Një gjykatë në Moskë të mërkurën mbrëma ka shpallur të jashtëligjshme organizatat e financuara nga lideri opozitar rus Alexey Navalny, duke i quajtur ato ekstremiste, raporton agjencia “AP”.
Është lëvizja e radhës në fushatën e autoriteteve ruse për të heshtur pakënaqësitë dhe për të ndaluar kritikët e Kremlinit nga kandidimi për parlament në shtator.
Vendimi i Gjykatës së Moskës, që hynë në fuqi menjëherë, parandalon personat e asociuar me Fondacionin e Navalnyt për Luftim të Korrupsionit dhe me rrjetin e selive rajonale nëpër Rusi që të kërkojnë poste publike. Shumë prej aleatëve të Navalnyt kishin shpresuar të kandidonin në zgjedhjet parlamentare më 19 shtator.
Etiketimi si ekstremistë po ashtu përmban edhe dënim të gjatë me burg për aktivistët që kanë punuar me organizata, dhe të gjithë që kanë dhuruar për to dhe madje edhe ata që kanë shpërndarë materialet.
Navalny, kritiku më i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, është arrestuar në janar me t’u rikthyer nga Gjermania, ku kishte kaluar pesë muaj duke u rikuperuar pas helmimit me një agjent nervor.
Në shkurt Navalny u dënua me burgim 2 vjet e gjysmë për shkelje të kushteve të lirisë me kusht. Ai ishte dënuar në vitin 2014 për përvetësim të fondeve.
Avokati Yevgeny Smirnov ka thënë gjatë seancës dëgjimore që zgjati deri në orët e vona se po synohet që gjithë bashkëpunëtorëve të Navalnyt t’i ndalohet të kandidojnë për poste publike.
“Ky rast është i lidhur me ligjin që u ndalon zgjedhjen gjithë atyre që janë të lidhur me Fondacionin për Luftim të Korrupsionit”, ka thënë Smirnov.
Seanca e gjykatës është mbajtur me dyer të mbyllura, me arsyetimin se është diskutuar materiali i klasifikuar.