1 perditesime
Botë

Burgimi i përjetshëm për “Kasapin e Bosnjës”

Burgimi i përjetshëm për “Kasapin e Bosnjës”
Foto: AP
16:22

Burgimi i përjetshëm për “Kasapin e Bosnjës”

Ratko Mladiq, shefi ushtarak i serbëve që njihet si “Kasapi i Bosnjës” për orkestrimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në luftën e viteve 1992-1995 në këtë vend ballkanik, ka humbur të martën betejën përfundimtare ligjore kur gjykatësit e Tribunalit të Hagës ia hodhën poshtë apelin dhe ia konfirmuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Vendimi ngërthen dënimin e tij të 2017-s teksa e përmbyll një kaptinë të zymtë në historinë evropiane, që përfshiu gjenocidin e parë në Kontinent që pas Luftës së Dytë Botërore – masakrën e 8.000 burrave dhe djelmoshave në Srebrenicë gjatë 1995-s.

Tanimë i thyer, Mladiqi që rëndom paraqitej i zemërueshëm në seancat gjyqësore në Hagë nuk ka shfaqur kurrfarë emocioni teksa gjyqtarja kryesuese, Prisca Matimba Nyambe nga Zambia, ka thënë se Paneli i kishte refuzuar, me një votë prej 4 me 1, të gjitha apelet e tija për dënimin rreth krimeve që përfshijnë gjenocidin, vrasjen, eliminimin dhe terrorizimin e qytetarëve gjatë luftës që la më shumë se 100.000 të vrarë dhe me miliona të pastrehë.

Ish-gjenerali 78-vjeçar ishte figura e fundit madhore që u përball me drejtësinë rreth konfliktit që përfundoi më shumë se një çerekshekulli më parë.

Shefi i tij i dikurshëm politik, ish-presidenti i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, tashmë është duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, pasi që është shpallur fajtor për të njëjtat krime. Ish-presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviq, i cili ishte akuzuar për ndezjen e konflikteve etnike që e shpërbënë Jugosllavinë në vitet ‘90, ka vdekur në qelinë e burgut të Hagës më 2006, para se t’i shqiptohet verdikti.

“Vendim historik”

Serge Brammertz, prokurori që nxori Karaxhiqin dhe Mladiqin para drejtësisë, ka thënë se Mladiqi “renditet mes kriminelëve të luftës me namin më të zi në historinë moderne”, pasi që ka abuzuar me kompetencat e detyrës së tij për të kryer krime, përfshirë gjenocidin.

“Mladiqi duhej dënuar nga të gjithë zyrtarët përgjegjës në ish-Jugosllavi dhe kudo përreth botës”, ka thënë Brammertz të martën. “Emri i tij duhet të përfshihet në listën e figurave më të prishura dhe më barbare të historisë”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se “vendimi historik demonstron se ata që kanë kryer krime të tmerrshme do të mbahen përgjegjës” dhe se rasti e fuqizon vendosmërinë për ta shmangur përsëritjen e krimeve të ngjashme edhe në vendet e tjera të botës.

“Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të krimeve të Mladiqit. Kurrë nuk duhet ta shlyejmë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj se vendimi i sotëm u ofron një dozë lehtësimi të gjithë atyre që janë në zi”, është thënë në një komunikatë të Bidenit, lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, kanë thënë se vendimi i së martës do të kontribuojë në shërimin e të gjithë atyre që vuajtën në Bosnjë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka përshëndetur menjëherë vendimin e Dhomës së Apelit në Tribunalin e Hagës, duke e cilësuar si ngadhënjim të drejtësisë.

“Jam i lehtësuar për vendimin final të Gjykatës ndaj Mladiqit, i cili mban përgjegjësi për gjenocidin në Srebrenicë. Mirë që drejtësia ngadhënjeu. Shpresoj që kjo do t’u ofrojë një lloj ngushëllimi viktimave dhe të mbijetuarve”, ka shkruar Maas në Twitter.

Duartrokitje në Sarajevë, indinjatë në Banjallukë e Beograd

Gjykata ka hedhur poshtë edhe apelin e prokurorëve për shfajësimin e Mladiqit nga njëra prej pikave të tjera të aktakuzës për gjenocid, që ndërlidhet me përndjekjet e qytetarëve në bazë etnie gjatë fazës së hershme të luftës. Kësisoj, ai është shpallur fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës.

Si komandant i Armatës së serbëve të Bosnjës, Mladiqi u ka prirë trupave përgjegjëse për krimet që nisin nga fushatat e “spastrimit etnik” deri te rrethimi 43-muajsh i Sarajevës dhe vazhdojnë me kulmimin e përgjakshëm të luftës me Srebrenicën.

Në Sarajevë kanë jehuar duartrokitjet mes atyre që e shikonin nga ambientet e hapura zhvillimin e gjykimit. Kryebashkiakia Benjamina Kariq e quajti të martën si “ditë të drejtësisë” për Sarajevën, Bosnjën dhe viktimat e pafajshme të luftës.

Trashëgimia toksike e Mladiqit vazhdon të shkaktojë ndasi në Bosnjë dhe hija e tij e errët është përhapur larg përtej Ballkanit.

Për serbët në Bosnjë, ai vazhdon të jetë një hero që ka luftuar në mbrojtje të popullit të tij. Për boshnjakët, kryesisht myslimanë, ai përherë do të jetë i ligu përgjegjës për vuajtjet dhe humbjet e tyre të luftës.

Nedziba Salihoviq, e cila ka humbur të birin dhe bashkëshortin në luftë, ka shikuar procesin para një ekrani të madh të vendosur në Srebrenicë.

“Kjo ka fort rëndësi për mua, zemra më rrah si e çmendur”, ka thënë ajo. “Ai është ndëshkuar. Nuk ka rëndësi se ku do të përfundojë (ku do ta vuajë dënimin). Sikurse nënat e Srebrenicës, ai do ta kalojë pjesën e mbetur të jetës pa familje”.

Në anën tjetër, lideri separatist i serbëve të Bosnjës dhe kryesuesi i presidencës trepalëshe të vendit, Milorad Dodik, ka kritikuar vendimin përfundimtar, duke e cilësuar si “drejtësi selektive” dhe “satanizim të serbëve”.

“Gjykata nuk e ka dëshmuar drejtpërsëdrejti fajësinë e Mladiqit”, ka thënë Dodik. “Është e qartë se gjenocidi në Srebrenicë kurrë nuk ka ndodhur”.

Pas kësaj deklarate, Borrel dhe Varhelyi kanë potencuar në deklaratën e përbashkët se BE-ja pret nga politikanët e Ballkanit Perëndimor që të bashkëpunojnë me gjykatat ndërkombëtare.

“BE-ja pret që të gjithë aktorët politikë në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Ballkanin Perëndimor të tregojnë bashkëpunim të plotë me Tribunalet ndërkombëtare, të respektojnë vendimet e tyre dhe të pranojnë pavarësinë e paanësinë e tyre”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se për askënd “nuk mund të ketë pandëshkueshmëri”.

Në Beograd, kryeministrja Ana Bërnabiq ka theksuar se me vendimin e së martës pajtimi mes popujve është shumë më larg se që ishte në përfundim të luftës në Bosnjë më 1995. Ajo në një intervistë për “Tv Pink” ka shtuar se me këtë proces Haga “mbase nuk e ka gjykuar Serbinë, por serbët gjithsesi po”.

“Sot jemi më larg nga pajtimi sesa që ishim para 26 vjetëve. Tash më duket se kemi një padurim më të madh mes popujve sesa që kishim gjatë konfliktit. Kësaj i ka kontribuuar shumë Haga. Kanë folur më herët se gjykata nuk është bërë për të pajtuar popujt, por unë nuk pajtohem me këtë, pasi po të jepnin përgjegjësi të gjithë që kanë bërë krime, gjykata do të kontribuonte në pajtim”, ka thënë Bërnabiq.

Një qëndrim të ngjashëm ka shpërfaqur edhe presidentja e Republikës Serbe, Zhelka Cvijanoviq, e cila ka thënë se Trinunali i Hagës ka konfirmuar edhe një herë se është anti-Serbi.

Ajo ka shtuar se Gjykata ka përcaktuar “përgjegjësinë për krime të luftës jo sipas provave, por sipas kombësisë së të akuzuarit”.

“Po të ishte e kundërta, vendimi i sotëm nuk do të ndiqej nga disa të akuzuar më famëkeq të Hagës, të tillë si Naser Oriq, Ramush Haradinaj, Ante Gotovina, si dhe shumë të tjerë ,nga fusha e përgjegjësisë së të cilëve u zhdukën shumë serbë përgjithmonë”, ka thënë Cvijanoviq për “RTRS”.

Anëtari kroat i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, duke komentuar konfirmimin e dënimit të përjetshëm për liderin e forcave serbe të Bosnjës ka thënë se Republika Serbe kurrë nuk do të mund të ndahet, pasi që është ngritur mbi gjenocid ndaj myslimanëve.

“Vendimi i sotëm ndaj Mladiqit, që e përcaktoi ekzistencën e disa ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale, përkatësisht udhëheqjes politike, tash edhe të udhëheqjes ushtarake të Republikës Serbe, tregon qartë se kishte një qëllim për të kryer një seri krimesh të tmerrshme në Bosnjë, bazuar në dallimet etnike”, ka thënë Komshiq.

Që prej kohësh, Dodiku kishte insistuar që entiteti serb i Republikës Serbe të ndahej nga Bosnjë-Hercegovina.

Pas dënimit të Mladiqit, Komshiq ka thënë se kjo gjë bëhet e pamundur, pasi që flitet për një Republikë të ngritur mbi gjenocid.

“Republika Serbe kurrë nuk do të bëhet e pavarur, askush nuk do ta njoh një vend të ngritur mbi gjenocid”, ka thënë Komshiq, ka shkruar gazeta “Oslobodjenje”.

Hija e përgjakshme e Mladiqit

Mladiqi ishte paditur fillimisht në korrikun e 1995-s. Pas përfundimit të luftës ai ka ikur nga vendi, ndërsa ishte arrestuar më 2011, kur edhe i ishte dorëzuar Tribunalit të Hagës nga Qeveria e atëhershme pro-perëndimore në Serbi.

Hija e përgjakshme e Mladiqit dhe Karaxhiqit ka depërtuar bukur përtej Ballkanit. Ata ishin lartësuar nga mbështetësit e huaj të së djathtës ekstreme për fushatat e tyre të përgjakshme të luftës.

Australiani që kishte vrarë me dhjetëra besimtarë myslimanë në Christchurch të Zelandës së Re më 2019 besohet të ishte frymëzuar nga liderët serbë të Bosnjës, siç ishte edhe Anders Breiviku, supremacisti i bardhë norvegjez që kishte ekzekutuar 77 persona në një ishull të Norvegjisë më 2011.

Tribunali i OKB-së, që ka paditur Mladiqin fillimisht, qe atëherë ka mbyllur dyert. Apeli i tij dhe rastet e tjera ligjore të papërfunduara janë trajtuar nga Mekanizmi i Gjykatave Penale Ndërkombëtare të OKB-së, i cili ndodhet në të njëjtën seli sikurse gjykata tanimë jofunksionale për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Para kësaj gjykate, një tjetër nënë nga Srebrenica, Munira Subashiq, e kishte një mesazh për të rinjtë në Serbi dhe për pjesën serbe të Bosnjës.

Ajo i nxiti ata që t’i studiojnë gjykimet dhe vendimet e gjykatës dhe “t’i japin fund urrejtjes e të krijojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”. \ AP

14:25

Sytë kah Haga, sot seanca ndaj Mladiqit

Dhjetëra anëtarë të shoqatave boshnjake janë mbledhur në Hagë, në prag të shqiptimit të vendimit përfundimtar ndaj Ratko Mladiqit. Mladiq, i njohur si “Kasapi i Ballkanit” do ta dëgjojë verdiktin final, në procesin e Apelit, që do të nisë nga ora 15.00.

Shpallja e vendimit, për shkak të masave anti-COVID do të bëhet në prani të pak zyrtarëve e të ftuarve në seancë.

Mladiq, para katër vjetësh, qe dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës. Por, si mbrojtja ashtu edhe prokuroria u ankuan, duke çuar lëndën në shkallën e dytë.

Mladiq u dënua për gjenocid në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8.000 myslimanë për një ditë, më 1995. Po ashtu u dënua për krime kundër njerëzimit në 15 komuna në Bosnjë, për rrethim e terrorizim të Sarajevës gjatë periudhës 1992-1995 si dhe për mbajtjen peng të trupave paqeruajtëse të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s, porse Këshilli gjyqësor i kishte përjashtuar akuzat për përgjegjësinë e tij në gjenocidin e kryer në pesë komuna tjera të Bosnjës më 1992, përfshirë Prijedorin. Prokuroria ka kërkuar që gjykata ta konfirmojë edhe këtë pikë të aktakuzës, të cilën po e presin edhe familjarët e të vrarëve. Ndërkaq mbrojtja e Mladiqit pret lirimin e tij nga akuza apo përsëritjen e procesit gjyqësor.

Ratko Mladiq u arrestua më 26 maj 2011 në Serbi, pas 16 vjetësh duke i ikur drejtësisë.