Botë

Australia e shqetësuar me rritjen e rasteve me variantin Delta të koronavirusit

Sydney - COVID-19

Në Australi ka filluar të rritet numri i rasteve me COVID dhe fajtor për këtë po shihet varianti Delta që së pari është zbuluar në Indi.

Në Sydney janë regjistruar 128 raste të reja, ndërsa një numër i infeksioneve janë regjistruar edhe në Territorin Verior, Queensland dhe Western Australia.

Është hera e parë pas disa muajve që janë paraqitur raste me koronvirus në disa pjesë të Australisë.

Lajmi i fundit është se liderët e shteteve dhe territoreve do të takohen me kryeministrin Scott Morrison të hënën në një takim emergjent.

Josh Frydenberg i Thesarit tha se Australia po përballet me një periudhë kritike në luftën kundër COVID-it, ndërsa disa shtete kanë mbyllur kufijtë dhe janë detruar të vendosin masa të reja kufizuese për ta parandaluar përhapjen.

“Mendoj se po futemi në një fazë të re të pandemisë, me variantin Delta që është më ngjitës”, ka thënë Frydenberg për ABC News.

Eskalimi i rasteve me COVID ka shtyrë qytetet si Sydney e Darwin të mbyllen, si dhe janë aplikuar masa kufizuese në katër shtete.

Situata më shqetësuese mbetet në Sydneu, ku afro 5 milionë banorë janë të detyruar të mbyllen në shtëpi.