Liderët e opozitës në Izrael pritet që të formojnë koalicionin që do t’i jepte fund pushtetit 12-vjeçar të Benjamin Netanyahut, si kryeministër. Kryetari i partisë centriste, Jair Lapid, pritet të njoftojë së shpejti për marrëveshjen e koalicionit.
Këtë duhet ta bëjë para mesnatës, kur edhe i skadon mandati për formimin e qeverisë. Nën marrëveshjen e koalicionit, politikani i krahut të djathtë, Naftali Bennet, do të jetë kryeministër në dy vjetët e mandatit, para se t’ia dorëzojë detyrën Lapidit.
Netanyahu dhe partia e tij Likud janë vënë në kërkim të votave, duke e ditur se qeveria e re do të përballet me mocion mosbesimi në Parlament para se të betohet. Nëse dështon formimi i Qeverisë, Izraeli me shumë gjasë do të shkojë në zgjedhje të reja, për të pestën herë brenda dy vjetësh.
Mediat izraelite kanë raportuar se formimi i qeverisë veçse është punë e kryer, për shkak se partitë kanë nisur ndarjen e posteve ministrore dhe të komiteteve. Ndërkaq, të mërkurën, Knesseti ka zgjedhur presidentin e ri të Izraelit.
Issac Herzog, veteran i politikës dhe anëtar i familjes së njohur izraelite, është zgjedhur i pari i shtetit. Në këtë post ceremonial ai do ta pasojë Reuven Rivlinin, që e kryesoi vendin për shtat vjet. Herzog vjen nga një familje e njohur zioniste. Babai i tij Chaim Herozg, kishte shërbyer si ambasador në Kombet e Bashkuara para se të zgjidhej president.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.