Shkencëtarët kanë teorizuar prej kohësh se dhënia e dy vaksinave të ndryshme mund të nxisë reagim më të fortë të sistemit imunitar, mbase për arsyen se vaksinat stimulojnë pjesë të ndryshme të sistemit ose e mësojnë atë të njohë pjesë të ndryshme të një patogjeni pushtues
Disa shtete kanë lejuar imunizimin me vaksina të ndryshme, për të cilat shkencëtarët shpresojnë se do të kenë përfitime. Rasti më i fundit i kësaj është ai i kancelares Angela Merkel, e cila është në mesin e njerëzve të vaksinuar me dy vaksina të ndryshme.
Shumica e vaksinave që po përdoren ndaj koronavirusit janë krijuar për t’u administruar në dy doza dhe gati të gjithë njerëzit në të gjithë botën janë vaksinuar dy herë me të njëjtën vaksinë, po qe se shteti ka pasur doza të mjaftueshme.
Gazeta amerikane “New York Times” shkruan se kjo ka nisur të ndryshojë dhe shumë vende po lejojnë – madje, në disa raste edhe po bëjnë thirrje për vaksinim me vaksina të përziera. Dozën e parë mund të marrin ndryshe prej së dytës. Të martën, Qeveria gjermane ka konfirmuar se kancelarja Merkel është vaksinuar me doza të ndryshme, duke e rritur edhe më shumë interesimin për një praktikë të tillë.
“Shumë shtete kanë nisur një vaksinim të tillë shkaku i nevojës; kur patën mungesa të dozave; ose nga kujdesi, kur u ngritën pyetje për sigurinë e dozave pas fazës së parë të vaksinimit. Rregullatorët amerikanë deri më tani kanë hezituar të bëjnë thirrje për një praktikë të tillë të vaksinimit”, shkruan “New York Times”.
Shkencëtarët dhe autoritetet shëndetësore janë të interesuar për mundësinë që vaksinimi me doza të ndryshme tek i njëjti person të ketë përparësi të konsiderueshme.
Përzierja e vaksinave – që shkencëtarët e quajnë “shtytës heterolog” – nuk është ide e re, vlerëson gazeta njujorkeze. Hulumtuesit për një kohë të gjatë kanë eksperimentuar me përzierje për të luftuar një numër të madh sëmundjesh, siç është Ebola.
Shkencëtarët kanë teorizuar prej kohësh se dhënia e dy vaksinave të ndryshme mund të nxisë reagim më të fort të sistemit imunitar, mbase për arsyen se vaksinat i stimulojnë pjesë të ndryshme të sistemit ose e mësojnë atë të njohë pjesë të ndryshme të një patogjeni pushtues.
“Argumenti është që një dhe një bëjnë tre”, thotë John Moore, virolog në “Weill Cornell Medicine”. “Se sa është i vërtetë ky argument varet nga praktika në zonën e koronavirusit, që do të duhet të gjykohet nga të dhënat aktuale”.

Imuniteti i përforcuar
Përveç përfitimeve të mundshme imunologjike, përzierja dhe përputhja gjithashtu “ofrojnë fleksibilitet shumë të nevojshëm kur furnizimet e vaksinave janë të pabarabarta ose të kufizuara”, thotë Zhou Xing, imunolog në Universitetin McMaster në Kanada, duke folur për “New York Times”.
Provat e shumta klinike janë në proces për të përcaktuar nëse ka përfitime apo pengesa. Studiuesit në Universitetin e Oxfordit po testojnë kombinime të ndryshme të vaksinave - duke përfshirë dozat e kompanive “AstraZeneca”-Oxford, “Pfizer-BioNTech”, “Moderna” dhe “Novavax” - në testimet e Com-Cov dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nisur prova me dozat e përziera dhe të përforcuara.
“Hulumtuesit rusë janë duke testuar një kombinim të vaksinës së tyre “Sputnik V” dhe “AstraZenecas”. Vetë “Sputniku” është disi i bazuar në një qasje ‘përziej dhe përputh; me dozat e para dhe të dyta nga formulimet e ndryshme”, shkruan gazeta “New York Times”.
Shumica e studimeve janë ende në faza të hershme, por disa kanë nxjerrë rezultate preliminare shumë premtuese, shkruan gazeta njujorkeze. Muajin e kaluar, për shembull, një ekip studiuesish spanjoll njoftuan se njerëzit që morën një dozë të vaksinës “AstraZeneca”, pasuar nga dozë e dytë e asaj “Pfizer”, treguan një përgjigje të fortë imunitare.
Ky regjim duket se shkakton një përgjigje më të fortë të sistemit imunitar sesa dy doza të vaksinës “AstraZeneca”, thotë mjeku Xing. Nuk është ende e qartë nëse është më mirë se dy doza të vaksinës “Pfizer”.
Studimet e ndryshme
Të dhënat preliminare nga studimi Com-Cov sugjerojnë se përzierja dhe përputhja e vaksinave mund të rrisin shanset e efekteve anësore të lehta dhe të moderuara, duke përfshirë ethe, lodhje dhe dhimbje koke.
Të dhënat tregojnë se një regjim i papërshtatshëm “mund të ketë disa disavantazhe afatshkurtra”, thonë studiuesit, megjithëse është gjithashtu e mundur që efektet anësore të jenë një shenjë e një përgjigjeje të fortë imune. Shumica e efekteve anësore u zbehën brenda 48 orëve, zbuluan studiuesit.
Mbi të gjitha, shkencëtarët thonë se presin që të dhënat të tregojnë se qasja është e sigurt.
“Siç kemi mësuar në 18 muajt e valëve të COVID-19, kurrë mos thuaj kurrë, por është vërtet e vështirë të racionalizosh çdo rrezik të ri që lidhet me atë që është me të vërtetë një qasje imunologjike themelore, e provuar dhe e testuar”, thotë Daniel Altmann, imunolog në Imperial College London”. “Autoritetet shëndetësore në shumë vende po lejojnë një shkallë të përzierjes dhe përputhjes. Britania e Madhe filloi lejimin e përzierjes së vaksinave në ditët e para të shpërndarjes së vaksinave”, shkruan gazeta “New York Times”.
Zyrtarët në një numër vendesh - përfshirë Gjermaninë, Kanadanë, Suedinë, Francën, Spanjën dhe Italinë - kanë thënë se njerëzit që kanë marrë një dozë të vaksinës “AstraZeneca”, e cila ka qenë e lidhur me një çrregullim të rrallë të mpiksjes së gjakut, mund të marrin një vaksinë tjetër për fazën e dytë të vaksinimit. Gazeta amerikane ka shkruar se Koreja e Jugut për shkak të vonesave të dozave të “AstraZenecas”, njoftoi javën e kaluar se punonjësit e kujdesit shëndetësor që kishin marrë dozën e parë të asaj vaksine mund të merrnin “Pfizerin” si dozë të dytë.
Paneli këshillues i vaksinave në Kanada gjithashtu ka thënë se vaksinat “Pfizer” dhe “Moderna” mund të kombinohen.
Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve ka qenë më e ngurtë për këtë përzierje. Ajo ka thënë se njerëzit që janë vaksinuar së pari me “Pfizer” ose “Moderna”, mund ta marrin një dozë të ndryshme vetëm në situata të jashtëzakonshme, të tilla kur nuk ka doza të mjaftueshme të vaksinës së parë që kanë marrë njerëzit.
“Nuk mund ta imagjinoj se Administrata do të lejojë këtë lloje strategjie të përzierjes pa ndonjë vlerësim të duhur të të dhënave klinike”, thotë Moore.

Guximi i Merkelit
Gjermania është mbrojtëse e fortë e privatësisë mjekësore, madje edhe të udhëheqësve, por zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert, thotë se zgjedhjet e saj për sa u përket vaksinave ishin për t’u marrë shembull.
Raportet e izoluara të mpiksjes së gjakut shtynë shumë vende evropiane që të pezullonin përkohësisht përdorimin e “AstraZenecas” në muajin mars. Shumë prej tyre, përfshirë Gjermaninë, e vazhduan përdorimin e kësaj vaksine pak javë më vonë, pasi që u rishikua nga Rregullatori i Barnave në Bashkimin Evropian. Mirëpo kur Merkeli mori dozën e parë të “AstraZenecas” fillimin e prillit, shumë njerëz mbetën skeptikë, duke ngadalësuar fushatën e vaksinimit.
“Me marrjen e vaksinës së A”straZenecas”, kancelarja e përçoi sinjalin se shumë njerëz mund të vaksinohen me ‘AstraZeneca’”, thotë Seibert.
Komisioni i vaksinave të Gjermanisë rekomandoi në muajin prill se kushdo që është nën moshën 60-vjeçare e që e kishte marrë dozën e parë të “AstraZenecas”, mund të merrte dozën e dytë të “Pfizerit” ose “Modernas”. Rregullatorët e zbehën këtë mundësi edhe më shumë në qershor, mirëpo Merkeli, 66-vjeçare, mori vaksinën “Moderna” ditë më parë.
“Ndoshta i lehtësoi njerëzit nga shqetësimet e tyre për të ashtuquajturin ‘vaksinim të kryqëzuar, duke marrë një për vete”, thotë Seibert.
Nuk është e qartë përse mori ajo vaksinën “Moderna”, kur ekziston një krenari e madhe në Gjermani për punën e “BioNtechut”, kompani gjermane.
Moore nga Weill Cornell thotë se nuk e sheh problemin te përzierja e vaksinave, por çfarë këshille mjekësore kishte marrë Merkeli. Thotë se dyshon që të njëjtën gjë do ta kishte bërë edhe presidenti amerikan në këtë fazë të pandemisë, sepse rregullatorët amerikanë, që janë shumë të kujdesshëm, ende nuk kanë miratuar përzierjen e vaksinave.
Përgatiti: Gent Mehmeti