Botë

Arrestohet prifti në Athinë, sulmoi me acid shtatë peshkopë

Është arrestuar një prift në Athinë, pasi hodhi acid te shtatë peshkopë në një kishë ortodokse greke, ka njoftuar Policia, raporton BBC.

Sulmi ka ndodhur gjatë një seance disiplinore kundër 36-vjeçarit të mërkurën mbrëma.

Tre peshkopë po trajtohen në spital për djegie, shumica në fytyrën e tyre.

Një polic, që ka vrapuar për të ndihmuar peshkopët, po ashtu është dërguar në spital.

I dyshuari, një prift që rrezikonte të përjashtohej nga kisha, ishte akuzuar për përfshirje në trafikim të drogës, raporton agjencia ANA.

Peshkopët ishin mbledhur për të diskutuar për heqjen e tij nga priftëria, pasi prifti ishte kapur me 1.8 gramë kokainë në qershor të vitit 2018.

Prifti kishte sjellë me vete një shishe të madhe me lëngë në seancën në Manastirin Petraki në qendër të Athinës.

Një rrojë, që kishte kapur priftin te porta e manastirit, po ashtu mori djegie dhe u dërgua në spital.

Ministri i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias, ka vizituar viktimat në spital dhe ka thënë se ata do të transferohen për operacione plastike.

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou ka dënuar sulmin, ndërsa kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka folur me kreun e kishës greke, kryepeshkopin e Athinës, Ieronymos II.

Mitsotakis ka thënë se është thellësisht i pikëlluar dhe ka siguruar se peshkopëve do t’u ofrohet gjithë ndihma e nevojshme mjekësore. U ka uruar atyre shërim të shpejtë.