Presidenti i parë i shtetit të Zambisë, Kenneth Kaunda, ka vdekur në moshën 97-vjeçare. Kaunda ishte presidenti i fundit i brezit të udhëheqësve afrikanë që luftuan kolonializmin. Ai vuante nga pneumonia dhe ishte shtruar në një spital ushtarak në kryeqytetin Lusaka.
Postin e presidentit e kishte marrë në vitin 1964, raporton BBC. Si kreu i Partisë së Bashkuar të Pavarësisë Kombëtare, me bindje politike të majta, Kaunda udhëhoqi vendin rreth një dekadë në sistemin njëpartiak. Dorëheqje kishte dhënë më 1991 pasi humbi zgjedhjet.
Qeveria e Zambisë ka shpallur tri javë zie kombëtare, derisa Fondacioni “Nelson Mandela” deklaroi se kontributi i Kaundës në luftën kundër kolonializmit dhe aparteidit nuk do të harrohet.