Knesseti izraelit i ka dhënë bekimin Qeverisë së udhëhequr nga milioneri i sektorit të teknologjisë, Naftali Bennett, njëherësh shef i partisë radikale izraelite Yamina. Ai tani është kryeministri i parë në historinë e vendit me prapavijë fetare radikale djathtiste që ka shkarkuar “mësuesin” e tij të dikurshëm, Benjamin Netanyahu, duke i dhënë fund epokës së tij dymbëdhjetëvjeçare në qeverisje, ka raportuar të hënën Al-Jazeera, në një profil të përgatitur për shefin e ri të Qeverisë.
I emëruar pas një seance të bujshme të së dielës, gjatë së cilës ka shpërthyer kaosi dhe një numër i caktuar i anëtarëve të Knessetit janë përjashtuar nga salla, Parlamenti i ka dhënë miratimin Bennettit me 60 vota për dhe 59 kundër.
Në krye të Qeverisë së koalicionit ai do të ndërrojë ulëse me ish-udhëheqësin e njohur televiziv, Yair Lapid, shef i partisë centriste opozitare “Ka të ardhme”. Në marrëveshjen e arritur të qeverisjes është dakorduar që Bennetti të bëhet kryeministër në dy vjetët e parë, ndërsa Lapidi në të dy të fundit e mandatit. Kësisoj, djathtisti do ta prijë vendin deri më 27 gusht 2023, e më pas funksionin e të parit të Qeverisë do ta marrë Lapidi deri në nëntorin e 2025-s.
Por kush është Naftali Bennetti, ish-njeriu i dikurshëm i Netanyahut që e rrëzoi atë nga posti i kryeministrit?
“I lindur në Haifa më 25 mars 1972, Bennett ka shërbyer në njësitin e forcave speciale të ushtrisë izraelite ‘Sayeret Matkal’, njëjtë sikurse Netanyahu. Në politikë ka hyrë pasi që më 2005 ka shitur kompaninë e tij teknologjike për 145 milionë dollarë. Më pas është bërë shef i zyrës së Netanyahut, gjatë kohës sa ai ishte në opozitë. Pas largimit nga kjo detyrë, më 2010 është bërë kryetar i Këshillit Yesha, i cili i përfaqëson kolonët hebraikë në Bregun e okupuar Perëndimor dhe në Gazë”, ka shkruar AJ.
Më 2012 është zgjedhur për lider të partisë së të djathtës ekstreme “Shtëpia hebraike”, e cila përballej me mundësinë e humbjes së dy vendeve të saja në Parlament. Ka arritur që ta forconte praninë parlamentare të partisë për katër fish, pasi që ka adresuar një sërë deklarata të ashpra për përleshjet me palestinezët. Ka bërë thirrje për vrasjen e “terroristëve” palestinezë, në vend të lënies së tyre në liri. Po ashtu ka thënë se Bregu Perëndimor nuk është i okupuar, ngase “aty nuk as që ka ekzistuar shteti palestinez”.
Bennetti konsideron se përleshjet izraelito-palestineze nuk mund të zgjidhen, e konsiderohet si njëri prej kundërshtarëve më të theksuar të krijimit të shtetësisë palestineze.
Me gjithë prapavijës së tij djathtiste e fetare, Bennetti nuk frenohet në shtrëngimin e duarve me gratë dhe nuk e interesojnë çështjet që ndërlidhen me statusin e fesë në vend.
Para se ta merrte funksionin e kryeministrit, Bennetti ka ushtruar më herët pesë funksione ministrore, mes tjerash edhe në atë të Mbrojtjes, më 2020.
Me gjithë rezultatin deri diku të dobët të partisë së tij në zgjedhjet e mëparshme të Izraelit, në marsin e 2021-s, ai gjatë javës së fundit ia ka dalë që të bëhet “ujdibërësi” në negociatat e zhvilluara për formimin e Qeverisë së koalicionit, e cila i ka dhënë fund epokës prej 12 vjetëve në detyrë të kryeministrit më jetëgjatë, Benjamin Netanyahu, ka raportuar Al-Jazeera.
Të hënën, liderët botërorë e kanë uruar për detyrën e re. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar menjëherë një bisedë telefonike me Bennettin dhe i ka shprehur gatishmërinë e tij për ta thelluar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, duke pretenduar se “Izraeli nuk ka mik më të mirë sesa SHBA-ja”. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se vendi i tij është i palëkundur në përkrahjen ndaj jetës në paqe mes Izraelit dhe palestinezëve, pas përleshjeve të fundit. Kurse kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka uruar Benettin dhe ka theksuar vullnetin për bashkëpunim.
Ndërsa ai vetë ka theksuar se me ardhjen e tij, Izraelin e presin “ditë të bardha”. \ Al-Jazeera
Përktheu: Nita Lleshi