë është bërë në kohën kur një komandant amerikan ka paralajmëruar se Afganistani rrezikon të rrëshqas në një luftë civile, pas tërheqjes së trupave të SHBA-së.
Luftimet në vend janë shpeshtuar qëkur SHBA-ja e shpalli muajin e shkuar tërheqjen nga Afganistani deri më 11 shtator.