Botë

Telashet me origjinën e COVID-19

Një dokument që tërhoqi vëmendjen është një fletë faktesh nga Departamenti i Shtetit, i publikuar në ditët e fundit të administratës së Trumpit. Ky dokument vuri në dukje se SHBA-ja besonte se tre studiues në laboratorin e Wuhanit kërkuan trajtim mjekësor për një sëmundje respiratore në nëntorin e vitit 2019

Dikur e përjashtuar nga shumica e ekspertëve të shëndetit publik dhe zyrtarëve të qeverisë, hipoteza se COVID-19 është përhapur aksidentalisht nga një laborator kinez tani është duke u hetuar seriozisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekspertët thonë se hetimi 90-ditësh, i urdhëruar nga presidenti Joe Biden më 26 maj, do t’i shtyjë agjencitë amerikane të inteligjencies që të tubojnë më shumë informacione dhe t’i rishikojnë ato që tashmë i kanë në duar.

Ish-zyrtarët e Departamentit të Shtetit nën mandatin e presidentit Donald Trump kanë bërë presion për hetime të mëtejshme mbi origjinën e koronavirusit, ashtu siç kanë bërë edhe shkencëtarët së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Shumë shkencëtarë, përfshirë ekspertin e sëmundjeve ngjitëse Anthony Fauc, thonë se ende besojnë që virusi me shumë gjasë ka nisur në natyrë dhe ka kaluar nga kafshët te njerëzit. Hulumtuesit e virusit publikisht nuk kanë identifikuar ndonjë provë se hipoteza e përhapjes laboratorike ka mundur të jetë e vërtetë.

Ekspertët e viruseve thonë se edhe në këto 90 ditë nuk ka gjasa të ketë ndonjë përgjigje përfundimtare në lidhje me origjinën e virusit. Puna për të konfirmuar plotësisht origjinën dhe rrugën e viruseve të së kaluarës – si SARSI-i ose HIV/AIDS – ka marrë shumë vite ose dekada.

Hetimi i Inteligjencies

Presidenti Biden urdhëroi rishikimin e asaj që Shtëpia e Bardhë e deklaroi si zbulim fillestar me “dy skenarë të mundshëm” – se virusi nisi nga kafshët te njeriu dhe tjetri se COVID-19 u përhap nga laboratori.

Deklarata e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë thotë se dy agjenci në Komitetin e Inteligjencies prej 18 anëtarësh anojnë kah hipoteza se virusi nisi në natyrë dhe një tjetër agjenci kah qëndrimi se virusi ishte rrjedhje nga laboratori.

Një dokument që tërhoqi vëmendjen është një fletë faktesh nga Departamenti i Shtetit, i publikuar në ditët e fundit të administratës së Trumpit. Ky dokument vuri në dukje se SHBA-ja besonte se tre studiues në laboratorin e Wuhanit kërkuan trajtim mjekësor për një sëmundje respiratore në nëntorin e vitit 2019.

Sidoqoftë, raporti nuk është përfundimtar: Origjina dhe ashpërsia e sëmundjes së stafit shkencor nuk janë bërë të ditura – dhe shumica e njerëzve në Kinë për trajtimet e zakonshme shkojnë në spitale dhe jo te mjekët e kujdesit parësor.

Dokumentari gjithashtu i dha vëmendje edhe studimit të të ashtuquajturit “fitim i funksionit” – që në teori mund t’i rrisë gjasat e vdekshmërisë ose bartjes së një virusi.

Të dyja pretendohej se po bëheshin në laboratorin e Wuhanit me mbështetje të SHBA-së. Sidoqoftë, drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetit, Francis Collins, që prej asaj periudhe i ka mohuar këto pretendime mbi koronaviruset në Wuhan.

David Feith, që shërbeu si zëvendësndihmëssekretar i Shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit nën urdhrat e Trumpit, thotë se e mbështeste thirrjen e presidentit Biden për një rishikim të zgjeruar.

“Ajo që nënkuptohet nga deklarata e presidentit është se duhen më shumë analiza dhe grumbullime faktesh sesa janë bërë deri më sot”, thotë Feith.

Drejtori i Inteligjencies Kombëtare nuk pranoi të komentojë.

Image

Pengesa e hetimeve

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë kritikoi Kinën për mungesë transparence, duke shërbyer si jehonë e kritikave të mëparshme nga demokratët dhe republikanët.

“Dështimi për të angazhuar inspektorët tanë në Kinë në ata muajt e parë do të pengojë çdo hetim në lidhje me origjinën e COVID-19”, kanë pretenduar ata.

Associated Press ka raportuar për ndërhyrjen e Kinës në hetimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për virusin dhe nxitjen e teorive konspirative në internet. Kina gjithashtu ka detyruar gazetarët të largohen nga vendi në vitet e fundit dhe ka heshtur ose burgosur informatorët nga Wuhani dhe gjetkë. Mungesa e transparencës në Kinë është një sfidë e rëndësishme dhe e ditur. Por, kjo në vetvete nuk sinjalizon se diçka në veçanti po fshihet.

“Problemi është se kur bëni një njoftim të tillë (thirrja e Bidenit për hetime) në një mjedis tepër të politizuar, kjo e bën edhe më pak të mundshme që Kina të bashkëpunojë në përpjekjet për të zbuluar origjinën e virusit”, thotë Yanzhong Huang, anëtar i vjetër për shëndetësi globale në Këshillin për marrëdhëniet me jashtë.

Argumenti më bindës për të hetuar mundësinë e përhapjes së virusit nga laboratori nuk është ndonjë provë e re, por përkundrazi fakt që një rrugë tjetër për përhapjen e virusit nuk është konfirmuar 100 për qind.

“Mundësia e madhe është akoma që ky virus të vijë nga një rezervuar i botës së egër”, thotë Arinjay Banerjee, virolog në Organizatën e Vaksinave dhe Sëmundjeve Infektive në Saskatchewan të Kanadasë. Ai vuri në dukje faktin se proceset e përhapjes – kur viruset kërcejnë nga kafshët te njerëzit – janë të zakonshme në natyrë dhe se shkencëtarët tashmë dinë për dy koronavirusë të ngjashëm beta që evoluuan te lakuriqët dhe shkaktuan epidemi kur njerëzit u infektuan. Këta dy viruse janë ata që kishin shkaktuar sëmundjet SARS1 dhe MERS.

Sidoqoftë, çështja nuk është mbyllur plotësisht.

“Ka gjasa dhe mundësi”, thotë Banerjee. “Meqenëse askush nuk ka identifikuar një virus që është 100 për qind identik me SARS-CoV-2 në ndonjë kafshë, ka ende hapësirë që studiuesit të pyesin për mundësi të tjera”.

Konfirmimi i origjinës

Konfirmimi me 100 për qind të sigurisë për origjinën e virusit shpesh nuk është i shpejtë, i lehtë dhe gjithmonë i mundur.

Për shembull, shkencëtarët kurrë nuk e konfirmuan origjinën e lisë para se sëmundja të çrrënjosej me fushatën e madhe të vaksinimit.

Në rastin e SARS-it – një sëmundje e shkaktuar nga një beta koronavirus, si koronavirusi aktual – studiuesit e identifikuan virusin për herë të parë në shkurtin e vitit 2003. Më vonë atë vit, shkencëtarët zbuluan mikpritësit e mundshëm: civetat e palmës së Himalajeve të gjetura në tregjet e kafshëve të gjalla në Guangdong të Kinës. Por, vetëm në vitin 2017 studiuesit gjetën burimin e mundshëm fillestar të virusit në shpellat e provincës Yunnan të Kinës.

Nga një perspektivë shkencore, studiuesit janë gjithmonë të etur për të kuptuar më shumë se si evoluojnë sëmundjet. Nga perspektiva e shëndetit publik, nëse një virus ka kaluar në përhapje më së shumti nga kontakti njeri me njeri, zbulimi i origjinës së tij nuk është aq thelbësor për strategjitë e parandalimit të sëmundjes.

“Pyetjet e origjinës dhe pyetjet e kontrollit të sëmundjes nuk janë e njëjta gjë, pasi transmetimi nga njeriu te njeriu është bërë i zakonshëm”, thotë Deborah Seligsohn, eksperte e mjedisit dhe shëndetit publik në Universitetin Villanova.

Republikanët kanë bërë presion për më shumë hetime në lidhje me përhapjen e koronavirusit nga laboratori. Kjo ishte një lloj përpjekje e gjerë për të fajësuar Kinën dhe për të shfajësuar keqmenaxhimin nga ana e presidentit Donald Trump. Gati 600 mijë njerëz kanë vdekur në Shtetet e Bashkuara, numri më i lartë i të vdekurve nga COVID-19 në krejt botën.

Shumë shkencëtarë tërheqin vërejtjen se nuk ka gjasa që një hetim 90-ditor të japë një përgjigje përfundimtare.

“Ne rrallë marrim një përgjigje”, thotë Stephen Morse, studiues i sëmundjeve në Columbia University. “Edhe në rrethanat më të mira, rrallë kemi siguri – ka vetëm shkallë të gjasave”.

Çdo gjetje nga ky hetim 90-ditësh ka të ngjarë të jetë politikisht shpërthyes, veçanërisht nëse prova të reja dalin në dritë – prova që mbështesin ose hedhin poshtë teorinë e transferimit zonotik ose të rrjedhjeve laboratorike. Dhe një dështim për të arritur në konkluzione përfundimtare, pothuajse i pashmangshëm pas një rishikimi 90-ditor, mund t’i nxisë mbështetësit dhe kundërshtarët e Trumpit, si dhe t’i inkurajojë teoricienët e konspiracionit.

Ndërkohë, ekspertë si Huangu dyshojnë se Kina do të shtrëngohet edhe më shumë duke komplikuar edhe më shumë marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara me botën. “Ky hetim me shumë gjasë do ta bëjë edhe më sfiduese punën për të nxjerrë koncesione nga Kina me qëllim që të lejojë një tjetër ekip hulumtues në Wuhan, ose të ketë qasje të pakufizuar për t’i kryer hetime në epiqendrën e koronavirusit”, thotë Huang.

Përktheu: Gent Mehmeti