Botë

BE-ja e shtron në tavolinë çështjen e fondeve për Turqinë rreth refugjatëve

Dy diplomatë, të cilët janë pjesë e planit më të gjerë rajonal për refugjatët, kanë bërë të ditur se Bashkimi Evropian do ta shqyrtojë në samitin e së enjtes në Bruksel mundësinë e ndarjes së 3.5 miliardë eurove për Turqinë, në emër të mbajtjes në vend të refugjatëve sirianë deri më 2024

Bashkimi Evropian është duke e shqyrtuar mundësinë që t’ia ndajë Turqisë 3.5 miliardë euro për mbajtjen në vend të refugjatëve siriane deri më 2024, kanë bërë të ditur të mërkurën dy diplomatë që janë pjesë e planit më të gjerë rajonal për refugjatët me qëllim të ndalimit të emigrantëve për të arritur në vendet e bllokut.

Pakoja prej gjithsej 5.77 miliardë eurosh e paraparë për Turqinë, Jordaninë, Libanin dhe Sirinë, e cila është pjesë e projekteve humanitare dhe jo e qeverive, synon parandalimin e një fluksi të ri refugjatësh në BE dhe sigurimin e kohës shtesë derisa lufta civile më se 10-vjeçare në Siri të marrë fund.

Turqia ka hapur dyert për rreth katër milionë refugjatë sirianë dhe ka shpenzuar më shumë se 40 miliardë dollarë për ofrimin e shërbimeve themelore, ndërsa kërkon që fondet e BE-së t’i paguhen drejtpërsëdrejti Qeverisë në Ankara. Liderët e BE-së, të shqetësuar shkaku i asaj që e konsiderojnë si autoritarizëm në ngritje të Turqisë dhe përkeqësimin e të dhënave të vendit në rrafshin e të drejtave të njeriut, nuk pritet që ta pranojnë këtë kërkesë të Ankarasë. Ata po ashtu e akuzojnë Turqinë se po i përdor emigrantët si një kartë, gjë kjo të cilën Ankaraja e hedh poshtë.

27 liderët e bllokut pritet që ta mbështesin propozimin për financim të Komisionit Evropian në samitin e së enjtes në Bruksel.

Megjithëkëtë, për dallim prej pakos së mëhershme prej 6 miliardë eurosh që i janë paguar pjesërisht vendit nga qeveritë evropiane, paratë do të sigurohen krejtësisht nga buxheti i përbashkët i BE-së, andaj për lëshimin e tyre do të nevojitet miratimi i Parlamentit Evropian. Kjo gjë e hap mundësinë për rinisjen e debatit torturues të BE-së lidhur me marrëdhëniet me Turqinë, të cilën ligjvënësit e kanë akuzuar prej kohësh për shtypjen e lirive të shprehjes dhe për burgosjen e kundërshtarëve politikë pa gjykim adekuat. Edhe këto akuza Ankaraja i ka hedhur poshtë vazhdimisht.

Nën marrëveshjen fillestare të marsit të 2016-s, Turqia është pajtuar që t’i pranojë të gjithë emigrantët dhe refugjatët që e kalojnë Egjeun për të hyrë ilegalisht në Greqi në këmbim të fondeve. Nga ana e saj, BE-ja ka premtuar edhe heqjen e vizave për turqit që vizitojnë Evropën, si dhe përshpejtimin e përpjekjeve të Ankarasë për anëtarësim në bllok, ndonëse bisedimet për këtë çështje janë bllokuar.

Liderët e BE-së do të kërkojnë të enjten ringjalljen e këtyre zotimeve, duke i ofruar Ankarasë “gatishmërinë e bllokut për angazhim me Turqinë... në fuqizimin e bashkëpunimit për shumë sfera të interesit të përbashkët”, thuhet në draftin e deklaratës finale të samitit, qasje në të cilën ka siguruar agjencia Reuters.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, është takuar gjatë fundjavës me shefin për politika të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, për të diskutuar rreth emigracionit, liberalizimit të vizave dhe lidhjeve Turqi-BE. Ai gjatë konferencës për shtyp ka thënë se BE-ja duhet “të kthehet në tryezën” e negociatave me Turqinë.

“Presim hapa konkretë nga BE-ja, tani”, ka thënë Çavushoglu. “Janë bërë më shumë se 1.5 vjet dhe nuk kemi marrë ende asnjë pagesë të re për çështjen. Shpresojmë se ky samit do të jetë pikë kthese dhe se ata nuk duhet që ta bllokojnë Turqinë”. \ AP-Reuters