Botë

Pas pandemisë, BE-ja duhet të dëshmojë se ia vlen

Për ta ringjallur projektin e kahershëm, liderët e Evropës duhet të garantojnë se unioni është përnjëmend një fuqi globale

Teksa sezoni i pushimeve verore po afron dhe certifikatat digjitale të Bashkimit Evropian për vaksinimin ndaj COVID-19 do të hyjnë në fuqi më 1 korrik, një garë kundër ka marrë hov.

Liderët evropianë duhet të trimërojnë një numër të mjaftueshëm të qytetarëve të tyre për t’u paraqiten për vaksinim, ashtu që të garantojnë se rihapja e udhëtimeve përreth bllokut të mos shpjerë drejt një vale të re infektimesh.

Revista e njohur politike amerikane “Foreign Policy” ka shkruar në një analizë të sajën se gjatë vitit të shkuar opsioni më i lehtë për kontrollimin e sëmundjes ka qenë kufizimi i udhëtimeve nëpër Evropë. Porse kjo mundësi më nuk pi ujë, pasi që qytetarët janë duke u ndier përherë e më të relaksuar.

Një sondazh i ri i porositur nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), i kryer gjatë prillit dhe majit, ka treguar se shumica e evropianëve ose nuk i besojnë më BE-së, ose se besimi i tyre ka rënë ndjeshëm gjatë pandemisë.

Presioni për demonstrimin e vlerës së unionit

Në Gjermani peizazhi është më i zymti: Është shënuar 10 për qind ngritje, më e larta mes vendeve të vëzhguara, në qëndrimin se integrimi në BE ka shkuar tepër larg. Sondazhet e tjera, përfshirë barometrin e pranverës së 2021-s nga Parlamenti Evropian, e shpërfaqin humbjen e besimit në institucionet e BE-së, kryesisht si rezultat i keqmenaxhimit me shpërndarjen e vaksinave. Shpërndarja e këtyre kurave në bllok mezi ka filluar në gjysmën e dytë të prillit, kur procesi veçse kishte nisur në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Siç presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka pranuar vetë ‘ne ishim tepër të ngadaltë në autorizim. Ishim tepër optimistë kur bëhet fjalë për prodhimin në masë dhe mbase ishim tejet të bindur se ato që i kishim porositur në fakt do të na mbërrinin”, ka shkruar “Foreign Policy”.

Kësisoj, liderët evropianë po përballen me presionin përherë më të madh për ta dëshmuar vlerën e unionit para votuesve të tyre. Ndonëse, sipas FP-së, të dhënat kanë sugjeruar se është bërë tepër vonë që liderët e BE-së të demonstrojnë kompetencë për menaxhimin e pandemisë, ata munden dhe do të duhej të shpërfaqnin udhëheqje në rimëkëmbjen nga pandemia.

“Rikrijimi i kushteve që ua lejojnë qytetarëve të punojnë, jetojnë dhe udhëtojnë normalisht nëpër Evropë është një prej mënyrave se si institucionet dhe vendet anëtare të BE-së mund ta ringjallin projektin evropian, ashtu që qytetarët të përfitonin sërish prej njërës nga parimeve themeltare të projektit: liria e lëvizjes për lehtësimin e lidhjes shoqërore, kulturore dhe ekonomike”, ka shkruar gazeta amerikane. Porse ka kujtuar se ndërtimi i rolit global të BE-së është një tjetër mënyrë efikase.

Kur qytetarët janë pyetur se cili është vizioni që do ta identifikonte më së miri BE-në në sytë e tyre, më shumë se 50 për qind syresh kanë zgjedhur një bllok me rol të fuqishëm global: ose si pishtar i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut, ose si një prej fuqive të mëdha botërore, të aftë për ta mbrojtur veten nga kërcënimet e jashtme.

Ndonëse është evidentuar një lloj përmirësimi në perceptimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën presidentin Joe Biden, qëndrimi mbizotërues në Evropë është se sistemi politik i SHBA-së është thyer si rrjedhojë e presidencës së turbullt të Donald Trumpit. Mezi çdo i pesti i anketuar ka theksuar se e sheh SHBA-në si një “aleat” që i ndan “vlerat dhe interesat” e Evropës. Shumica (44 për qind syresh) janë të mendimit se Amerika është “një partner i domosdoshëm”, me të cilin “duhet bashkëpunuar strategjikisht” në skenën ndërkombëtare.

Ky sfond, sipas FP-së, i ndërlikon gjërat kur vjen puna te ndërtimi i rolit global të BE-së dhe nënkupton se një baraspeshë delikate duhet të ruhet midis BE-së e SHBA-së, për shembull për formësimin e rendit të bazuar në rregulla përtej COVID-19. Porse evropianët tani më shumë parapëlqejnë një botë me partnerë strategjikë e jo një të tillë me aleanca automatike. Kësisoj janë përgjigjur shumica e të anketuarve kur janë pyetur se si do t’i karakterizonin aktorët e tjerë globalë, si Mbretërinë e Bashkuar, Rusinë dhe Kinën, në rrafshin e partnerëve strategjikë.

“Në këtë mes, përjashtim ka paraqitur Turqia, për të cilën qëndrimi më i përgjithshëm i të anketuarve ishte se është kundërshtar i Evropës”, ka shkruar “Foreign Policy”.

Pika e kthesës

Pavarësisht të gjithash, qytetarët duan përgjithësisht që BE-ja të ngrihet për diçka më tepër sesa vetëm për interesat evropiane. Pjesa më e madhe e të anketuarve kanë pasqyruar një vizon të BE-së si pishtar i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut. E kjo gjë, sipas gazetës, i angazhon liderët e bllokut që të ndërmarrin veprime kundruall shkeljeve enorme të së drejtave të njeriut, si rasti i rrëmbimit të aeroplanit nga ana e Bjellorusisë apo konflikti izraelito-palestinez.

“Shumica e evropianëve po ashtu pajtohen se BE-ja duhet t’i jetësojë zotimet për shpërndarjen e vaksinave, qoftë para apo menjëherë pas imunizimit të vetë qytetarëve të saj. Fuqia e butë kuptohet si pjesë esenciale e fuqisë evropiane. Por koha për të biseduar rreth natyrës dhe domosdoshmërisë së sovranitetit të Evropës ka mbaruar: Ekzistenca e BE-së është fakt dhe unioni duhet të hidhet në veprim, si një aktor global, para se qytetarët ta humbin besimin”, thuhet në analizën e revistës politike mbi ndikimin e bllokut në botë.

Tani, në kohën kur bota po e sheh diku në fund të tunelit një fije drite për kthimin në jetë pas pandemisë, BE-ja ndodhet përnjëmend në një pikë kthese. Ani pse aftësia e saj për të vepruar karshi kërcënimeve që i godasin jetët e përditshme të qytetarëve është vënë në pikëpyetje nga fillimi i ngadaltë dhe kaotik i vaksinimit, ekziston një shtegdalje nga kriza.

“Po qe se liderët janë të gatshëm që ta ndërmarrin”, ka konstatuar gazeta.

Me gjithë zemërimin e votuesve me BE-në, 59 për qind e të anketuarve kanë bërë të ditur se besojnë që kriza me COVID-19 ka shpërfaqur nevojën për bashkëpunim më të madh në nivel Evrope. Por prapëseprapë, ka shkruar FP-ja, brishtësia e përbashkët pas COVID-19 nuk do të mjaftojë për ta çuar përpara projektin evropian.

“BE-ja duhet tani që ta demonstrojë kapacitetin e saj për të vepruar në skenën globale... dhe samiti i qershorit BE-SHBA është mundësi e mirë për këtë”, thuhet në analizë.

Trembëdhjetë vjet pas nënshkrimit të Traktatit të Lisbonës, që ka vënë në lëvizje ndërtimin e politikave të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, logjika për ndërtimin e sovranitetit strategjik evropian tani duket se u fle qytetarëve evropianë. Por aktori evropian që shfaqet në botën e paspandemisë duhet që të veprojë në aspektin evropian dhe t’i çojë përpara ato që qytetarët i perceptojnë si vlera të projektit. Krejt kjo me qëllim të ruajtjes së mandateve të tyre për t’i përfaqësuar qytetarët ata dhe interesat e tyre në botë.

Përgatiti: Nita Lleshi