Vendimi i një gjykate ruse për t’i shpallur ‘’ekstremiste’’ grupet e lidhura me kritikun e burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, nuk ka asnjë bazë ligjore në kushtetutën e Rusisë, ka thënë të enjten Bashkimi Evropian, duke pohuar se vendimi tregoi rritje të autoritarizmit.
"Vendimi i djeshëm nga një gjykatë në Moskë për të etiketuar organizatat e afërta me Alexei Navalny si "grupe ekstremiste" shënon përpjekjen më serioze të deritanishme nga qeveria ruse për të shtypur opozitën e pavarur politike", kanë thënë 27 qeveritë e BE-së në një deklaratë.
"Është një vendim i pabazuar që konfirmon një model negativ të një goditje sistematike të të drejtave dhe lirive të njeriut të cilat janë të sanksionuara në kushtetutën Ruse", thuhet tutje në reagimin BE-së.
Ashtu si Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje presidentit Rus Vladimir Putin për të liruar Navalnyn dhe ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të lartë rusë.
Navalny, në burg për shkelje të lirimit me kusht në lidhje me një rast përvetësimi që ai thotë se ishte shpifur, ngriti një sfidë të guximshme për Putinin përmes protestave në rrugë.
Vendimi i së mërkurës, kapitulli i fundit ndaj kundërshtarit më të egër të brendshëm të Putinit, i jep një goditje një rrjeti të gjerë politik që Navalny ndërtoi për të sfiduar kontrollin e udhëheqësit rus në pushtet.