Të martën, kur AP-ja publikoi për herë të parë hulumtimin në lidhje me zhdukjen dhe vjedhjen e armëve, senatori demokrat Richard Blumenthal gjatë mbledhjes së Komitetit të Shërbimeve të Armatosura ka kërkuar kthimin e raporteve të rregullta për armët. Në një deklaratë për AP-në, Pentagoni ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me Kongresin për mbikëqyrjen e rregullt të armëve
Ushtria amerikane ka fshehur ose minimizuar nivelin e armëve të zhdukura, duke shpërfillur humbjet dhe vjedhjet. Ka heshtur kur armët e vjedhura nga ushtria janë përdorur për krimet në rrugë.
Modeli i fshehtësisë dhe i shtypjes së rasteve brenda ushtrisë daton tash e një dekadë, kur Associated Press filloi të hetonte përgjegjësinë për armët brenda ushtrisë. Për vite me radhë, zyrtarët kundërshtuan publikimin e informacioneve, pastaj nisën të ofronin të dhëna që binin ndesh me të dhënat e brendshme të ushtrisë.
Armët e ushtrisë jo vetëm që po zhduken. Armët e vjedhura janë përdorur në sulme masive, në plaçkitje dhe kërcënime të shumta. Plaçkitësit, automatikët i kanë shitur te bandat e rrugës.
Zyrtarët e ushtrisë duke u bazuar në të dhënat e tyre kanë thënë se vetëm disa qindra armë janë zhdukur në vitin 2010. Të dhënat e brendshme të ushtrisë, të cilat i ka siguruar Associated Press, tregojnë për humbje shumë herë më të larta sesa raportimi i zyrtarëve ushtarakë.
Petku i sekretit për një temë të ndjeshme
Përpjekjet për të fshehur informacionet datojnë nga viti 2012, kur AP-ja bëri kërkesë të “Aktit të Lirisë së Informacionit”, duke kërkuar të dhëna nga katër shërbimet ushtarake për të ofruar raportet e armëve të humbura dhe të plaçkitura.
Ish-burimi brenda ushtrisë që mbikëqyri regjistrin e armëve, tregoi se si përpiloi një raport për armët e humbura ose të vjedhura të ushtrisë, por më vonë mësoi se shefat e tij bllokuan publikimin e tij. Teksa AP-ja vazhdonte presionin për informacione, edhe me sfidat ligjore, ushtria bëri një listë të armëve që mungonin. Lista ishte aq e pakompletuar sa zyrtarët më vonë e kundërshtuan. Më vonë realizuan edhe raportin e dytë, por nuk ofroi humbjet dhe vjedhjet e sakta të armëve të ushtrisë.
Sekreti që mbërthen një temë të ndjeshme shtrihet përtej ushtrisë. Forcat Ajrore nuk donin të ofronin të dhëna për armët e humbura, duke thënë se përgjigje, AP-ja duhet të priste për regjistrimin federal të armëve. Për këtë raport, agjencia e lajmeve bëri kërkesë para 1 viti e gjysmë.
Departamenti i Mbrojtjes gjithashtu nuk ka publikuar raporte të humbjeve të armëve. Këto raporte i merr nga shërbimet e armatosura. Ky raport do të siguronte numrin e përafërt me hulumtimin e AP-së.
Pentagoni shumë vjet më parë ndërpreu shpërndarjen e rregullt të informacionit në lidhje me armët e humbura në Kongres. Ndërprerja u bë në vitet ’90. Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes kanë thënë se do të njoftonin ligjvënësit nëse një vjedhje ose humbje e armëve plotëson përkufizimin “domethënës”, por njoftime të tilla nuk janë bërë të paktën që prej vitit 2017.
Të martën, kur AP-ja publikoi për herë të parë hulumtimin në lidhje me zhdukjen dhe vjedhjen e armëve, senatori demokrat Richard Blumenthal gjatë mbledhjes së Komitetit të Shërbimeve të Armatosura ka kërkuar kthimin e raporteve të rregullta për arët. Në një deklaratë për AP-në, Pentagoni ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me Kongresin për mbikëqyrjen e rregullt të armëve. Blumenthal e ftoi sekretaren e ushtrisë, Christine Wormuth, që të publikonte informacionet nga dega së cilës i shërben.
“Do të isha e lumtur të shikoja se si e kemi trajtuar këtë çështje”, ka thënë Wormuth. Ajo është shprehur e hapur ndaj kërkesës për raportim dhe ka thënë se numri i armëve ushtarake të vjedhura nga civilët, me shumë gjasa është shumë i vogël. Thyerjet e sigurisë ishin të dukshme deri në njësitë individuale, të cilat kanë shkatërruar regjistrimet dhe kanë falsifikuar kontrollet e inventarit. Gjithashtu kanë injoruar procedurat.

Përgjigje e paqartë
Gjenerali Duane Miller, zyrtari numër dy për zbatimin e ligjit në ushtri, ka thënë se kur një armë zhduket, çështja hetohet deri në fund. Gjenerali ka theksuar se çështjet e armëve janë një pjesë e vogël e më shumë se 10 mijë rasteve kriminale që hetuesit ushtarakë hapin çdo vit.
“Absolutisht besoj që procedurat që kishim zbutnin çdo rast të humbjes apo vjedhjes së armëve”, ka thënë Miller nga përvoja e tij si komandant. “Por a ndodh kjo? Sigurisht që po?”.
Për të siguruar të dhënat nga regjistrimi duhej një kërkesë zyrtare e Ligjit për lirinë e Informacionit.
Kjo kërkesë, e paraqitur në vitin 2012, i shkoi Charles Royalit, atëherë punonjës civil i ushtrisë. Për një kohë të gjatë ishte përgjegjës për regjistrin në Redstone Arsenal në Alabama.
Royali ishte mësuar me kërkesat e tilla. Agjencitë ushtarake dhe ato civile të zbatimit të ligjit e thërrisnin mijëra herë çdo vit, shpesh, sepse po kërkonin një armë ushtarake ose kishin gjetur një të tillë.
Në përgjigje të kërkesës së AP-së, Royal tërhoqi dhe kontrolloi dy herë të dhënat për armët e humbura. Pastaj rezultatet ia tregoi shefit të tij, zëvendëskomandantit të Departamentit. “Pasi i mori të dhënat, ai na tha: ‘Nuk mund të lejojmë që këto të publikohen’”, ka thënë Royal që u pensionua në vitin 2014.
Shefi i tij nuk tregoi saktësisht përse, por Royali ka thënë se raporti që kishte përgatitur për armët është diskutuar gjerë e gjatë në ushtri.
“Numrat që do t’i publikonim, do të befasonin të gjithë në njëfarë mase”, ka thënë Royal – jo vetëm sepse ishin armë, por ushtria kërkonte mbikëqyrje të rreptë të tyre.
Vetëm në vitin 2019 ushtria lëshoi një pjesë të vogël të të dhënave. Ato treguan humbjen ose vjedhjen e 288 armëve të zjarrit për gjashtë vjet.
Megjithëse ishin në proces, përgjigjja ishte qartë e paplotë.
Duke qëndruar në bibliotekën publike në Decatur të Alabamas, gjatë vjeshtës së shkuar, Royali i lexoi shtatë faqet e të dhënave që ushtria ia ofroi përfundimisht AP-së.
“Këto janë të pavlefshme”, ka thënë ai.
Ka thënë se për shumë vjet, ushtria raportoi për vetëm një armë të zhdukur. Për këtë Royal ishte skeptik. “Nga miliona rastet që u trajtuan, kjo është e gabuar”, ka thënë ai në një intervistë për AP-në.
Të dhënat nuk ishin të sakta kur krahasoheshin me të dhënat e hetimit penal të ushtrisë. Duke përdorur numrat serikë të caktuar për çdo armë, AP-ja ka identifikuar 19 armë të humbura, të cilat nuk ishin në të dhënat e regjistrit. Kjo përfshinte një mitraloz M240B, që si njësi e Gardës Kombëtare u raportua si e zhdukur në Wyoming gjatë vitit 2014. Ushtria nuk ka mundur të sqaronte mospërputhjen e të dhënave.
Si përgjigje, Komanda e Hetimit Penal të Ushtrisë ofroi përmbledhje të hetimeve të mbyllura për armë të humbura ose të vjedhura, pjesë armësh, eksplozivë ose municione. Zëdhënësi i ushtrisë, nënkoloneli Brandon Kelley, ka thënë se të dhënat ishin “lista më e saktë e ushtrisë e humbjeve fizike”. Përsëri nga të dhënat e siguruara gjithsej 230 pushkë ose pistoleta të humbura gjatë viteve 2010 – ishin lënë anash.
Regjistrimet nuk pasqyrojnë disa çështje kryesore të mbyllura dhe çështjet e hapura të përjashtuara, të cilat zakonisht kërkojnë vite për të përfunduar. Kjo do të thoshte se hetuesit e armëve që përpiqen në mënyrë aktive për t’i gjetur armët, nuk ishin pjesë e numrit totalit.
Dy përgjigjet e para të ushtrisë - 288 dhe 230 - kundërshtohen nga një analizë e brendshme, një që zyrtarët fillimisht e mohuan se e kishin bërë.
I pyetur në një intervistë nëse ushtria analizon trendët e humbjes së armëve, Milleri ka thënë shkurt: jo.
“Nuk shpenzoj shumë kohë për të ndjekur këto të dhëna”, ka thënë Miller.
Në fakt, në vitet 2019 dhe 2020, ushtria shpërndau memorandume që e cilësonin humbjen e armëve si “me rëndësi shumë të lartë”. Numri i armëve dhe i pjesëve të vjedhura ka mbetur i njëjtë ose është rritur në shtatë vjet memorandume, të quajtura ALARACT.
Një analizë e trendit në dokument përmendi vjedhjen dhe “neglizhencën” si faktorë më të zakonshëm. Memorandumi numëronte 1 mijë e 303 pushkë dhe pistoleta të humbura mes viteve 2013-2019. Në po të njëjtin shtatëvjeçar, të dhënat hetimore që ushtria i deklaroi si autoritare, treguan për 62 pushkë dhe pistoleta të humbura ose të vjedhura.
Zyrtarët e ushtrisë kanë thënë se një numër që ata nuk mund ta specifikonin u gjetën në mesin e 1 mijë e 303 armëve. Të dhënat, të cilat mund të përfshijnë disa prej armëve të humbura që përfshijnë edhe dublikate, u gjetën në hetimet dhe raportet e incidenteve. Memorandumet e brendshme nuk janë “një dokument autoritar” dhe nuk u kontrolluan nga afër, duke pasur parasysh publikimin, ka thënë Kelley, zëdhënës i ushtrisë.
Anëtarët e Divizionit të sigurisë fizike të Miller-it po ndiqnin të dhënat, megjithëse gjenerali ka thënë se personalisht nuk ishte i vetëdijshëm për memorandumet derisa AP-ja ia solli ndërmend. Ai ka thënë se po të ishte në dijeni, do t’i bënte publike.
“Kur një armë humb, unë shqetësohem. Kur humbin 100 armë, shqetësohem. Kur 500 humbin, unë shqetësohem”, ka thënë Milleri.
Çdo shërbim i armatosur supozohet që ta informojë Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes për humbjet ose vjedhjet. Ajo zyrë gjithashtu nuk ka ofruar të dhëna për AP-në, por zëdhënësi John Kirby i dha numrat e përafërt të armëve të humbura për vitet e fundit. Numrat ishin më të ulët se totali i AP-së.
“Nuk ka asnjë përpjekje për t’u fshehur”, ka thënë Kirby. “Nuk ka asnjë përpjekje për t’i penguar hetimet”.
Përktheu: Gent Mehmeti